Shqipe

 

SHTEPIA E KULTURES TE VLOJE SI NJE ZGJUA BLETESH


Nga fjala në shtëpinë e kulturës të Tepelenës me rastin e inaugurimit të saj


27 tetor 1963



Të dashur shokë dhe shoqe, motra dhe vëllezër të Tepelenës.

Ne sot, duke marrë pjesë në inaugurimin e shtëpisë së bukur të kulturës të qytetit tuaj, patëm nderin dhe gëzimin e madh të presim shiritin e saj. Prandaj, para së gjithash, në emër të Komitetit Qendror të Partisë ju sjellim përgëzimet dhe urimet më të përzemërta juve, popullit heroik të Tepelenës dhe të gjithë shokëve komunistë të rrethit tuaj për këtë vepër me një rëndësi të madhe për zhvillimin e artit dhe të kulturës në rrethin tuaj! E gëzofshi këtë vepër të re!

Me këtë rast dua të përgëzoj gjithashtu organizatën e Partisë të rrethit tuaj, udhëheqjen e saj, Komitetin e Partisë dhe byronë e saj, që kanë vënë gjithë kujdesin e tyre për t'i dhënë popullit të Tepelenës sa më shpejt këtë vepër të bukur të Partisë e të pushtetit popullor.

Dëshiroj të përgëzoj gjithashtu shokun tonë të dashur, Shefqet Peçi, i cili, duke pasur edhe shumë punë të tjera, ka treguar një kujdes dhe interesim të veçantë për rrethin tuaj, për qytetin e Tepelenës, po kështu edhe për ngritjen e kësaj shtëpie të kulturës, që porsa e inauguruam.

Dua të përgëzoj nga zemra edhe punëtorët dhe teknikët tanë të mrekullueshëm, që me aq shije dhe pasion e ndërtuan këtë shtëpi kulture. Puna e tyre, duke përfshirë qindra e mijëra ndërtime që ata kanë bërë dhe po bëjnë në vendin tonë, është një vepër arti e vërtetë që nderon ndërtimet tona.

Të dashur vëllezër dhe motra, shokë dhe shoqe, Aq sa ka rëndësi ushqimi për trupin e njeriut aq rëndësi ka për njeriun e sotëm edhe ushqimi i mendies, dituria dhe kultura. Njeriu mund të rrojë duke ngrënë e duke pirë, po në rast se nuk pajiset me dituri e me kulturë, nuk mund të bëjë një jetë me të vërtet njerëzore, që të jetë e dobishme për vete dhe për shoqërinë.

Prandaj Partia jonë me politikën dhe me vijën e saj të mbështetur në teorinë tonë, marksizëm-leninizmin, këto dy drejtime të rëndësishme për jetën e njeriut i ka parë njësoj dhe ka vënë të gjitha forcat që të zhvillohen krahas njëra-tjetrës, në mbështetje e në ndihmë të njëra-tjetrës. Ndryshe ne nuk mund të kishim këtë përparim dhe këtë hov që ka marrë Republika jonë Popullore, nuk mund të ndërtonim me kaq sukses socializmin. Mbani mend se sa me ngulm e vazhdimisht na ka porositur Partia të gjithë, rininë, burrat, gratë e të moshuarit: të mësojmë dhe vazhdimisht të mësojmë, se pa mësim, pa kulturë nuk mund të ndërtohet socializmi, nuk mund të ecet përpara. Dhe populli ynë, jo vetëm trim, por dhe i zgjuar, i mençur e heroik, ishte i etur për arsim e për kulturë aq sa ishte i etur edhe për liri e për pavarësi.

Ju e dini se si ka luftuar populli ynë në shekuj.

Si të gjithë popujt e tjerë, populli shqiptar ka pasur edhe ai një kulturë të vetën të lashtë, që ka historinë e vet, ashtu sikurse ka pasur historinë e vet edhe kultura e popujve të tjerë.

Dihet se në historinë e njerëzimit ka pasur popuj që janë zhdukur e janë asimiluar prej të tjerëve dhe kanë rënë në honin e harresës me gjithë kulturën që kanë pasë krijuar. Më vonë pas shumë e shumë shekujsh dijetarë të ndryshëm, duke bërë gërmime, kanë zbuluar qytetërimin e tyre të lashtë që e kishte mbuluar hiri i shekujve. Popuj të tjerë u kanë rezistuar kohërave, pavarësisht nga dallgët dhe nga furtunat e mëdha të shekujve. Por ka pasur momente kur kultura e disave merrte hov dhe e të tjerëve ecte mengadalë.

Edhe kjo kishte arsyet e saj. Me zhvillimin e ekonomisë dhe, pra, edhe të shoqërisë, disa popuj u zhvilluan më shpejt, u bënë më të fuqishëm, u imponuan kulturën e tyre edhe të tjerëve, disa prej të cilëve i asimiluan, por disa nuk mundën t'i asimilonin dot. Mirëpo disa nga popujt sundues përfituan nga kultura e popujve që nënshtruan, gjë që ndihmoi në zhvillimin e kulturës së tyre, e cila u pasurua me kulturën e atyre popujve mbi të cilët ata u vërsulën me dallgë të njëpasnjëshme gjatë historisë.

Populli shqiptar është një popull me kulturë të lashtë.

Po vallë a e dimë, a e kemi zbuluar ne, a e ka zbuluar plotësisht shkenca, arkeologjia jonë tërë kulturën e lashtë të popullit shqiptar? Jo, nuk e ka zbuluar.

Në historinë e popujve ekzistojnë disa çështje të cilat sa janë prekur, disa çështje të tjera kanë influencuar pozitivisht në kulturën e popujve të tjerë. Këtogjëra historia i shkruan, po shumë prej tyre akoma nuk i shpjegon dot. Për shembull, për sa i përket prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët, ka debate, disa thonë jo, disa po. Historianët dhe poetët e mëdhenj të antikitetit grek, si Tuqididi, Homeri etj., në veprat e tyre përmendin shumë emra malesh e lumenjsh që janë me origjinë ilire. Si ndodh kjo? Dihet se populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të Ballkanit dhe të Evropës. Kjo do të thotë se grekët kanë ardhur dhe kanë gjetur vendës këtu, të cilët ata i quanin «barbarë», jo me kuptimin e njerëzve të egër, por të huaj për ta dhe këta «barbarë», pellazgët, siç i kanë quajtur vetë autorët antikë, kanë influencuar në kulturën e lashtë të grekëve të vjetër.

Le të marrim një popull tjetër të përmendur përpara romakëve, etruskët. Ata kanë pasur një kulturë të lashtë të zhvilluar. Bota e di si rronin ata, si i punonin tokat, si i mësonin fëmijët, si luftonin e si mbroheshin, si i varrosnin të vdekurit etj. Ky popull rronte në gadishullin italian, në veriperëndim të Romës. Aty afër janë bërë zbulime të mëdha në varrezat, në pikturat dhe në shkrime të tëra të tyre. Këto shkrime i kanë parë të gjithë, po nuk dinë t'i deshifrojnë. Shkenca botërore ka zbuluar e ka zbërthyer shkrimet e popujve të ndryshëm që kanë jetuar 4 gjer 6-7 mijë vjet përpara, duke filluar nga deshifrimi i kuneiformeve e gjer te hieroglifet, por shkrimet në gjuhën etruske nuk i deshifrojnë dot, nuk gjejnë se prej ç'gjuhe vijnë. Shkencëtarët italianë thoshin se populli etrusk ka luftuar dhe 'ka influencuar në kulturën romane. Për sa i përket prejardhjes së tij ka shumë teori: disa thonë vijnë nga veriu, disa të tjerë nga jugu, disa thonë nga Ballkani, ku banonin edhe ilirët, po kur vjen puna te gjuha e tyre, të gjithë heshtin. Tani së fundi ka dalë një historian francez që merret me studimin e historisë së popujve të vjetër. Ai ka bërë një libër të madh që është përkthyer në disa gjuhë evropiane. Ky e shpjegon gjuhën e etruskëve me gjuhën shqipe dhe është i bindur se ka bërë një zbulim me rëndësi. Me gjuhën tonë ai shpjegon shkrime të monumenteve etruske që janë gjetur.

Natyrisht ky zbulim, do të sjellë, po të vërtetohet akoma më tej dhe shkencërisht, një revolucion mbi këtë problem. Sot për sot, kundër tij janë ngritur një shumicë e madhe shkencëtarësh që tërë jetën e tyre kanë mbrojtur teza të tjera. Shkencëtari francez, për të cilin e kam fjalën, natyrisht, ka mbrojtësit dhe kundërshtarët e tij në Evropë e gjetkë. Sidoqoftë këtë çështje ua lëmë shkencëtarëve ta thellojnë. Unë desha të theksoj se populli shqiptar është popull me kulturë të madhe e të lashtë. Ne kemi besim se të gjitha monumentet e kulturës së tij do të zbulohen e do të vërtetohen, se qysh tani që jemi nga fillimi i kësaj pune po vërtetohen të dhëna me rëndësi të madhe për sa i përket kulturës së popullit shqiptar.

Dimë se ilirët janë stërgjyshërit tanë të vjetër. Nga ana e gjuhës dhe e arkeologjisë mund të vërtetosh prejardhjen e popujve të vjetër. Tani pushteti ynë popullor i është vënë me kujdes zbulimit të gjuhës së vjetër të stërgjyshërve tanë të lashtë, po kemi zbuluar edne objekte jashtëzakonisht interesante e të bukura të bëra IIIe gusto dhe me shije të lartë nga ilirët, gjë që provon se nuk kemi qenë një popull i humbur që rronte i vetmuar dhe bashkë me kafshët e egra siç thonë disa.

Nëpërmjet këtyre zbulimeve ne shohim jetën e popullit tonë si rronte, si mendonte, si punonte. Zbulimet tregojnë se populli ynë ka pasur një kulturë të tijën të veçantë.

Më vonë, pas dyndjes romake, në vendin tonë u ngritën qytete të tjera, të ndërtuara me stilin romak, të frymëzuara nga kultura e romakëve. Po në to ne shohim edhe karakteristikat dhe dorën e stërgjyshërve tanë, gjë që vërteton se në kulturën e Romës, e cila zotëronte, ekzistonte edhe kultura e popullit tonë. Skulpturat, arkitektura, stolisjet etj. në veprat e ndërtuara në Apolloni, në Butrint, në Durrës etj. në pjesën më të madhe ishin ilire. Në veprat e kulturës romake, po brenda kuadrit të saj, shohim edhe tiparet e shëndosha karakteristike të artit dhe të kulturës shqiptare.

Më vonë populli shqiptar ka jetuar nëpër dallgë të reja, po në të gjithë zhvillimin dhe në të gjitha etapat e historisë së vet shihet konkretisht kultura e tij. Kjo është e gjallë më shumë në folklorin tonë, në këngët, në kanunet tona jo brenda 100 ose 200 vjetëve, po qysh 600-700 vjet më parë. Shqiptarët jo vetëm nuk a shuan dot nga pushtuesit, po shohim që ata kanë përfituar nga çdo rast për të shprehur dufin e tyre në këngët, në vallet, në veshjet etj. Të gjitha këto përbëjnë një pjesë të mirë të krijimtarisë, të artit dhe të kulturës së popullit tonë gjatë shekujve.

Populli ynë ishte i vogël dhe pikërisht këtu qëndron merita e qëndresës dhe e kulturës së tij. Të gjitha këto pikëpamje ne i shprehim në frymën internacionaliste, joshoviniste dhe për të ulur të tjerët, po në mënyrë marksiste themi se populli i vogël shqiptar ka bërë përpjekje për të jetuar i lirë, i qytetëruar dhe për të zhvilluar kulturën e tij kombëtare, me gjithë shtypjen e tmerrshme që ka rënduar mbi të gjatë shekujve.

Fakti është që ky popull i vogël dhe kultura e tij nuk u asimiluan dot nga pushtuesit, ai nuk pati fatin e shumë popujve të tjerë që i quajnë «çatia e botës», siç ishin popujt e Mesopotamisë, shuinerët, asirët etj. Në këtë vend janë bërë zbulime të mrekullueshme, por këta popuj, sado të mëdhenj e të fortë që ishin, gjatë dyndjes së popujve të tjerë u zhdukën, kurse populli ynë i vogël jo vetëm nuk u zhduk, po në shekujt e mëvonshëm ai nxjerr edhe njerëz të mëdhenj që detyruan botën e qytetëruar të flasë me admirim për shqiptarët.

Borgjezia kapitaliste, me ndjenjat e saj skllavëruese, me shovinizmin e saj të tërbuar, është përpjekur si e si ta paraqesë popullin tonë si një popull që nuk meriton të jetojë i lirë dhe ushqente mendimin që Shqipërinë ta copëtonte në mes Greqisë, Serbisë dhe Italisë. Kundër popullit shqiptar kurdiseshin jo vetëm komplote të këqija, po për sa i përket gjuhës dhe kulturës së tij veprohej sikur ato as që ekzistonin fare në botë, dhe kjo nga njerëz që hiqeshin të kulturuar.

Po ka pasur edhe njerëz të mëdhenj në botë që kanë njohur dhe kanë folur për meritat e popullit tonë.

Një nga filozofët më të mëdhenj të Francës të shekullit të 18-të, Volteri, në veprën e tij «Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve», midis të tjerash, thotë: «Historia botërore mund të kishte marrë një rrugë tjetër, po qe se në vend të perandorëve të zhburrëruar bizantinë, do të kishin qëndruar Skënderbeu dhe shqiptarët».

Një nga poetët më të mëdhenj francezë, i shekullit të 16-të, Ronsar, në njërën nga sonetet e tij më të bukura që ia ka dedikuar Skënderbeut thotë: «O nder i shekullit tënd, o shqiptar fatos, krahu i të cilit njëzet e dy herë turqit i shkatërroi». Në Çekosllovaki gjen edhe sot në muret e një kishe të shekullit të 17-të portretin e Skënderbeut.

Skënderbeu përfaqësonte aspiratat, dëshirat, qëllimet dhe jetën e një populli. Nuk dua të hyj në histori, por fakti është se shumë popuj e vende në shekullin e 15-të i kishin sytë nga Shqipëria e vogël, që ishte bërë gardh i pakapërcyeshëm për Perandorinë Turke, që kërcënonte qytetërimin evropian dhe kristianizmin. Me siguri nëpër arkivat e ndryshme mund të gjenden shumë e shumë gjëra të pazbuluara. Këto kanë mbetur kështu, sepse regjimi i urryer dhe injorant i bejlerëve dhe i feudalëve ishte një regjim obskurantist, i errësirës dhe i skllavërisë mesjetare. Ashtu si në mesje W dominonte ligji i kishës që shtypte çdo përparim, ashtu edhe regjimi satrap i Zogut shtypte popullin dhe as që interesohej fare për arsimin dhe për kulturën e tij.

Vetëm kur populli shqiptar, nën udhëheqjen e Partisë, u çlirua dhe mori pushtetin në duart e veta u hapën horizonte të mëdha për arsimin dhe për kulturën në Shqipëri. Partia u dha një hov të madh arsimit dhe kulturës, si zhvillimit të kulturës së re, ashtu dhe rivlerësimit të kulturës së vjetër të popullit tonë, duke e spastruar nga ndikimet negative të vjetra e të huaja dhe duke vënë në dukje vlerat e mëdha të kulturës sonë të lashtë. Ajo që është bërë gjer tani, është vetëm fillimi i një pune që synon të nxjerrë në dritë kulturën dhe të kaluarën e popullit tonë. Këtë do ta bëjë Partia, por kjo është një punë e madhe që nuk mund të bëhet brenda një dite. Çështja është që pasuritë kulturore që ekzistojnë dhe që njihen, Partia i ka nxjerrë në dritë, është duke i seleksionuar e duke i sistemuar në mënyrë marksiste-leniniste, duke i pasuruar me gurë të çmuar nga kultura e re e epokës së Partisë, që së bashku ndritin si një gjerdan i bukur xhevahiri në gjirin e popullit tonë. Ndryshe nuk mund të bëhej. Vetëm një parti marksiste-leniniste mund t'i bënte këto transformime rrënjësore brenda një kohe kaq të shkurtër në atdheun tonë. Po në ç'drejtime?

Së pari, lidhur me historinë e popullit tonë, punonjësit e vendit tonë dinin fare pak gjëra për veten e tyre, kurse për gjyshërit e stërgjyshërit e tyre dinin gjëra shumë të thjeshta. Tani nuk është më ashtu, tani ata e dinë historinë e popullit rnë gjerësisht. Ata dinë jo vetëm emrat e figurave të ndritura të popullit tonë, por edhe veprat e tyre. Nëpërmjet veprave të Samiut, Naimit, Koto Hoxhit ose të rilindasve të tjerë, ne shohim lëvizjen e një populli të tërë me ndjenjat e me shijet e tij, me gëzimet, me shpresat e me hidhërimet e tij. Kështu shkruhet e zbulohet historia e popullit tonë në forma me të vërtet realiste, marksiste-leniniste. Kjo ka një rëndësi kolosale, jo vetëm për të treguar lavdinë dhe madhështinë e të parëve tanë, po edhe për t'u frymëzuar prej tyre për të ndjekur rrugën e tyre, për ta ndërtuar këtë kulturë akoma më të shkëlqyer. Dhe kështu ka vepruar Partia jonë.

Nuk i harroi për asnjë moment Partia luftërat shekullore të popullit shqiptar kundër turqve dhe satrapëve të tjerë, por i nxori dhe i vuri në dukje. Partia, shokë, gjeti në gjirin e popullit tonë një thesar të madh:

trimërinë, guximin, heroizmin, e këto virtyte i trashëgoi e i zhvilloi më tej. Prandaj Partia dhe populli ynë janë të pamposhtur. Por ne nuk e kemi zbuluar dhe nuk e kemi mësuar akoma të gjithë të kaluarën e pasur të popullit tonë. Gjer tani është bërë një punë me rëndësi, por kemi akoma shumë e shumë për të bërë dhe për të mësuar.

Shumë prej nesh këtu kanë dëgjuar dhe dinë diçka.

për Ali Pashë Tepelenën, por shumë të tjerë dinë fare pak gjëra. Ali Pashë Tepelena ka lindur këtu. Ai ka pasur meritat dhe gabimet e tij, ishte me të vërtet feudal, por ishte njeri i zgjuar, ishte diplomat i shquar dhe dinak i madh. Ai u përpoq të bashkonte gjithë vendin në.

një shtet të vetëm të shkëputur nga Perandoria Turke.

Kjo tregon se, nga një pikëpamje, ai ka qenë përparimtar.

Në qoftë se ai u binte pashallarëve turq, që të krijonte shtetin e tij në Shqipëri, kjo ka qenë një etnirë, se krijimi i pushtetit të Aliut do të thoshte të bashkoheshin rreth tij të gjithë shqiptarët, gjë që për atë kohë ishte përparimtare. Ali Pasha orvatej të krijonte atë që bëri disa shekuj përpara Skënderbeu, që të gjithë shqiptarët të lidheshin së bashku për t'i rezistuar pushtuesit të huaj. Aliu, me zgjuarsinë e tij, donte të zhdukte feudalët e tjerë që i bindeshin sulltanit dhe të vendoste dominimin e tij kundër Portës së Lartë. Ai i ra pashait të Beratit, ish-agjent i francezëve, që ta likuidonte e ta merrte vetë fuqinë. Aliu ishte në luftë edhe me Napoleon Bonapartin se ky e pengonte të pushtonte Pargën, Artën dhe Prevezën për t'i pasur në sundimin e tij dhe për t'u lidhur me Bushatllinjtë e Shkodrës në Veri. Napoleoni ka pasur një mendim të mirë për Ali Pashën si njeri të zgjuar. Ky, për të realizuar planin e tij, kur Korfuzi ishte pushtuar nga francezët, e futi në xhep gjeneralin francez Donzelo, që e lejoi Aliun të futej në Pargë, në Artë dhe në Prevezë. Kështu Napoleoni e kritikoi gjeneralin e tij, po edhe i tha të bashkëpunonte me Aliun, veç të ruhej të mos futej në kurthin e tij si njeri fort dinak që ishte.

Partia e ka studivar dhe e ka vënë në dukje mirë dhe drejt historinë e popullit, historinë e famshme të Skënderbeut, në të cilën ka ngjarje të shkëlqyera dhe gjëra që nuk i gjen kurdoherë në historinë e feudalëve të vendeve të tjera, që është e mbushur me një frymë mesjetare. Ne mburremi me figurën e Skënderbeut, se është një figurë e madhe e historisë botërore. Historianët e mëdhenj të huaj, francezë, italianë, polakë kanë Ihkruar për këtë figurë të madhe tek e cila duken cilësitë e larta dhe jo zakonet e egra të feudalëve gjermanë, francezë, italianë etj. Kjo është një pjesë e madhe fondamentale e kulturës së popullit shqiptar.

Një çështje tjetër me rëndësi të madhe për ne është ajo e letërsisë. Të gjithë i dini vjershat dhe poemat e Naimit dhe të shumë poetëve të tjerë, që na kanë frymëzuar, na kanë forcuar, na kanë prekur e na kanë dhënë më tepër guxim të luftojmë për idealin e madh të popullit tonë që Partia diti aq mirë ta kalitë.

Mbani mend kur ishim akoma të vegjël dhe këndonim me dashuri vjershat dhe shkrimet e këtyre shkrimtarëve, kur këndonim vjershën «Shko dallëndyshe» të Shirokës që i thoshte të shkonte në Shkodër e të shihte varrin e nënës dhe të babait. Të gjithë mallëngjeheshim dhe na gufonte zemra për atdheun. Po Partia u dha shkëlqim të madh këtyre veprave dhe brezin e sotëm e këshillon të frymëzohet prej tyre, të frymëzohet nga ngjarjet e Luftës Nacionalçlirimtare, nga veprat dhe nga puna e popullit për ndërtimin e socializmit.

Brenda një kohe të shkurtër ne shohim se letërsia jonë, poezia, këngët, veprat artistike kanë marrë zhvillim të madh, janë shumëzuar e janë zbukuruar.

Kjo është një nga degët më të rëndësishme të kulturës sonë, të cilën Partia po e zhvillon përpara me vrull.

Mburret Turqia me shqiptarin e flaktë dhe patriotin e shquar Sami Frashërin. I kemi kërkuar qeverisë turke të na dorëzonte eshtërat e këtij patrioti, të këtij filozofi të madh po na u përgjigj: «Naimin jua dhamë, po Samiun jo».

Ne e dimë që Samiu është një patriot i shquar, po është njëkohësisht edhe një historian i madh, një nga ata që kanë lëvruar në mënyrë shkencore gjuhën turke.

Gjer më sot në shkollat dhe në universitetet e Turqisë akoma fjalori i Samiut është më i miri dhe më i madhi.

Këta njerëz të mëdhenj i kujtojmë dhe i nderojmë, u jemi atyre mirënjohës se kanë luftuar e kanë punuar në kohë shumë të vështira, kanë luftuar dhe janë shkrirë për Shqipërinë, për popullin shqiptar. Dhe Partia jonë shkon në rrugën e tyre.

Natyrisht të punoje për të mirën e atdheut në ato kohë nuk ishte e lehtë, por edhe inë vonë për popullin tonë kohët kanë qenë gjithashtu jashtëzakonisht të vështira. Armiqtë kanë qenë edhe më të egër e të armatosur gjer në dhëmbë, ata donin të na zhduknin nga faqja e dheut. Po ky popull heroik, që nuk iu përkul stuhisë së shekujve, gjeti më së fundi udhëheqjen e sigurt te Partia e Punës e Shqipërisë, që i prin vazhdimisht përpara. Gjaku i popullit tonë u derdh si rrëke, u vranë shumë bij e bija luftëtarë, krahina të tëra na u dogjën, por të gjitha këto sakrifica nuk shkuan kot, ato duheshin bërë se pa to populli shqiptar kërcënohej të zhdukej, të shuhej. Në saje të gjakut që u derdh dhe të vijës së drejtë të Partisë, popullit shqiptar tani i janë çelur të gjitha rrugët dhe nuk ka pengesë që ta ndalë vrullin e Partisë dhe të popullit, nuk ka armik të na kthejë nga rruga jonë e shkëlqyer. Të gjithë ata që do të përpiqen të na vënë gurë në rrotat tona, do të dështojnë, do të shkatërrohen, sepse tani ne rrojmë në shekullin e leninizmit.

Në kohët e para për hiçgjë shpallej luftë në mes shteteve të mëdha. Kjo kishte shumë arsye. Por nuk mund të guxonte kurrë një popull i vogël jo si yni, por edhe sikur 15 milionë të ishte, të thoshte një të vërtetë kundër një fuqie të madhe imperialiste, sepse menjëherë i turreshin luftanijet, e sulmonin dhe e likuidonin rezistencën e tij kundër imperialistëve. Kurse sot, në shekullin e leninizmit, një Shqipëri e vogël u qëndron si kala imperializmit amerikan, italian, gjerman, anglez etj., si dhe revizionistëve hrushovianë dhe pasuesve të tyre. Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Shqipëria ngre lart zërin e së vërtetës, zërin e kthjellët të popullit shqiptar. Kështu armiqtë pëlcasin, kurse miqtë na duartrokasin, vëllezërit na duan. Dhe miqtë e Shqipërisë shtohen nga dita në ditë, prestigji i Republikës Popullore të Shqipërisë rritet.

Kjo shtëpi kulture, sikurse thashë, duhet të shfrytëzohet plotësisht nga ju, në radhë të parë, por dhe ne do t'ju ndihmojmë. Shtëpia e kulturës që inaugurojmë sot, po të mbetet vetëm si një stoli sa për zbukurimin e qytetit, nuk ka vlerë, ajo duhet të bëhet si një zgjua bletësh ku të vlojnë puna ë aktivitetet e ndryshme. Part: a ka b2sim të plotë se ju të tillë do ta bëni këtë institucion të rëndësishëm, ku të zhvillohen plot aktivitete.

Veprimtaria e saj nuk duhet kuptuar që të krijohet vetëm një orkestrinë, të shfaqet një skeç ose një numër estrade, apo të mësojnë disa djem e disa vajza për pikturë.

Këto do të ishin një veprimtari e pjesshme e saj. Përveç këtyre të zhvillohet një aktivitet i vrullshëm edhe në drejtime të tjera, për shembull, të diskutohen e të shpjegohen në forma të ndryshme, në mënyrë të organizuar, duke filluar që nga historia e popullit tonë, çështjet e bujqësisë, të arkeologjisë, të gjeologjis. Të letërsisë, si poezitë, romanet, çështjet politike etj. Mos mendoni se një shtëpi kulture e vërtetë do të punojë vetëm me dy, tre apo disa kuadro që do të emërohen këtu. Jo, kjo nuk duhet kuptuar kështu. Kjo shtëpi kulture duhet të merret në dorë e të udhëhiqet nga Partia.

Të gjithë banorët e Tepelenës, në radhë të parë ata që kanë një kulturë më të zhvilluar, të gjejnë kohë dhe të punojnë këtu. Shokët e Partisë duhet të kenë parasysh që në këtë drejtim të aktivizojnë njerëzit e klasës punëtore, të cilët, me aftësitë që kanë, do t'i çojnë përpara aktivitetet kulturore, dhe, nga ana tjetër, do të ngrenë lart nivelin e tyre ideopolitik. Dhe ju në rrethin tuaj keni një bërthamë të mirë të klasës sonë punëtore, heroike dhe të kulturuar. Intelektualët tanë popullorë, mësuesit, teknikët e dalluar dhe punonjësit pararojë të bujqësisë, gratë e dalluara të rrethit, duhet të luajnë rolin e tyre vendimtar për ta bërë këtë shthpi kulture ashtu si e do Partia.

Konkretisht, për të realizuar një gjë të tillë, duhet vepruar kështu:

Këtu keni një shkollë të mesme, keni mësuesit e saj dhe të 7-vjeçareve, që janë të ndarë sipas profileve, si për histori, për gjeografi, për gjeologji, për botanikë, për letërsi etj., etj. Sikur të gjithë këta të marrin përsipër të propagandojnë vetëm atë që u thonë nxënësve në shkollë dhe të flasin këtu gjysmë ore kur bëjnë ndonjë mbledhje kooperativistët, njerëzit që do të dalin pas këtij takimi, do të jenë të gëzuar, se kanë mësuar shumë gjëra që nuk i kanë ditur më parë. Kështu, këta lektorë, fare lehtë dhe me një përpjelkje jo shumë të madhe, duke njohur mirë ambientin, duke njohur mirë gjendjen kulturore të masave, mund ta trajtojnë mjaft mirë një epokë të historisë ose një ngjarje të luftës sonë dhe ta bëjnë shumë interesante me shembuj të marrë nga eksperienca jonë, po edhe nga eksperienca e kulturës së madhe botërore.

Duhet të kuptojmë një gjë dhe të mos e harrojmë.

Kultura botërore është thesar i madh i gjithë njerëzimit.

Njëherë një shpikësi të madh i thanë që ti je njeri i mrekullueshëm. Ai u përgjigj: «Jam i mrekullueshëm se i kam vënë këmbët mbi supet e gjigantëve të tjerë dhe nëse unë e bëra këtë shpikje, kanë punuar shumë të tjerë përpara meje dhe unë u bazova mbi punën e tyre, prandaj arrita të bëj këtë shpikje që ju e quani të mrekullueshme». Kështu edhe populli ynë nuk ka lindur e nuk ka jetuar i vetmuar gjatë shekujve, por bashkë me gjithë popujt e tjerë, prandaj atij, përveç kulturës dhe diturisë së të parëve të tij; i intereson shumë edhe jeta dhe kultura e popujve të tjerë.

Pra, që shkenca, kultura, bujqësia e çdo sektor tjetër të ecin përpara, me duhet të njohim e të mësojmë të gjitha anët e mira e të dobishme të shkencës, të kulturës e të artit të popujve të tjerë. Mësuesit e pedagogët, sidomos, që kanë një horizont kulturor më të gjerë duhet të bëjnë një punë të madhe për zhvillimin e kulturës në masë. Jo vetëm ata, por edhe nxënësit duhet të organizohen e të kënaqin veten e tyre dhe popullin duke dhënë shfaqje këtu, në shtëpinë e kulturës, duke organizuar mbrëmje muzikore, teatrale etj. Kështu, kur salla të jetë e mbushur plot me punëtorë ose me fshatarë, shfaqjet e tyre do t'i kënaqin këta, në radhë të parë, do t'u lehtësojnë atyre lodhjen nga puna, po një kohësisht do t'u mbushin edhe zemrën e mendjen me dashuri për Partinë, për atdheun, do t'u japin njohuri të reja mbi ato që nuk i dinë, do t'u hapin horizontin nj erëzve.

Shikoni sa të bukura janë këngët dhe kostumet tona!

Ju keni këtu nxënës të klasave të dhjeta e të njëmbëdhjeta, të cilët mendoj se janë fare mirë në gjendje që, duke u bazuar në ato që kanë mësuar, të trajtojnë në një shfaqje të tyre, për shembull, një periudhë të caktuar të historisë, janë në gjendje t'u shpjegojnë fshatarëve tanë nga se shkaktohen tërmetet, ata fare lehtë mund t'u flasin për bimësinë etj. Ju keni një eksperiencë të madhe praktike, por do t'ju vijë mirë të dëgjoni edhe djemtë e vajzat tuaja t'ju flasin këtu e t'ju tregojnë edhe ata, për shembull, për zbulimet e reja të shkencës dhe, me siguri, do të dilni të kënaqur nga salla.

Dua të flas pak edhe për përdorimin e librave, të literaturës. Të gjithë në familje duhet të lexojnë gazetat, romane etj. Por edhe këtu në shtëpinë e kulturës ka një bibliotekë dhe një bibliotekar. Që gazeta, artikulli mbi bujqësinë, romani etj. të kuptohen më mirë, është e nevojshme që Partia ta organizojë mirë punën për shfrytëzirnin dhe për përvetësimin e literaturës.

Kështu, për shembull, këtu, në shtëpinë e kulturës, në një orë të caktuar mund të vijë një mësues ose vetë punonjësi i bibliotekës, i cili do t'u shpjegojë të interesuarve, që mund të jenë punëtorë, nxënës, shoqe etj. brendinë e romanit apo të një artikulli. Kështu njerëzve u hapen perspektiva, sqarohen problemet që i preokupojnë. Të gjitha këto duhet të përbëjnë aktivitetin e shtëpisë së kulturës, përveç pastaj teatrit, estradës, grupeve folkloristike etj., në të cilat ju keni traditë dhe mund të bëni shumë.

Natyrisht këto aktivitete në fillim nuk do të jenë të shkëlqyera, por të jeni të bindur se përparimi do të vijë. Ku ishim përpara e ku jemi sot! Duke u bazuar tek e sotmja, këta diletantë që do të dalin, do të bëhen jo vetëm artistë të shquar, këngëtarë, humoristë e dramaturgë të mirë, por do të jenë edhe njerëz me kulturë të madhe që, kur të interpretojnë, të tronditin ndjenjat e spektatorëve, të frymëzojnë tek ata guximin, trimërinë, ndjenjën e dhembshurisë, të dashurisë, të drejtësisë dhe të urrejtjes për armiqtë.

Pra, në të gjitha drejtimet duhet të punoni ju, po dhe ne duhet t'ju ndihmojmë. Partia patjetër do t'ju ndihmojë dhe vetëm kështu, me punë të palodhur, ne do të përparojmë dhe do ta bëjmë këtë shtëpi kulture një vatër të zjarrtë që, në këto fshatra e në këto male ku është derdhur gjak e ku nuk mungon heroizmi dhe zgjuarsia, të mos ketë asnjë shenjë rapambetjeje nga ana kulturore, përkundrazi kultura të bëhet si pishtar dhe të ndrisë. Kjo do të jetë një vepër patriotike nga më të mëdhatë. Shtëpia juaj e kulturës le të bëhet si dielli që lëshon rreze mbi këto fshatra. Në to ka vatra kulture, le të gjallërohen ato, të ketë emulacion midis tyre, në mënyrë që grupet më të mira të vijnë të japin shfaqje në Tepelenë. Edhe shokët e Minierës së Memaliajt të punojnë e të organizojnë aktivitete të ndryshme, të vijnë t'i shfaqin këtu dhe të frymëzojnë me shembullin e tyre në çdo drejtim kooperativistët dhe fshatarët e Tepelenës. Çdo vatër kulture në fshatra të zhvillojë veprimtarinë e saj rreth shtëpisë së kulturës së Tepelenës dhe kjo t'i ndihmojë ato për t'i dhënë një forcë të madhe zhvillimit të kulturës, të bujqësisë, të minierave në rrethin tuaj, malor, blegtoral e heroik, ku rron një popull trim, i zgjuar dhe i vendosur gjer në vdekje për çështjen e madhe të popullit dhe të Partisë.

Më poshtë, pasi foli për disa çështje të gjendjes ndërkombëtare dhe të lëvizjes komuniste, për tradhtinë e N. Hrushovit dhe grupit të tij ndaj marksizëm-leninizmit, për pikëpamjet dhe për veprimtarinë e tyre thellësisht revizioniste e përçarëse, për revolucionin që ecën përpara, për vijën e drejtë që ndjek Partia jonë në mbrojtje të marksizëm-leninizmit, të internacionalizmit proletar, të socializmit e të komunizmit, shoku Enver Hoxha tha:

Me zhvillimin ekonomik ne jemi mirë. Kjo tregon se vija e Partisë edhe në ekonomi është e drejtë. Bujqësia sivjet është mirë me gjithë dimrin e madh që bëri.

Sot shohim arat dhe fushat e bukura të sistemuara e të bonifikuara, traktorët e panumërt, fshatarët që janë bashkuar në kooperativat bujqësore, sa e sa toka qilizëm, shohim të shtohen çdo vit të mbjellat, ullinjtë, portokallet, blegtorinë që përparon e që populli ynë e ka dashur kurdoherë dhe e ka përmirësuar vazhdimisht me bagëti të racës, shohim fshatarin të mësojë agroteknikën moderne dhe ta zbatojë këtë me një zell të madh etj. Të gjitha këto tregojnë se Partia i ka pajisur njerëzit e popullit tonë me kulturë edhe në këtë fushë të rëndësishme jetike. Vetëm gruri nuk na u bë si duhet, po në saje të mobilizimit të madh të Partisë dhe të popullit misrin, pambukun, panxharin, lulediellin, ullinjtë i kemi mirë dhe besojmë se do të marrim prodhime të kënaqshme. Vështirësi të mëdha nuk kemi pasur, furnizimi i popullit ka qenë normal. Kjo është një bazë e mirë për të ecur si kurdoherë përpara. Po nuk duhet të kënaqemi me kaq. Sukseset tona në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha, por ato që janë arritur gjer më sot, janë një bazë e shëndoshë për më tej. Dimrin e ardhshëm ne nuk do të kemi vështirësi se Partia ka siguruar çdo gjë për popullin.

Ne shikojmë edhe industrinë tonë si po zhvillohet, në mënyrë të vrullshme. Njerëzit tanë ndërtojnë dhe drejtojnë vepra kolosale, makineri të komplikuara.

Edhe këto tregojnë se Partia ka përgatitur njerëz me kulturë. Njerëzit e rinj të Shqipërisë, të kalitur nga Partia, janë njerëz të denjë të kohës, trashëgimtarë të denjë të njerëzve të mëdhenj që ka nxjerrë populli ynë gjatë shekujve të kaluar, shumë breza para nesh. Planet tona, pra, edhe në industri realizohen. Kjo do të thotë që klasa punëtore dhe kuadrot e saj janë në pararojë dhe kanë fituar zotësi, eksperiencë e dituri dhe zgjidhin çdo problem, realizojnë e tejkalojnë planet. Natyrisht ka edhe të meta e vështirësi, por me përpjekjet, me luftën dhe me punën e Partisë ato do të kapërcehen.

Fakti është që planet tona realizohen jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në arsim e kulturë, bile në mënyrë shumë të kënaqshme. Në shkollat tona dhe nëpër kurse mësojnë shumica dërrmuese e punëtorëve, mësojnë edhe fshatarët, me shkëputje e pa shkëputje nga puna. Të gjithë kanë një dëshirë të madhe për mësim, e kanë kuptuar që mësimi është kyçi që hap çdo derë, ai lehtëson punën, përmirëson prodhimin, ul koston, zbukuron jetën.

Të luftojmë që të zhdukim të metat në punën tonë, të forcojmë organizimin e punës për vitin e ardhshëm dhe pastaj edhe për vitin tjetër, vitin e fundit të pesëvjeçarit të tretë. Dy vjetët e fundit të këtij pesëvjeçari janë shumë të ngjeshur, veçanërisht me ndërtimet e fabrikave të mëdha, që nga prodhimi i plehrave azotike e gjer te metalurgjia e shkrirjes së hekurit në Elbasan, si dhe një numër fabrikash e veprash të tjera, të cilat janë kolosale dhe do të na ndihmojnë për forcimin më të madh të industrisë së vendit tonë.

Ne duhet të mobilizohemi totalisht që ndërtimin dhe montimin e tyre t'i realizojmë si sahat, për të mirën e popullit tonë dhe të dalim faqebardhë.

Prandaj, shoqe dhe shokë të dashur, në saje të Partisë, të zotësisë, të zgjuarsisë, të mençurisë së saj, që është sinteza e zotësisë, mençurisë, zgjuarsisë dhe pjekurisë së popullit, e brumosur me ideologjinë tonë të marksizëm-leninizmit, është bërë e mundur që ne të korrim të gjitha këto fitore të mëdha. Këto fitore nuk i ka korrur puna e një, dy, pesë, njëqind apo dhjetë mijë vetave, por puna, zgjuarsia dhe uniteti i çeliktë marksistleninist i të gjithë popullit tonë të udhëhequr nga Partia. Populli dhe Partia janë të bashkuar si grushti, si në kohën e luftës ashtu edhe tani gjatë viteve të ndërtimit të socializmit. Dora e Partisë është e butë dhe e ëmbël për njerëzit e popullit, por grusht i hekurt dërrmues për armiqtë e saj e të popuIlit, të jashtëm e të brendshëm. Në mes të Partisë dhe

popullit ekziston një unitet i çeliktë. Të gjitha këto janë fitore kolosale ku armiqtë kërkojnë të na godasin.

Po ata nuk ia kanë arritur dhe nuk do t'ua arrijnë kurrë qëllimeve të tyre, se Partia jonë ka kalitur një popull me ndjenja të pastra e të forta patriotike, se gjatë gjithë luftës së saj Partia ka krijuar udhëheqjen e saj të pajisur me mësimet e marksizëm-leninizmit, me shpirtin e flaktë të patriotizmit, me qartësinë e perspektivës dhe me besimin në fitoren dhe në rrugën tonë të drejtë. Prandaj nuk ka intrigë në botë që ta çajë unitetin e çeliktë midis Partisë dhe popullit shqiptar.

Këtë unitet, që është thesari më i vyer si për Partinë dhe për popullin tonë, drita e lumturisë sonë, ta ruajmë si sytë e ballit. Gjithmonë kemi pasur sigurinë dhe shprehim bindjen se kështu do të jetë kurdoherë: komunistët dhe populli i rrethit të Tepelenës kanë qenë e do të jenë farkëtues e roje vigjilente të këtij uniteti.

Ju uroj, shokë e shoqe, me gjithë zemër, në emër të Partisë së Punës, të Komitetit Qendror, të Qeverisë dhe timin, suksese të mëdha në punën tuaj! Ju uroj të gjithëve ju, shokë, shëndet të plotë, ju uroj mëmave, shoqeve, fëmijëve tuaj lumturi dhe punë të mbarë! Të jeni të sigurt se Partia është kurdoherë me ju, për t'ju dhënë ndihmën në çdo vështirësi.


Partia është juaja, ju jeni të Partisë!


Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë!


Të rrojë populli trim i rrethit të Tepelenës!


Botohet për herë të parë, me disa shkurtime, sipas origjinalit që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë

 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi