Shqipe

 

 


RAPORT NE KONGRESIN E 5-TE TË PPSH

1966

III
FORCIMI I METEJSREM I PARTISE DHE I ROLIT UDHEHEQES TE SAJ

 

I. — Të përmirësojmë vazhdimisht përbërjen dhe shtrirjen e Partisë, të ruajmë pastërtinë


Partia, po, do t'i ketë dyert të mbyllura për armiqtë e klasës dhe për ata që s'e meritojnë, por ajo i ka dyert e hapura për gjithë bijtë e popullit tonë heroik, për gjithë ata që jetën e tyre duan t'ia kushtojnë çështjes së madhe të revolucionit, të komunizmit, të marksizëm-leninizmit.

Punës për ruajtjen e pastërtisë së radhëve të Partisë dhe për forcimin e Partisë si cilësi, organizatat e komitetet e Partisë duhet t'i kushtojnë kujdes jo vetëm për sa u përket pranimeve, por edhe kalitjes dhe edukimit të mëtejshëm të komunistëve që sot militojnë në radhët e Partisë.

Anëtarët e Partisë sonë revolucionare duhet të jenë besnikë ndaj mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndaj Partisë dhe popullit tonë. Kjo do të thotë që ata kurdoherë duhet të jenë revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit, të vendosur deri në vdekje për t'u shërbyer Partisë dhe popullit në çdo moment, në çdo rrethanë, të gatshëm për çdo sakrificë që mund t'u kërkohet në emër të interesave të revolucionit e të socializmit.

Komunistët duhet të jenë të pajisur me një disiplinë të çeliktë e të ndërgjegjshme, me një vullnet të hekurt për zbatimin e vijës së Partisë, të ligjeve të shtetit, për respektimin e zakoneve të mira të popuIlit. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ata të jenë zbatues mekanikë të direktivave. Komunisti në punën e tij duhet të jetë krijues, ai duhet të thellohet në esencën ideologjike, politike e konkrete të vendimit të Partisë, të ligjit të shtetit dhe në përshtatje me kushtet në të cilat vepron, të organizojë punën që ato të zbatohen me sukses jenë të ndërgjegjshëm se qenia në Parti nuk sjell e nuk mund të sjellë as më të voglin privilegj personal për komunistin. Ajo sjell vetëm detyra të mëdha, të vështira dhe me përgjegjësi. Kush mendon ndryshe, kush përpiqet që me teserën e Partisë t'i krijojë vetes, familjes së tij ose dikujt tjetër privilegje, qofshin këto materiale ose morale, ai për asnjë çast nuk meriton nderin e madh për të qenë anëtar i Partisë.

Komunisti duhet të jetë i lidhur ngushtë me masat, të dëgjojë me vëmendje e respekt zërin e tyre, të jetojë e të punojë me masat, të njohë pulsin e hallet tyre, të qëndrojë në krye të masave e t'i udhëh.eqë ato. Ai duhet të jetë armik i papajtueshëm i mendjemadhësisë, i arrogancës, i frymës së komandimit, i hatëreve dhe i akraballëqeve, i çdo përçmimi e nënvleftësimi të masave e .të punës së tyre, të luftojë me guxim kundër kujtdo që shfaq tendenca të tilla në dëm të interesave të punonjësve, të Partisë e të shtetit tonë socialist.

Anëtar i mirë dhe konsekuent i Partisë sonë është ai që ka kurdoherë parasysh dhe e zhvillon pa frikë luftën e klasave, si jashtë Partisë, ashtu edhe brenda radhëve të saj, duke u mbështetur fort në parimet bazë të marksizëm-leninizmit e të vijës së Partisë. Ai duhet të dijë të dallojë, pas një analize të drejtë dialektike, të mirën nga e keqja, të rrezikshmen nga më pak e rrezikshmja, të dijë të përdorë metodat më të përshtatshme të edukimit e të bindjes dhe më në fund ato të shtypjes. Anëtar i mirë dhe revolucionar i Partisë është ai që me punën e me sjelljen e tij u fiton besimin dhe dashurinë njerëzve, që i edukon dhe i shpëton ata që gabojnë dhe që godet pa mëshirë dhe me urrejtjen më të madhe ata që janë të pandreqshëm e shoqërisht të rrezikshëm, armiqtë e popullit dhe të Partisë.

Çdo komunist duhet të pajiset me një vigjilencë me të vërtetë revolucionare, për mbrojtjen e vijës së Partisë dhe të pastërtisë së idealeve të saj. Anëtari i Partisë duhet të karakterizohet nga një drejtësi e kuIluar, pa njolla në ndërgjegjen dhe në veprimet e tij, të jetë parimor, të mos fshehë kurrë të metat e gabimet e tij, por t'i kritikojë vetë, pa pritur që t'ia vënë në dukje të tjerët. Vetëm kështu ai është në gjendje të kritikojë më mirë të metat e shokëve, të mbajë ngritur vigjilencën dhe të korrigjojë të tjerët me shembullin e tij, me pastërtinë e tij, me luftën e tij të drejtë.

Komunisti revolucionar duhet të punojë me një ndërgjegje të lartë atje ku e ka caktuar dhe ku ka nevojë Partia, duke vënë kurdoherë e mbi të gjitha interesin e përgjithshëm. Ai nuk duhet të pajtohet kurrë me një gjendje të sëmurë të shkaktuar nga konkluzionet dhe nga vendimet jo të drejta të ndonjë forumi të Partisë ose të pushtetit dhe as me gabimet ose me arbitraritetin e ndonjë funksionari.

Cilësitë e sipërme, të cilat janë të mishëruara në shumicën e anëtarëve të Partisë sonë, duhet të bëhen shprehi për gjithë komunistët shqiptarë. Pa këtë nuk mund të ruhet e gjallë fryma revolucionare në Parti, pa këtë as mund të flitet për revolucionarizimin e jetës së vendit tonë. Prandaj, gjithë vëmendja e komiteteve dhe e organizatave-bazë të Partisë duhet të përqendrohet te kalitja e vazhdueshme e komunistëve.

Organizatat e Partisë duhet të jenë shumë këmbëngulëse në këtë drejtim. Në radhët e tyre duhet të përgatiten e të militojnë revolucionarë konsekuentë, komunistë të vendosur që të meritojnë plotësisht nderin e madh të anëtarit të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Rruga e drejtë për kalitjen e anëtarëve të Partisë është pjesëmarrja e tyre sa më aktive në punën ndërtimtare, puna e tyre këmbëngulëse dhe e vazhdueshme për t'u edukuar politikisht e ideologjikisht. Këtu, në punën dhe në luftën e përditshme, në hovin revolucionar të masave, në përpjekjet për zbatimin dhe për mbrojtjen e vijës së Partisë, do të dallohen dhe do të rriten revolucionarët konsekuentë, do të dalin mbi ujë të mefshtët, ata që zënë qoshet dhe rrojnë me ëndërrimet e së kaluarës, që mburren me të dhe kërkojnë privilegje, do të rrëzohen të këqijtë, ata që gabimisht janë futur në Parti. Partia secilit duhet t'i japë atë që meriton. Të parët duhet t'i përkrahë, t'i inkurajojë, t'i edukojë që të ecin gjithnjë përpara. Të dytët duhet t'i ndihmojë, t'u hapë sytë që të shohin se në ç'pozitë të papëlqyeshme kanë rënë, t'i sqarojë se kjo pozitë nuk përputhet me detyrën dhe rolin e revolucionarit, prandaj ata duhet sa më parë të braktisin moçalet, të shkrihen në hovin revolucionar të përgjithshëm, të vihen në radhët e para të luftëtarëve të shquar. Të tretët duhen flakur nga Partia si të padenjë për të bërë pjesë në radhët e saj.

Në luftën për të rritur cilësinë e radhëve të tyre organizatat e Partisë duhet të tregojnë një kujdes të madh për anëtarët e Partisë me stazh dhe me luftë të madhe. Ky është thesari i Partisë, që duhet të ruhet i paprekshëm dhe i pastër si sytë e ballit. Partia duhet të punojë edhe me këta, t'i edukojë edhe këta, që të qëndrojnë kurdoherë si revolucionarë konsekuentë derisa të vdesin. Ata edhe në ditët e fundit të jetës së tyre duhet të vazhdojnë të luftojnë heroikisht për çështjen e Partisë, me aq sa kanë mundësi, sepse ka e do të ketë të atillë që fizikisht do të plaken. Ky është ligj. Por, për ne komunistët është ligj dhe bëhet ligj gjithashtu, që, shpirtërisht, derisa të vdesim, të qëndrojmë e të luftojmë si revolucionarë. Kujdesin e vet për këta shokë Partia nuk duhet ta tregojë duke u fërkuar krahët, por duke i ruajtur, duke i aktivizuar në punë të vazhdueshme revolucionare. Partia duhet t'i respektojë dhe t'i dojë sinqerisht ata për luftën e tyre, por ajo nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë që këta shokë, me një të kaluar të mirë partie, të kthehen në parazitë, në mendjemëdhenj, në arrogantë ose që të kërkojnë privilegje të paligjshme për veten dhe për njerëzit e tyre. Kjo është mjaft e rrezikshme, pse krijon në Parti shtresa të privilegjuara me mbeturina mikroborgjeze, të huaja për klasën dhe ideologjinë proletare.

 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi