Shqipe

 

FJALIM ME RASTIN E DITES Sr PAVARESISE DHE TE ARDHJES SE QEVERISE DEMOKRATIKE NE TIRANE

28 nëntor 1944

 


Popull shqiptar,

Në një ditë të shënuar si kjo, më 1912, pas aq kohe robërie, lindi Shqipëria indipendente. Kur vendi ynë kërcënohej nga të katër anët nga armiqtë e jashtëm, kur për popullin tonë po farkëtoheshin zinxhirë të rinj robërie, plaku Ismail Qemali, me një grusht trima patriotë, e ngriti lart flamurin e lirisë në Vlorë, dhe populli shqiptar mori frymë. Ne dualëm fitimtarë, por valë të egra kaluan mbi popullin tonë të mjeruar, ai flamur i lirisë u muar nëpër këmbë. Ai u shpërdorua, u bë plaçkë tregu prej satrapëve të regjimit të kaluar, ai u përdor për të mbuluar turpësitë e hajdutllëqet që bëheshin në kurriz të popullit tonë. Por flamuri popullit, flamuri i Ismail Qemalit, qëndronte i panjollosur në shpirtrat e patriotëve shqiptarë, dhc ai flamur u ngrit lart, u mbajt nga duart e çelnikta të luftëtarëve të popullit dhe kaloi nëpërmes rrebeshesh dhe furtunash i pathyer, i papërkulur, simbol i lirisë dhe i indipendencës.

Pas kaq luftërash heroike kundër fashizmit, flamuri të rënë në këtë luftë antifashiste, valon sot krenar në qiellin e Shqipërisë së lirë. Pesë vjet kanë kaluar nga robëria e rëndë fashiste, pesë herë nëpër rrugët e qyteteve të Shqipërisë, në çdo 28 Nëntor është derdhur gjak i bijve heroikë, që përlesheshin me bajonetat e okupatorit e të tradhëtarëve. Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shenjtë, dita e pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar.

Më 7 prill të 1939-s na pllakosi robëria, një robëri e rëndë, na shkeli fashizmi, armiku më i madh yni dhe i njerëzimit. Lufta e madhe po pregatitej, po pregatitej kasaphana nga Hitleri dhe Musolini. Ne paguam haraçin e parë. Horizonti ndërkombëtar ishte i errët. Evropa armatosej me një ethe të tërbuar, për ne nuk u ngrit një zë, përveç britmave të popullit tonë të tradhëtuar nga qeveritarët e asaj kohe, britma që kërkonin armë për të luftuar italianët. Tradhëtia ishte e madhe. Dallaveraxhinjtë politikanë, spekulatorët ishin në këmbë, ata i dhanë dorë oku.patorit, u përqafuan për të shtypur popullin, për ta bërë raja, mish për top. Sistematikisht u punua prej fashizmit dhe tradhëtarëve që të shuhej çdo rezistencë, që të shuhej çdo ndjenjë patriotike, të shkelej nderi i vendit tonë, zakonet dhe gjuha të zhdukeshin, të kolonizohej Shqipëria dhe italianët të derdheshin nga vendi ynë mbi popujt fqinjë e mbi Bashkimin Sovjetik. Por në mes të një terrori të madh lindi rezistenca e madhe e popullit tonë, i cili u çua më këmbë për të fituar lirinë e grabitur. Përpara fashizmit barbar, i armatosur deri në dhëmbë me armët më moderne dhe i ndihmuar nga tradhëtarët, dualën gjokset e luftëtarëve tanë, ku buçiste ndjenja e Iirisë ku zemra ishte mbrujtur me një vullnet të hekurt e një vetëmohim të pafund. U çuan bijtë e popullit, që u dhimbej atdheu e që mbanin mbi supet e tyre vuajtjet, mjerimet, brengat e një populli të tërë. Shumë nga ata që në orët e para të luftës, ranë dëshmorë për atë popull që ata e donin aq shumë, ata ranë me këngë në gojë e të lumtur, se dinin përse luftonin dhe se me gjakun e me eshtrat e tyre ata do të ngrinin Shqipërinë re. Ky ishte zëri i kushtrimit dhe i alarmit që po i jepej popullit nga pararoja e saj e që i thoshte se vendi kërcënohej për vdekje, se duheshin rrokur armët, dhe me luftë të pamëshirshme e të paprerë të çlirohej atdheu.

Populli shqiptar e dëgjoi kushtrimin e djemve të tij, gjaku që po derdhej nëpër rrugët e qyteteve dhe të fshatrave ishte gjaku i tij, dhe populli rroku armët.

Lufta jonë e lavdishme nacional-çlirimtare filloi.

Ishte një luftë e pabarabartë, ishim pa armë, ishim të zbathur e me bark të zbrazët, por ishim të fortë, se luftonim për një çështje të madhe, luftonim për çlirimin popullit, për t'i dhënë këtij ditë të lumtura, për t'u hakmarrë mbi armikun, që kërkonte të na mbyste në gjak. Ishim një popull i vogël karshi një bishe të madhe; por ishim të fortë, se ushqenim në zemrat tona një urrejtje të madhe për ata që na shkelën vatrat e na grabitën pasurinë. Rrokëm armët dhe u hodhëm në luftë, se ishim të sigurt në fitore, se drejtësia ishte me ne, se në këtë luftë s'ishim vetëm. Gjithë bota përparimtare dhe antifashiste në një blok të shëndoshë ishte në luftë kundër të njëjtit armik, armikut të njerëzimit: nazizmit dhe fashizmit.

Tre vjet lufte të armatosur, faqesh glorioze të historisë së vendit tonë, faqesh të shkruajtura me gjakun më të kulluar të bijve dhe të vashave shqiptare. Lëvizja jonë nacional-çlirimtare u rrit e u forcua në një luftë të ashpër, të armatosur, në një luftë politike. Armiqtë ishin të fortë e dinakë, ata përdorën terror e demagogji, ata vunë të gjitha forcat për ta shuar rezistencën tonë. Tradhëtarët e vendit tonë, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Shefqet Vërlaci e gjithë kuislingët e tjerë, përdorën çdo taktikë për të përçarë popullin tonë; demagogjia e tyre ishte e fortë dhe në fillim një pjesë nga populli u mashtrua deri diku prej këtyre banditëve, vegla të verbëra dhe të përhershme të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Organizata e -Ballit Kombëtar», <-,Legalitetit » dhe gjithë organizatat e tjera terroriste u bënë arma aktive e okupatorëve dhe ato, me një egërsi të jashtzakonshme, u vërsulën tok me gjermanët mbi popullin dhe vranë e prenë në masë njerëz të pafajshëm, gra, pleq e kalamaj, grabitën e shnderuan.

Këta katilë lëshuan zjarr e vrer mbi lëvizjen tonë nacional- çlirimtare, mbi ushtrinë tonë, por lëvizja jonë nuk u thye, se ajo i kishte bazat të forta, se ajo ishte një lëvizje popullore, se ajo ishte një lëvizje demokratike përparimtare. Në Frontin tonë Nacional-Çlirimtar u grumbullua populli i ndershëm, populli që punon, populli që fiton bukën me djersë dhe jo me dallavere dhe me tradhëti. Fronti ynë Nacional-Çlirimtar grumbulloi gjithë elementët demokratë, pa dallim tendence politike dhe fetare, ai u bë trupi i shëndoshë dhe i përshtatshëm për t'i dalë mbanë kësaj pune të vështirë dhe të shenjtë. Ushtria jonë Nacional-Çlirimtare, që u rrit dhe u forcua në luftëra të përgjakshme, ishte ushtri e popullit, ku katundarët, punëtorët, intelektualët, të bashkuar si një trup, luftonin për një qëllim, për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri indipendente, për një demokraci popullore. Dhe pas tre vjet përpjekjesh heroike, pas kaq gjaku të derdhur, pas kaq vuajtjesh e sakrificash, ne dolëm fitues; ne thyem barbarin gjerman dhe shërbëtorët e tij tradhëtarë.

Gjatë këtyre tre vjet lufte. Fronti ynë Nacional-Çlirimtar u bë një realitet, u krijuan këshillat nacional- çlirimtare, organe të luftës dhe bazat e pushtetit dhe këto u forcuan e u bënë pushteti i vërtetë demokratik i popullit. Ky pushtet i ri popullor flaku tej pushtetin e vjetër, i cili u bë vegla qorre e okupatorit dhe e tradhëtarëve. Për krijimin e frontit dhe të pushtetit ranë kaq mijëra bij të Shqipërisë, të cilët me vetëmohim luftuan, se ishin të sigurtë për një të ardhme të lumtur të popullit tonë. Lëvizja jonë, me platformën politike të drejtë, i hapi popullit perspektiva të gjera, i tregoi këtij rrugën e fitores. Lëvizja jonë nacional-çlirimtare, që kishte për qëllim bashkimin e gjithë popullit shqiptar, me prova gjaku u përpoq t'u jipte të kuptonin të gabuarve se rruga që ndiqnin ishte e dëmshme për atdheun tonë. Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe Kryesia e Këshillit Antifashist të Shqipërisë, me thirrjen që u bënë elementëve që ndodheshin ende në radhët e armikut dhanë edhe një provë tjetër të gjallë të qëllimeve të lëvizjes sonë.

Pas tre vjet përpjekjesh heroike, pas kaq gjaku të dërdhur, ne dolëm fitimtarë. Armiku gjakpirës gjerman u shporr prej gati gjithë vendit tonë, u thyen bandat e reaksionarëve, shkaktarët e vëllavrasjes, dhe sot 28 Nëntori festohet me një entuziazëm të papërshkrueshëm nga populli shqiptar, i cili e fitoi lirinë me gjak. Sot në Tiranën e çliruar, pas një lufte të ashpër, rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sot në kryeqytetin e Shqipërisë së lirë e demokratike dhe në gjirin e atij populli heroik, që qëndroi i patundur në pararojën e luftës sonë, që masakrat e gjermanëve dhe të tradhëtarëve nuk e përkulën, por e forcuan më tepër, erdhi Qeveria Demokratike e Shqipërisë.


Popull shqiptar,

Lufta jonë ngadhnjimtare e ngriti lart prestigjin e vendit tonë, bëri të nderohet emri i Shqipërisë dhe i shqiptarit nga bota përparimtare, bëri që të flitet për ne me respekt, se ne i qëndruam dhe do t'i qëndrojmë besnikë aleancës së madhe të blokut antifashist, se ne derdhëm gjak si rrëke përkrah aleatëve tanë që luftonin me heroizëm për të shpëtuar njerëzimin nga thonjtë e nazizmit gjerman.

Lufta jonë heroike ishte e lidhur ngushtë me luftën e aleatëve tanë të mëdhenj: Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Amerikës, ishte e lidhur ngushtë me luftën e popujve të robëruar. Në përpjekjet tona ne kishim një besim të patundur në fitore, se kishim mbështetjen e madhe të aleancës anglo-sovjeto-amerikane.

Kur Ushtria e Kuqe lavdiplote, e udhëhequr nga strategu i madh i kohërave moderne, Mareshali Stalin, dërmonte pa mëshirë hordhitë hitleriane, çlironte tokat e saja dhe ngadhnjimtare po marshon drejt Perëndimit për sulmin vendimtar mbi kështjellën e fundit hitleriane, në popullin tonë përtëriheshin edhe shumëzoheshin energjitë e luftës, shtohej forca dhe besimi.

Fitoret e shkëlqyera të Ushtrisë së Kuqe ishin dhe fitoret tona e të botës mbarë, se ato ishin faktori kryesor i shkatërrimit të nazizmit. Në saje të këtyre fitoreve, luftërat nacional-çlirimtare të popujve të robëruar u forcuan; këto fitore të Ushtrisë së Kuqe ndihmuan ardhjen e kësaj dite që sot ne po e festojmë kaq madhnisht. Dhe populli ynë i vogël, por i pathyer, u drejton popujve heroikë të Bashkimit Sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe famëmadhe mirënjohjen e tij të pafund.

Në këtë luftë të madhe, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk u përkulën përpara nazizmit gjerman, ato luftuan dhe luftojnë me trimëri për kauzën e përbashkët. Lufta e tyre në det, në tokë e në ajër, që i shkakton kaq dëme maqinës luftarake gjermane, është një ndihmë e çmueshme për popullin tonë. Hapja e frontit të dytë dhe shpartallimi i rezistencës gjermane në Francë do të thotë shpejtim i fitores së fundit.

Në Luftën e tij nacional-çlirimtare, populli ynë ka pasur përkrahje nga lufta heroike e popujve të Jugosllavisë.

Popujt tanë fqinjë e vëllezër që në ditët e para të okupacionit të tyre u hodhën në një luftë të vendosur çlirimtare. Ushtria jonë dhe ajo jugosllave po derdhin gjakun krah për krah në fushat e Kosovës dhe të Metohisë: ushtarët tanë e jugosllavë po lidhin plagët e shoqi-shoqit në beteja të ashpra kundër të njëjtit armik dhe me gjak po .mbruhet miqësia; brigadat tona, që kanë marrë urdhër të mos lënë të dalë gjallë këmbë gjermani nga vendi ynë, po kapërcejnë në Mal të Zi, ku së bashku me brigadat jugosllave do t'i japin fund rezistencës gjermane në këto vise. Me gjak e me vuajtje po lidhet miqësia në mes të popullit tonë dhe popujve të Jugosllavisë. Ne u çojmë në këtë ditë feste të madhe për vendin tonë përshëndetjet tona popujve vëllezër të Jugosllavisë.

Me popullin fqinjë grek kemi luftuar dhe derdhëm gjak së bashku, i kemi lidhur plagët shoqi-shoqit në këtë luftë të përbashkët antifashiste, dhe dëshira jonë është që kurdoherë t'i kemi marrëdhënjet të mira me këtë popull bujar. Me keqardhje shënojmë se bandat shoviniste dhe reaksionare të Zervës po martirizojnë minoritetin shqiptar, u grabitin këtyre pasurinë dhe i nxjerrin jashtë truallit të tyre. Elementë të Zervës tinëz kalojnë kufirin tonë dhe na vrasin e na gjakosin partizanët tanë. Akte të tilla ne nuk do t'i tolerojmë.

në vendin tonë. Kryeministri grek Papandreu ka shfaqur pretendime aneksimi mbi krahinat tona të Gjirokastrës dhe të Korçës, mbi Vorio-Epirin, si i pëlqen ta quajë ai. Pretendime të tilla natyrisht nuk lehtësojnë marrëdhënjet e mira rrie fqinjët e Jugut. Kufitë tanë janë të padiskutueshëm, se brenda tyre s'ka përveçse toka tona, toka që na kanë lënë stërgjyshërit dhe që i kemi vaditur me gjakun tonë. Askush nuk do të guxojë të na i prekë, se ne do të dimë t'i mbrojmë.

Minoritetit grek në Shqipëri lëvizja jonë nacional-çhrimtare i ka dhënë të drejta të barabarta me ato të popullit shqiptar. Qeveria Demokratike e Shqipërisë do t'i garantojë minoritetit grek në vendin tonë liritë dhe të drejtat demokratike dhe nacionale, për të cilat kanë luftuar heroikisht në brigadat nacional-çlirimtare djemtë e minoritetit.


Popull shqiptar,

Sot po hapet një faqe tjetër e historisë sonë, një faqe që është në dorën tonë ta bëjmë dhe do ta bëjmë po aq të lavdishme, sa edhe luftën tonë kundër okupatorit, dhe kjo është lufta për rindërtimin e Shqipërisë, për ngritjen e ekonomisë, për ngritjen e kulturës dhe të arësimit të popullit tonë, për ngritjen e nivelit shoqëror, ekonomik dhe politik të tij. Lëvizja jonë ndërmori në momente të kritikshme atë luftë vigane e të pabarabartë dhe doli fitimtare, se populli ynë u bashkua si një trup rreth Frontit Nacional-Çlirimtar. Lëvizja jonë nacional-çlirimtare do të ndërmarrë edhe këtë luftë të dytë dhe do të dalë fitimtare, se këtë gjë na e kanë lënë amanet ata që ranë në fushën e nderit, se kjo është jeta e tërë popullit dhe e ardhmja e tij. Nazistët gjermanë dhe tradhëtarët kanë mbjellur kob e zi në vendin tonë, krahina të tëra janë djegur, është shkretuar bujqësia, është dëmtuar shumë ekonomia e vendit, me mijëra familje janë jashtë pa strehë dhe pa bukë, duhen çelur shkollat, duhet ruajtur shëndeti i popullit. Të gjitha këto detyra të rëndësishme do t'i kryejmë, në qoftë se ne forcojmë pushtetin tonë dhe në pushtet do të sjellim ata njerëz që u dhimbet populli.

Prandaj na vihet përpara detyra që të japim çdo gjë për pushtetin, këtë ta bëjmë të fortë, dhe që të mund t'i kryejë këto detyra vitale rreth pushtetit të mobilizohet i gjithë populli. Të forcojmë Frontin tonë Nacional-Çlirimtar dhe ky të grumbullojë të gjithë tonën, ta lidhë ngushtë me pushtetin dhe ta bëjë konshient të detyrave që i vihen përpara. Duhet të kuptojmë edhe këtu, ashtu si e kuptuam në luftën e armatosur, se për t'i kryer këto detyra, për t'i dhënë popullit një jetë më të lumtur dhe më të begatshme duhet që populli i tërë të jetë faktori i kësaj vepre të madhe.

Asnjë shqiptar i ndershëm të mos mbetet jashtë frontit, asnjë energji të mos vejë kot. Me rastin e festës së 28 Nëntorit, me rastin e çlirimit të Tiranës, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë bën një amnisti të përgjithshme për të gjithë pjesëtarët e «Ballit Kombëtar>,-, të «Legalitetit» dhe të organizatave të tjera që bashkëpunonin me okupatorin; përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë kriminelët e luftës, ata që kanë vrarë, djegur, shnderuar dhe plaçkitur pasurinë e popullit. Ky është një fakt tjetër që dëshmon qëllimet e larta të lëvizjes nacional-çlirimtare, të asaj lëvizjeje që luftoi dhe do të luftojë për popullin, të asaj lëvizjeje që ka për princip drejtësinë më të madhe.

E gjithë Shqipëria të jetë një kantier pune, ku i madh dhe i vogël të kuptojë se nuk punon për të huajt, por punon e ndërton vendin e tij. Për atë vend që s'kursyem as jetën nuk duhet të kursejmë djersën dhe mundin tonë. Duhet të vëmë tërë forcat që ushtria jonë, faktori i madh i këtyre sukseseve, të forcohet dhe të bëhet një ushtri moderne me tërë kuptimin e fjalës.

Ajo të jetë mbrojtësja e vërtetë e popullit dhe e pushtetit të tij. Për ta përmbushur këtë detyrë kryesore duhet që ushtrinë tonë ta bëjmë një ushtri konshiente dhe politike, se vetëm kësisoj ajo do të jetë në gjendje ta mbarojë luftën me suksesin më të madh dhe të bëhet mburoja e gjallë e interesave të popullit.


Popull shqiptar,

Frytet e luftës tënde heroike duhet t'i mbledhësh vetë, se ty të përkasin, ti i ke paguar me gjak. Që të mos na i rrëmbejnë dhe të na i vjedhin hajdutët, spekulatorët, intrigantët dhe politikanët dallaveraxhinj, ata që janë mësuar të rrojnë në kurrizin tonë dhe që na kanë pirë gjakun, të shtërngojmë radhët tona më fort se kurrë, të grumbullohemi të gjithë rreth pushtetit, rreth frontit, rreth Qeverisë Demokratike dhe kështu të bashkuar të shkojmë drejt objektivave të dëshiruara, që janë përmirësimi i jetës sociale dhe ekonomike të vendit tonë.


Rroftë Shqipëria e lirë demokratike!


Rroftë populli shqiptar!


Rroftë Ushtria Nacional-Çlirimtare!


Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj: Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Amerika!


Rroftë vëllazërimi i popujve liridashës të Ballkanit!


Rroftë populli heroik i Tiranës!


Enver Hoxha

 

 

 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi