Shqipe

 

URDHER DITE ME RASTIN E PERVJETORIT TË
PARE TE FITORES MBI GJERMANINË HITLERIANE
9 maj 1946

 


Ushtarë, nënoficerë, oficerë, gjeneralë të Ushtrisë Kombëtare,
Popull shqiptar,


Sot në atdheun e lirë ne festojmë ditën e madhe të fitores mbi Gjermaninë hitleriane dhe Italinë fashiste.
Si sot një vit, mbi Rajhstagun në Berlin, Valoi flamuri ngadhnjimtar i Sovjetëve dhe Gjermania naziste, e goditur për vdekje, u dorëzua pa kondita përpara forcave të bashkuara aleate.
Njerëzimi shpëtoi, shpëtoi qytetërimi nga barbarizma mesjetare e Hitlerit. Më 9 maj të vitit të kaluar, bota mori frymë lirisht, në saje të luftës heroike të Ushtrisë së lavdishme të Kuqe, e komanduar nga Kapiteni gjenial i kohërave të reja, Gjeneralisimi Stalin. Krahas Bashkimit Sovjetik, faktorit më të madh dhe vendimtar të fitores, forcat aleate anglo-amerikane dhe gjithë popujt e robëruar të Evropës dhanë kontributin e tyre për arritjen e kësaj dite.
Sot, në gjithë botën e çliruar nga ankthi i tmerrshëm i fashizmit, gjithë popujt përparimtarë dhe demokratë të botës po punojnë për rindërtimin e vendeve të tyre të rrënuara nga lufta, po punojnë për forcimin dhe ruajtjen e fitores që i kushtoi njerëzimit me miliona të vrarë. Rreth Bashkimit Sovjetik, gjithë popujt progresivë të botës kanë bashkuar energjitë e tyre për të
vendosur një paqe të drejtë dhe të vazhdueshme, për të zhdukur mbeturinat e fashizmit dhe për të përmbysur planet djallëzore të reaksionit ndërkombëtar që përpiqet të pregatitë dhe të nxitë një luftë të re.
Sot, në këtë ditë të shenjtë dhe gazmore, populli ynë, kujton me krenari përpjekjet e tija të panumërta, luftën e tij heroike dhe ngadhnjimtare, që i kushtoi vuajtje dhe mjerime të pashembullta dhe ku ranë me mijëra nga bijt e tij më të mirë. Në Luftën nacional--çlirimtare populli ynë hodhi çdo gjë që kishte të shenjtë dhe të shtrenjtë, sepse ai kuptoi që nga kjo varej fati
dhe jeta e tij.
E filluam luftën vetëm, që më 7 prill të 39-s, kundër hordhive të Musolinit, duke qenë të sigurtë se bota e qytetëruar ishte me ne dhe e vazhduam këtë luftë deri në fund me vetëmohimin më të madh dhe me besnikërinë më të madhe ndaj kauzës së përbashkët aleate.
Prandaj dita e fitores është dhe dita jonë, është dita e ushtrisë sonë heroike që u mbulua me lavdi në luftime të përgjakshme, që s'u zmbraps kurrë përpara forcave të mëdha dhe të armatosura në mënyrë moderne të italianëve, gjermanëve dhe hyzmeqarëve të tyre, që gozhdoi në vend divizione të tëra gjermane, kur aleatët anglo--amerikanë zbarkuan në Francë dhe bashkoi gjakun e saj me atë të vëllezërve jugosllavë.
Sot le të kujtojmë shokët tanë të dashur që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe të popullit dhe, në shenjë solidariteti të përhershëm, si në kohën e luftës ashtu edhe tani në kohën e paqes, të kujtojmë me nderim gjithë luftëtarët e kauzës së madhe antifashiste që dhanë jetën për çlirimin e njerëzimit nga murtaja naziste.


Ushtarë, nënoficerë, oficerë, gjeneralë të Ushtrisë Kombëtare,
Popull shqiptar,


Fitorja na kushtoi shtrenjtë, prandaj populli ynë është i vendosur ta mbrojë për jetë këtë fitore dhe frytet e saja. Në Shqipërinë e lirë, ku populli vendosi demokracinë dhe pushtetin e tij, po ndërtohet një jetë e re dhe e lumtur për njerëzit e ndershëm dhe punonjës.
Energjitë e pashterura të popullit tonë, me të cilat u fitua lufta e u sigurua indipendenca dhe sovraniteti i atdheut, sot janë hedhur pa kursim në rindërtimin e vendit të shkatërruar. Në vendin tonë çdo gjë po çelet, po rimëkëmbet, po ecën me vrullin më të madh, po ndërtohet e ardhmja nga vetë populli dhe ashtu si i pëlqen popullit. E shkuara e zezë u shqelmua përgjithmonë dhe nuk do të përsëritet kurrë më; për këtë, garanci e madhe është lufta e çlirimit që bëmë dhe fakti që populli ynë është bërë i ndërgjegjshëm për rolin vendimtar që duhet të luajë.
Rezultatet e punës që janë arritur që prej çlirimit të Shqipërisë e deri tani janë fakte të gjalla dhe të padiskutueshme.
Ato tregojnë se ç'mund të bëhet në një vend si yni, ku pushteti buron nga populli dhe i takon gjithë popullit. Këtë realitet të shëndoshë, që është krijuar në vendin tonë dhe që shkon dita-ditës duke u përmirësuar, intrigat e reaksionit ndërkombëtar janë të pafuqishme ta dëmtojnë. Kundër realitetit dhe fakteve
të gjalla, armiqtë e paqes dhe të qytetërimit mund të shpifin, këtë e kanë zakon, mund të na nxjerrin pengesa të pathemelta e qesharake në kërkesat tona të drejta në lëmin ndërkombëtar, por ne jemi të bindur se drejtësia do të dalë sheshit dhe popujt përparimtarë do t'i demaskojnë përpjekjet e të gjithë atyre që përpiqen të ringjallin të kaluarën e zezë në kurrizin e popullit tonë dhe të gjithë popujve paqedashës.
Le të vazhdojmë rrugën e drejtë që kemi nisur me vendosmëri dhe me besimin më të madh dhe asgjë të mos na ndalë në ndërtimin e jetës së lumtur për popuIlin tonë. Të forcojmë bashkimin, të punojmë pa u lodhur me të gjitha forcat tona në rindërtimin e vendit, në ngritjen e ekonomisë së popullit, në edukimin e masave të gjera punonjëse si nga pikëpamja politike, ashtu dhe kulturale; të forcojmë dhe të modernizojmë ushtrinë
tonë heroike, çlirimtaren e vendit tonë, mburojën e pathyeshme të popullit, të indipendencës dhe të integritetit të atdheut; të jemi kurdoherë të zgjuar e vigjilentë për të goditur pa mëshirë të gjithë ata që kanë në gjak aventurat dhe që do të tentojnë të prekin interesat e vendit dhe të popullit tonë; të mbrojmë paqen e përbotshme dhe të forcojmë miqësinë me gjithë popujt
demokratë dhe liridashës.
Këto kërkon atdheu ynë i dashur nga të gjithë shqiptarët e shqiptaret.


URDHER DITE 1 MAJIT 1946

Këto kërkon bota e qytetëruar nga populli paqedashës dhe përparimdashës shqiptar.
Populli ynë do t'i kryejë me nder këto detyra ashtu si i kreu me nder dhe me lavdi detyrat që ju vunë përpara në kohën e luftës.


Rroftë dita e fitores së madhe!
Rroftë ushtria jonë heroike!
Rroftë populli shqiptar!
Botuar për herë të parë në
gazetën «Bashkimi», Nr. 422,
9 maj 1946
Botohet sipas tekstit të gazetës
«Bashkimi», Nr. 422,
9 maj 1946

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi