Shqipe

 

"TA MBAJME GJITHNJE LART FLAMURIN E LENINIT"


ENVER HOXHA

 

Fjala e hapjes në mbledhjen solemne me rastin e 100-vjetorit të lindjes së V.I.Leninit

21 prill 1970

 

Të dashur shokë e shoqe,

Jemi mbledhur sot të festojmë 100-vjetorin e lindjes së Vladimir Iliç Leninit, të mendimtarit gjenial dhe revolucionarit të madh, strategut të lavdishëm të Revolucionit Socialist të Tetorit, mësuesit dhe udhëheqësit të urtë të proletariatit botëror.

Jeta e Leninit, idetë e tij, veprimtaria e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tërë historinë e madhe të epokës sonë, me kthesat rrënjësore që kanë ndodhur gjatë këtyre njëqind vjetëve në fatet e proletariatit dhe të popujve të botës. Shekulli ynë i njëzetë është shekulli i leninizmit.

Marksi dhe Engelsi kishin parashikuar shkencërisht përmbysjen e kapitalizmit dhe ndërtimin e shoqërisë socialiste. Idetë e tyre, mësimet e tyre Lenini i zhvilloi më tej dhe i realizoi në praktikë. Revolucioni socialist në Rusi, i konceptuar dhe i udhëhequr drejtpërdrejt nga Lenini, shënoi fillimin e epokës së re të njerëzimit.

Historia ka njohur shumë udhëheqës të shquar dhe revolucionarë të mëdhenj, por janë të paktë ata, idetë dhe vepra e të cilëve të ruajnë atë vitalitet dhe aktualitet të pashuar, siç janë idetë dhe vepra e Leninit.

Ato kanë përfaqësuar e do të përfaqësojnë edhe në të ardhmen fanarin ndriçues të rrugës revolucionare të proletariatit, busullën e pagabueshme, burimin e pashtershëm të frymëzimit për ta çuar gjithnjë përpara, nga fitorja në fitore, kauzën e madhe të komunizmit.

Duke festuar 100-vjetorin e lindjes së Leninit, ne nuk nderojmë dhe madhërojmë vetëm njeriun, i ciii ka dhënë një kontribut që s'ka të krahasuar në krijimin e teorisë dhe të praktikës së socializmit shkencor.

Me Leninin e leninizmin janë të lidhur edhe historia e Partisë sonë, çlirimi i popullit shqiptar nga prangat e robërisë fashiste dhe të feudoborgjezisë vendëse, fitorja e revolucionit dhe ndërtimi i socializmit në Shqipëri.

Partia jonë lindi leniniste, luftoi e fitoi me flamurin e Leninit e të nxënësit të tij besnik, Stalinit, marshon ngadhënjimtare në rrugën leniniste.

Lenini e leninizmi për komunistët e popullin shqiptar nuk kanë qenë kurrë simbole dhe dogma të thata, as edhe një eksperiencë që i përket vetëm së kaluarës. Qëndrimin tonë ndaj tyre ne e kemi kuptuar dhe e kuptojmë si një detyrë dhe obligim për t'u qëndruar besnikë frymës dhe esencës revolucionare të leninizmit, për të luftuar me vendosmëri e pa pushim për ruajtjen e pastërtisë së tij nga sulmet e të gjithë e deri në fund revolucionin në vendin tonë, për të forcuar internacionalizmin proletar dhe unitetin e vërtetë marksist-leninist të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, pse vetëm kështu Shqipëria do të rrojë në shekuj e lirë, e pavarur, e fortë, socialiste dhe komuniste.

Askush si Lenini nuk ka zhvilluar një luftë të ashpër, konsekuente e parimore kundër ideologjisë borgjeze e oportuniste, si jashtë, ashtu edhe brenda radhëve të klasës punëtore, askush si Lenini nuk ka goditur me aq forcë antikomunistët e hapët, si dhe ata që antikomunizmin e tyre mundoheshin ta vishnin me frazeologji marksiste ose ta lyenin me bojë socialiste. Tradhtia e përbindshme e revizionistëve modernë, me ata sovjetikë në krye, e sidomos degjenerimi i Bashkimit Sovjetik në një shtet borgjez imperialist, e theksojnë edhe më shumë aktualitetin e kësaj lufte. Mësimet dhe qëndrimet e Leninit ndaj oportunizmit marrin një rëndësi të dorës së parë për çdo revolucionar, për çdo parti të vërtetë komuniste.

Imperialistët, borgjezia e madhe dhe reaksioni ndërkombëtar tani u bien daulleve me sa fuqi kanë dhe përpiqen që degjenerimin revizionist ta kalojnë si leninizëm, t'ia atribuojnë leninizmit, gjoja «paaftësisë» së tij për të transformuar botën e vjetër dhe për të ndërtuar një shoqëri të re. Revizionistët e të gjitha ngjyrave, me ata sovjetikë në krye, nga ana tjetër, për të mbuluar tradhtinë e oportunizmin e tyre, mundohen ta zhveshin Leninin e leninizmin nga fryma e tyre revolucionare, t'i shtrembërojnë e t'i mistifikojnë ata.

Të dyja palët dalin në një rrugë dhe punojnë për një qëllim: të minojnë revolucionin, të shkatërrojnë socializmin dhe të skllavërojnë përjetë klasën punëtore.

Por leninizmin, trashëgiminë revolucionare të Leninit, flamurin që ngriti ai, nuk mund t'i mposhtë asgjë, asnjë dhunë, asnjë tradhti, asnjë demagogji. Lenini e leninizmi jetojnë dhe triumfojnë kudo, në Shqipëri ku ndërtohet me sukses socializmi, në valët e revolucioneve e të luftërave çlirimtare që kanë përfshirë kontinentet e Azisë, Afrikës e Amerikës Latine, në hovin e ri revolucionar të klasës punëtore e të masave punonjëse të Evropës e të Amerikës kapitaliste. Idetë e Leninit e vepra e tij frymëzojnë dhe udhëheqin luftën e vendosur që marksistë-leninistët dhe gjithë revolucionarët zhvillojnë sot kundër revizionistëve modernë në të katër anët e botës. Ato qëndrojnë si një zjarr i ndezur, gati të shpërthejë në flakë, edhe në zemrat e klasës punëtore e të punonjësve të vendeve

revizioniste, që vuajnë nën zgjedhën e uzurpatorëve e të renegatëve.

100-vjetori i Leninit është një frymëzim i ri, i madh për të mësuar te Lenini, për të luftuar si ai, për ta ngritur gjithnjë e më lart flamurin e tij. Në këtë shprehet para së gjithash e mbi të gjitha edhe besnikëria ndaj leninizmit.

Le të na shërbejë ky jubile i lavdishëm për të forcuar edhe më tepër Partinë e shtetin tonë proletar, për ta bërë edhe më të bukur e më të lulëzuar atdheun tonë socialist, për ta mbajtur gjithnjë lart, të pastër e krenar flamurin e Leninit e të komunizmit në Shqipëri!

Le të japim kontributin tonë në luftën e të gjithë komunistëve dhe të popujve revolucionarë të botës që luftojnë kundër imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik e shërbëtorëve të tyre!

Le të buçasë sot edhe më fort kushtrimi revolucionar i Leninit: ."Proletarë të të gjitha vendeve dhe popuj e kombe të shtypur, bashkohuni!», le të rritet e të forcohet gjithnjë e më shumë lufta kundër imperializmit, revizionizmit e reaksionit, për fitoren e revolucionit e të socializmit kudo në botë!

Botuar për herë të parë në gazetën «Zëri i popunit », nr. 95 (6759), 22 prill 1970

Botohet sipas librit:Enver Hoxha. « Raporte e fjalime 1969-1970 ,., f. 325. Tiranë, 1970

 

 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi