Shqipe

 

"PËR SHOKËT E MI PIONIERË"

 


NËNTORË TË LARGËT


Kemi ardhur në Vlorën heroike, që na ka frymëzuar që në rininë tonë të largët me trimërinë dhe me ngjarjet e saj historike. Kéto ditë nëntori në Vlorë më sjellin ndër mend ato kohë të largëta, por sa të dashura nëntorësh, nga të cilat kam aq shumë kujtime.
Në një ditë të caktuar, veçanërisht në nëntor, na vinin në shtëpi burra për vizitë. I priste aneja poshtë te shkalla dhe i ngjiste sipër në qoshk të odasë së madhe, ku i priste babai. Kur vinin të gjithë, babai i thosh Anesë:
- Nuse, përveç kafesë, na sill edhe nga ato llokumet që prura dje në atë kartën shtupellë që kam vënë në dollap të patit.
- Si urdhëron Mulla! - i thosh Aneja.

Unë ndiqja Anenë kur vente e vinte për t'u shërbyer mysafirëve, e ndihmoja atë, më në fund rrija afër babait dhe dëgjoja njerëzit që bisedonin.
Duhet të sqaroj që xhaxhanë tonë, Hysen Hoxhën, të gjithë ne, fëmijët, e thërritnim edhe baba, edhe baba Çen, kurse babanë tonë, Halil Hoxhën, të gjithë ne, fëmijët, e thërritnim derisa vdiq, xhaxha.
Në ato ditë nëntori të largët, babai me burrat në qoshk flitnin e flitnin, por unë ca i kuptoja, ca jo.
Kur zinte në gojë shpatat, baba Ceni, mua fët më shkonte mendja te sepetet, atje afër mbi dhipato të qoshkut, që ishin plot me shpata të gjyshërve e të babait.
Më kujtohet njëherë, kur babai foli për shpatat e grekëve, unë kërceva si gjel i vogël dhe thashë:
- Pse nuk i nxjerrim edhe ne shpatat tona, ja, këtu, në sepete i kemi, doni t'jua tregoj?
Pleqtë qeshën. Xha Hasan Xhiku më vuri dorën në kokë dhe më tha:
- Do t'i qitim edhe ne shpatat tona nga sunduqet, mos u merakos, djalë.
Ata burra që mblidheshin me babanë në ato ditë të nëntorit, flitnin për lirinë, për Flamurin e Vlorës, për Ismail Qemalin, për Cepon e për shumë gjëra. Herë më dëbonin, si duket flitnin gjëra të fshehta, që unë s'duhej t'i dëgjoja, herë dëgjoja babanë që bërtiste:
- Enver, thuaj nuses të na bjerë duhan dhe një tabak me kartë!
Bisedat zgjateshin. Në mur të qoshkut, afër penxheresë, babai kishte varur një fotografi, ku kishin dalë shumë burra të veshur me të zeza. Në mes tyre ishte edhe një plak me flokë dhe me mjekër të bardhë. Ishte Ismail Qemali.
- Prapa tij, - na thosh babai, - jam edhe unë, ja, ky me sarëk të bardhë. Të gjithë ne jemi mbledhur në kuvend në Vlorë, kur ngritëm Flamurin, shpallëm Pavarësinë dhe formuam Qeverinë e parë të Vlorës, me Ismail Qemalë në krye. Po q'e do, zuzarët e poshtër të jashtëm, s'na lënë rehat.

Kjo fotografi ishte nga gjërat më të dashura të shtëpisë sonë të vjetër, që na u dogj. Mjerisht, kur na u dogj shtëpia, u dogj edhe sunduku me palla, edhe fotografia. Çdo gjë u dogj, vetëm një sahat i murit na shpëtoi.
Kërkova se mos gjeja ndonjë kopje të asaj fotografie të Vlorës, që varej dikur në shtëpinë që na u dogj, por më kot. Duhej të kalonin kaq dekada dhe më 28 Nëntor 19'72, kur vizituam Muzeun e Pavarësisë ja, në një nga dhomat, unë shoh fotografinë aq të dashur për mua, fotografi e zmadhuar e Kuvendit të Vlorës. Ndenjta i shtangur, e shikoja, e shikoja dhe vazhdoja ta shikoja, saqë ciceroni, i cili kishte kohë që kishte mbaruar shpjegimet, u habit që po rrija aq shumë përpara saj.
- Mos u habit, - i them, - se gjeta një thesar që më kishte humbur.
E dashura fotografi e rinisë sime! Sa kujtime të ëmbla dhe të hidhura më zgjon ti! Ti më kujtove, veçanërisht, jetën dhe luftën patriotike të baba Çenit, këtij burri të thjeshtë, që vdiq i thjeshtë e i respektuar. Askush nuk ia kujtoi ç'kishte punuar, veç Partisë sonë, e cila, si për gjithë patriotët e tjerë, shkroi edhe për baba Cenin dhe, gjithashtu, e dekoroi për aktivitetin e tij patriotik.

Mua, natyrisht, si i vogël që isha në atë kohë, më bënin përshtypje disa ndodhi, që atëherë ishte e zorshme t'i kuptoja të gjitha, por tash, me kalimin e viteve, ato marrin në thjeshtësinë e tyre dritën e vërtetë. Për mua ato ishin ndodhi familjare, por për të rriturit kishin tjetër kuptim.

Duhej të ishte një natë para 28 Nëntorit, domethënë 27 nëntor. Vendi ishte pushtuar nga grekët. Ishte krizë e madhe për çdo gjë, bukë me zor gjenim dhe atë aneja na e jepte çika-çika. Grekët kishin dashur ta hiqnin babanë nga belediereizi, kryetar i bashkisë së qytetit, por nuk e hoqën dot, pse protestoi populli, gjithë së toku, myslimanë e të krishterë.

Atë ditë, pra, të 27 nëntorit më thirri babai, që rrinte në krye të divanit me një velenxë të bardhë në krahë, dhe më thotë:
- Vish këpucët, shko te Bido Tushja dhe i thuaj, që më tha babai të më japësh një duzinë me qirinj. Në qoftë se të thotë s'kam, ti i thuaj me të qeshur, m'i jep, ndryshe nesër do të ta mbyllë dyqanin, më tha babai.
Unë vesha këpucët dhe ua mbatha këmbëve me të katra. Veja me qejf në dyqanin e xha Bidos, që ndodhej afër xhamisë së pazarit, mu në të hyrë të kubesë, pse atje më ngopej syri, kishte plot gjëra, kishte dhe llokume, edhe sheqerka. Xha Bidoja më fuste nga një sheqerkë në gojë, duke më cimbisur faqen. E gjeta xha Bidon me një burrë tjetër që po bisedonte.
- Ç'do djalë? - më tha xha Bidoja.
I dhashë porosinë e babait. Ai e shikoi atë burrin në sy dhe më tha mua:
- Ku gjenden qirinj në këto kohë te Bido Tushja, thuaj mulla Hysenit. Po të dojë qirinj, le të vejë t'i kërkojë dhespotit, se ai i ka grumbulluar për qishat.
Atëherë unë i lëshova «kërcënimin» e babait, duke e përfunduar me një të qeshur, se nuk dija si mund ta thosha «me të qeshur» që «babai do të të mbyllë dyqanin».
Xha Bidoja ishte njeri i mirë, ai e kishte shumë mik babanë. U ngrit në këmbë, më tërhoqi nga vestii afër bangos së tij plot me defterë gjithë pluhur dhe, duke hapur një sirtar, më tha:
- E shikon ç'është kjo?
Unë u tremba; ishte një pisqollë. Xha Bidoja më tha:
- I thuaj babait se nuk e mbyll dot dyqanin e Bidos, se ia zbraz në bark mulla Hysenit këtë kobure.
Përnjëherë më hipën xhindet. O, si donte xha Bidoja të na vriste babanë, që ne e donim aq shumë?! I them xha Bidos:
- Ti s'e vret dot baba Çenin, se ai të pret kokën me shpatë. - Bido Tushja dhe burri tjetër qeshën, kurse unë rrija i vrenjtur. Xha Bidoja u fut në qilar, që andej doli me dy pako qirinj, dhe, duke m'i futur nën sqetull, më tha:
- I thuaj mullait që Bidoja është dhelpër plakë dhe e di përse i duhen qirinjtë mullait, prandaj ia ruajta për këto ditë.
Unë u gëzova, mora qirinjtë dhe u nisa të ikja, po xha Bidoja më ndaloi.
- Prit, - dhe, duke dredhur një letër si fishek, mori nga kutia tri llokume, i futi në të dhe më tha: «Një koqe është për ty, një për Sanon dhe një për Balen, po vetëm nesër do t'i hani dhe jo sot».
- Si urdhëron, - i thashë xha Bidos dhe fryva.
Rrugës, me qirinjtë nën sqetull dhe me llokumet në dorë, po mendoja:
Ama ky, xha Bidoja, është njeri i mirë, po nuk marr vesh pse duhet të jesh dhelpër plakë që të kuptosh përse i do babai qirinjtë per të ndritur natën, kur hamë bukë, kur ai këndon libra, kur Aneja qep dhe nënoja na thotë përralla.
Kështu bluante mendja ime e vogël rrugës, dulke u kthyer në shtëpi per t'i dorëzuar babau porosinë. Por nuk do të ishte kështu. Në mbrëmje unë do ta merrja vesh përgjysmë dhe të nesërmen e të pasnesërmen tërë kuptimin e vërtetë të blerjes së qirinjve.
Po atë ditë, kur u err, babai thirri Anenë, i dorëzoi qirinjtë dhe i tha:
- Merri, nuse, këta qirinj, preji përgjysmë me thikë dhe vuri në penxheretë e odasë jashtë, vuri mbi një pjatë filxhani, që të mos na bëjnë pis.
- Si urdhëron, Mulla! - i tha Aneja dhe mori qirinjtë.
- Dale një çikë, moj nuse! - bërtiti nënoja, pastaj iu kthye babait:
- Hisenj, lëri këto punë, se do të na marrësh në qafë, do të të surgjunosin në Moré.
- Mos u trëmb Jeko, - iu drejtua s'ëmës, - se edhe po të më thërresin, xhevapin ua kam në xhep, as që ua kemi frikën zuzarëve, me nder... (dhe lëshonte nga kucuret e tija që nuk po i shkruaj). Ne bëjmë punën tonë, ata le të bëjnë të tyren.
Unë ndoqa Anenë dhe, duke prerë qirinjtë, duke i vendosur në dritare dhe duke i ndezur, e pyesja:
- Ane, po pse i vëmë këta qirinj në penxhere?
- Se nesër është festa jonë, djalë, është Dita e Flamurit, që u ngrit në Vlorë, ku kishte vajtur dhe mullai nga Gjirokastra. Po mos i thuaj njeriut, se na dogjën pastaj.
- Po pse thua na dogjën, Ane, kur ne kemi festën tonë?
- Pse grekun e kemi armik, na ka zaptuar vendin dhe ne që festojmë Flamurin, duam të rrojmë të lirë.
Tash e kuptova më qartë historinë e qirinjve. Kishte të drejtë xha Bidoja, «dhelpra plakë»; tash e kuptova pse më tha ai, që llokumet t'i hanim vetëm të nesërmen, më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit.
- Edhe xha Bidoja, - thosha me vete, - si duket, është si baba Çeni.
Kur u kthyem në dhomën e babait, i vajta afër dhe, pa i thënë asnjë fjalë, e shikoja, e shikoja, sigurisht me një ndjenjë të çuditshme, atë burrë me mjekër e me mustaqe të zeza ndënjur pajdash, me velenxë në krahë, duke kënduar një libër në dritën e zbehtë të idaresë, siç i thoshim në Gjirokastër, llambës me vajguri. Unë e shikoja dhe më dukej i madh, i fërkoja herë pas here gjunjët me dorën time të vogël. Ai më në fund më tha:
- Ç'më shikon ashtu sikur nuk më ke parë? Shko fli dhe nesër në mëngjes hajde se do të të jap disa grosh të blesh sheqerka, pse kemi festeë, pa mos dëgjo ti ç'thonë gratë. Armiqtë s'kanë ç'na bëjnë!
Të nesërmen, më 28 Nëntor, në familjen tonë ishin në pritje çfarë do të ngjiste. Vetëm babai dhe ne të vegjëlit s'çanim kokën. Unë hëngra llokumen që pa gdhirë, vajta në dhomën e babait dhe bërtita:
- Rroftë Flamuri!

Më kujtohet një herë tjetër, kur akoma vazhdonte Lufta e Parë e madhe Botërore. Pasi u shporr ushtria greke, vëndin e pushtoi ushtria italiane me ushtarë me pendë e me topa, me mushka e me çiçibune. Uria mbretëronte. Aneja na thosh se miellit i hidhnin edhe pluhurin e dërrasave, që sharronin italianët për ndërtimin e kazermave.

Në mëngjes, pasi hëngrëm trahananë, babai më mori me vete, duke më thënë:
- Hajde këtu djalë, se do të vemi në shtëpinë e Iljazit (Iljaz Hoxhës) t'i bëjmë një vizitë.
Unë u gëzova shumë. Xha Iljazin e doja, megjithëse edhe të bërtiste, po ai më kishte vënë emrin «në vesh», duke më kënduar në shqip dhe jo arabisht. Kisha qejf të veja te xha Iljazi, pse më jepte nga ndonjë ftua, disa kokrra arra o lajthi, si të ndodhej. Unë nuk u çudita, pse babai më merrte shpesh herë kur vente per vizita te Selim Bakiri, te Hasan Sinoja e të tjerë.
Kur hymë te xha Iljazi, ndjeva se diçka kishte ngjarë, po nuk e përcaktoja dot. Kishte njerëz në dhomën e madhe. E nduk babanë nga xhubja dhe i them:
- Baba, mos i ka vdekur njeri xha Iljazit?
- Jo, djalë, - m'u përgjigj plaku, - përkundrazi, sot kemi festën e Flamurit.
M'u çel fytyra. Në krye të odës ishte një prift me mjekër të bardhë, veshur me një raso të zezë dhe me një kryq të florinjtë në gjoks e me gurë me ngjyra. Unë u habita që prifti rrinte në krye dhe në ditën e festës sonë të madhe. I druajtur, u putha dorën të gjithëve me radhë dhe ndenjta në fund të odës, afër derës. Po shihja i habitur ç'do të bëhej këtu sot, më 28 Nëntor, nën pushtimin italian. Pasi u pi kafeja dhe mua më dhanë llokume, u ngrit xha Iljazi, hapi dollapin e odasë, nxori andej një flamur me shkabë të zezë dhe e ngriti përpjetë, duke thirrur: «Rroftë Shqipëria e lirë!».
Të gjithë u ngritën në këmbë dhe bërtitën njëzëri: «Rroftë Shqipëria e lirë!». Më thirri xha Iljazi dhe më tha:
- Zëre flamurin nga të dy cepat, ngrije lart, siç bëra unë, dhe çojua të tërëve me radhë ta puthin.
Edhe unë ashtu bëra. Natyrisht, të parit ia çova baba Çenit, pse për mua të voglin ai dhe flamuri ishin një. Të gjithë e puthën, edhe prifti e puthi. Unë u çudita që e puthi edhe prifti. Pas kësaj ceremonie, pleqtë filluan muhabetin, kurse unë dola në kopsht dhe prisja sa të dilte babai. Kur dolën ishte vonë, burrat kishin hedhur atje brenda nja dy gota. Rrugës e pyeta plakun:
- Po ai prifti kush ishte baba?
- Si, nuk e di, - më tha, - ai është Papapanoja, patriot i flaktë. Sa për të thënë e mban rason dhe kamillafin, se nuk beson në Krishtin, aq sa nuk besoj edhe unë në Muhamedin. Ne kemi një «perëndi», Atdheun, Shqipërinë. Të gjitha të tjerat janë gjepura. Ai, prifti, është babai i mësuesit tënd të shquar, patriotit Thoma Papapano.
- Thomanë unë e dua shumë, baba, - i thashë, se më mëson shqipen, kurse Mulla Kamanin nuk e dua, se ai kërkon të na mësojë turqishten.
Që atë ditë të 28 Nëntorit unë u bëra mik me Papapano Cuçin. Ai rrinte në Varosh, afër shtëpisë së dajkos tim. E takoja në rrugë priftin, ndalesha, i puthja dorën, më gëzonte kokën dhe më thosh: «Shko rregullisht në shkollë, bir, se ajo do të të hapë sytë».
Më kujtohen 28 Nëntorët e mëvonshëm, pas Luftës heroike të Vlorës, kur vendi u çlirua edhe nga italianët. Unë isha më i rritur atëherë, festën e Flamurit e bënim hapët, venim me shkollë përpara «huqumetit» dhe atje mbaheshin fjalime. Aneja mua më kishte bërë edhe një sharp të kuq me shqiponjë në mes, që e futja nga koka dhe e mbaja në gjoks.
Më kujtohet, që në një nga këto festa, zoti Xhafo Poshi ma dha ta mbaja unë flamurin. Ç'gëzim i papërshkruar!
Kur u kthyem nga ceremonia, duke zbritur pazarin me flamurin në sup, takoj baba Çenin, i cili më thotë:
- A të duket i rëndë në sup ai flamur ?
- Jo, baba, - i thashë.
- Ai është i rëndë, djalë, - më tha plaku, - pse mban gjithë historinë e popullit tonë. Sidomos në kohë rreziku ta mbash fort, ta ngresh lart dhe të mos e lësh kurrë të rrëzohet përdhe.

Këto kujtime të largëta të rinisë sime m'u ringjallën në 60-vjetorin e Pavarësisë, kur erdhëm në Vlorë për të festuar këtë ngjarje historike. E ndjeva veten të lumtur, kur u ndodha përpara fotografisë së Kuvendit të Vlorës. ku ndodhej dhe babai.
Ai ishte 60 vjet para meje në Vlorë. Unë atëherë isha 4 vjeç, por jeta e tij, mësimet e tij lanë mbresa të thella në ndërgjegjen time. Ato më rritën me frymën patriotike dhe unë jam kryelartë për baba Cenin e thjeshtë, trim dhe patriot.

 

ENVER HOXHA

 

"PËR SHOKËT E MI PIONIERË"

 


 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi