Shqipe

 

FJALIM NË KONGRESIN E PARË TE RINISË

ANTIFASHISTE SHQIPTARE

8 gusht 1944


Kongresi i parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare zhvilloi punimet nga 8-17 gusht 1944 në fshatin Helmës të Skraparit.

Në kongres merrnin pjesë 285 delegatë që përfaqësonin rininë e zonave të çliruara dhe të paçliruara dhe të të gjitha reparteve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Në kongres përfaqësohej gjithashtu edhe lëvizja e pionierëve të Shqipërisë.



Shokë dhe shoqe të Rinisë Antifashiste Shqiptare!


Ju përshëndes nga zemra në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe në emër të Komitetit

Antifashist Nacional-Çlirimtar.

Kur hordhitë e Musolinit u vërsulën mbi tokat tona për të na skllavëruar dhe për të na zhdukur si popull, për (të na përdorur si mish topi për interesat e tyre imperialiste, rinia e vendit tonë, ajo rini që nën regjimin mesjetar dhe grabitës të Zogut nuk ishte përkulur kurrë, u bë shkëndija e parë që !i dha zjarr luftës sonë çlirimtare. Në ditët e para të robërisë ju kemi parë të ndjenit dhe të mendonit si njerëz të pjekur, si njerëz që u dhimbej atdheu dhe liria, si njerëz që parashikonit një përleshje të përgjakshme, ku do të luhej fati juaj, fati i popullit tonë, fati i gjithë njerëzimit, i kërcënuar nga fashizmi gjerman e italian. Ju kemi :parë me fytyra të vrëjtura, por me zemrat lart, të armatosur me vullnetin e çelniktë dhe me një guxim të patreguar të hidheni nga punëtoritë, nga parmendat, nga bankat e shkollës, në demostratat e para të qyteteve. Ju kemi parë të vërsuleni mbi mitralozat e armikut dhe të tradhëtarëve me një guxim të patregueshëm, të gjakoseni, të vriteni, të kaloni mbi kufomat e shokëve tuaj, por të shkoni gjithmonë përpara për mbrojtjen e popuIlit e të atdheut.


Rinia e vendit tonë, krenaria e popullit shqiptar, u hodh me mish e me shpirt në luftën e përgjakshme, ajo dha dëshmorët e parë heroikë dhe tregoi që në f Ilimin e robërisë se, me gjithë terrorin e tmerrshëm fashist dhe pa pasur ende armët në dorë, ajo ishte e vendosur të luftonte, ajo dinte përse luftonte dhe se në hovin e saj ngadhnjimtar s'kish fuqi që ta ndalonte. Kur Partia Komuniste e Shqipërisë lëshoi zërin e kushtrimit për të shpëtuar atdheun tonë të dashur nga kthetrat e fashizmit, rinia shqiptare qe e para që ju përgjegj thirrjes së saj, që u hodh e para në luftë, mbushi njësitet guerrile të qyteteve dhe të maleve, të përbëra nga bijtë më të zgjedhur të popullit tonë, mbushi batalionet partizane, të cilat u zmadhuan në brigada e divizione e që sot përbëjnë Ushtrinë tonë të rregullt N.-Çl.


Shokë të rinj dhe shoqe të reja!

Kjo ishte një barrë e rëndë për supet tuaja të njo- ma, por ju ditët që në këtë luftë të vështirë. mbinjerëzore dhe të pabarabartë, në momentet më të vështira të kombit tonë, të tregoni se jeni bij të denjë të këtij populli heroik, që ka luftuar shekuj me radhë për liri dhe indipendencë. Ju keni treguar në luftëra të përgjakshme shembuj të panumërt heroizmi, flijimi dhe vetëmohimi, dhe për këtë keni fituar zemrat e popullit shqiptar, admirimin e botës mbarë.

Okupatorët italianë dhe gjermanë me gjithë bashkëpunëtorët e tyre, tradhëtarët e vendit, s'u gabuan në vendimet e tyre gjakësore për të luftuar Rininë Anti-fashiste Shqiptare me çdo mjet e me çdo kusht, sepse ata parashikonin forcën e gjallë dhe të papërkulshme të kësaj rinie, e cila do t'i godiste pa mëshirë dhe pa kursim. Prej tyre u përdorën metodat më barbare, demagogjia dhe terrori, përkëdhelia dhe mashtrimi, korruptimi i perfeksionuar i regjimit fashist, por të gjitha vanë bosh. Rinia Antifashiste trime e vendit tonë i shqelmoi planet e tyre djallëzore. Të rinjtë tanë u internuan, u burgosën, u torturuan, u pushkatuan, u vunë në litar, por nuk u përkulën. Ju jeni dëshmitarët e torturave të padëgjuara as në mesjetë, jeni shembull i vendosjes përpara masave çnjerëzore dhe njëkohësisht shembulli i gjallë i sakrificës, gjë që ka ngjallur entuziazmin dhe admirimin e popullit tonë. Torturat, vuajtjet dhe gjaku i derdhur e çelnikosën rininë tonë, e bashkuan si një trup rreth Frontit N.-Çl., rreth Ushtrisë N.-Çl. Tradhëtarët Mustafa Merlika dhe këlyshët e tij, kuislingu Mehdi Frashëri dhe xhelatët e tjerë, «Balli Kombëtar» i Mithat Frashërit, i Ali Këlcyrës, «Legaliteti» i Bazit Canës dhe i Zogut, të shitur kokë e këmbë te okupatori dhe armiqtë e betuar të rinisë sonë. morën mësimin e merituar nga ajo rini, të cilën ata kërkonin ta bënin veglën e tyre për të shtypur popullin shqiptar, për ta hedhur në vëllavrasje me vëllezërit e tyre që luftonin në radhët e Ushtrisë N.-Çl., për ta bërë mjet të verbër për të sjellë në Shqipëri regjimet e vjetra, barbare dhe shtypëse.

Por jo, as italianët, as gjermanët, as kuislingët, as tradhëtarët e "Ballit Kombëtar" dhe të «Legalitetit» nuk mundën ta futnin rininë shqiptare në kallëpet e tyre të poshtra, ta helmatisnin me metodat e tyre fashiste e shoviniste, ta çonin në rrugën e shkatërrimit të të gjitha principeve të shoqërisë përparimtare. Rinia jonë u tha atyre, mjaft! Ajo e zgjodhi përnjëherësh rrugën e lavdishme të denjë për të, dha gjatë kësaj rruge të vështirë dhe të përgjakshme heronjtë e rinisë shqiptare, të rënë në fushën e nderit, të cilët u bënë pishtarë të luftës çlirimtare. Armiku dhe tradhëtarët i kanë quajtur veprat tuaja vepra kalamajsh, veprime të papjekura. Por rinia jonë tregoi po aq pjekuri në lëmin politik dhe shoqëror, sa dhe trimëri në fushën e luftës, dhe armiqtë le të lehin, ju jeni ata që po ndërtoni Shqipërinë e re. Populli shqiptar është krenar për rininë e vet, populli shqiptar me respekt përulet përpara kujtimit të heronjve të rinisë.

Dhe njeriu bën pyetjen: Ku ishte gjithë ky dinamizëm, gjithë kjo gjallëri, ç'e shtyu rininë tonë në këto kohëra të vështira të hidhet në luftë dhe të luftojë me tërbim, pa marrë parasysh vështirësitë, pa marrë parasysh vuajtjet, mundimet, sakrificat? Rininë e shtynë vuajtjet dhe mundimet, e shtyu urrejtja e madhe që ushqente për okupatorët fashistë italianë dhe gjermanë, armiqtë më të mëdhenj të saj, e shtyu dashuria e pamasë për vendin dhe për popullin e saj të mjeruar, e shtyu dashuria për vendin e socializmit, pararojën e fuqive të popujve përparimtarë. Rinia mori armët për të fituar të drejtën e saj në shoqërinë shqiptare, për të siguruar një të nesërme më të mirë e më të lumtur, që s'e ka pasur kurrë në të kaluarën. Këta kanë qenë faktorët që e kanë bërë rininë tonë të luftojë dhe të ecë përpara dhe gjithmonë përpara, kryelartë. Rezultati i kësaj lufte heroike të rinisë është ky, që sot në tokat e çliruara mbërrijmë të mbledhim Kongresin e parë Antifashist të Rinisë Shqiptare. Për të ardhur në rezultatet që kemi mbërritur: të krijojmë një ushtri të fortë të popullit, të krijojmë Komitetin Antifashist, të organizojmë kongresin, si atë të Përmetit dhe këtë të Rinisë Antifashiste Shqiptare, na është dashur të derdhim shumë gjak të vlefshëm të popullit tonë, na është dashur të bëjmë shumë sakrifica.

Kongresi i sotëm i rinisë ka një rëndësi të madhe për brezin tonë të ri, se është vepra që doli nga dora juaj, e bërë me djersën e me gjakun tuaj, ky është manifestimi i forcave të rinisë shqiptare, kjo është pasqyra e forcave tuaja. Ky kongres do të forcojë dhe ca më shumë bashkimin e gjithë të rinjve dhe të rejave shqiptare në luftën kundër fashizmit dhe tradhëtarëve. Ky kongres duhet të jetë simboli i vëllazërimit për një çështje të shenjtë dhe të përbashkët të të gjithë rinisë, pa dallim tendence politike dhe krahine. Ky kongres duhet të jetë shprehja e bashkimit të rinisë me popullin tonë që lufton, duhet të jetë shprehja e besnikërisë suaj ndaj luftës, ndaj Frontit N.-Çl., ndaj ushtrisë dhe Komiteit Antifashist.


Para nesh, o shokë tanë të rinj, qëndrojnë akoma detyra të mëdha dhe të rënda, të cilat duhet t'i kryejmë dhe do t'i kryejmë. Armiqtë tanë janë të shumtë, janë ende në këmbë, Gjermania naziste vazhdon të mbahet me shpirt në dhëmbë dhe .në momentin e vdekjes ajo po mbjell terrorin më të zi në vendin tonë, e ndihmuar në këtë punë barbare prej shërbëtorëve të saj shqiptarë.

Por lufta jonë shkon kurdoherë përpara, drejt, dhe tre- gon qartazi fitoren tonë finale dhe të aleatëve tanë të mëdhenj, Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Amerikës. Armata e Kuqe heroike në këto ditët e fundit po i jep grushte të tmerrshme Gjermanisë naziste. Ngadhnjimtare ajo po marshon drejt zemrës së Rumanisë, Varshavës, drejt Berlinit. Në çdo vend ku kalon Ushtria e Kuqe, ajo u jep lirinë popujve të robëruar nga Hitleri.

Fjala e Komisarit për Punët e Jashtme të BRSS, Mollotov, drejtuar popullit rumun, të cilit i garantohet indipendenca, përkrahja e madhe që i bëhet qeverisë nacional-çlirimtare të Polonisë nga ana e Sovjetëve, janë një garanci e madhe për popujt e robëruar, të cilët s'ka se kush i pengon në realizimin e aspiratave dhe në vendosjen për fatin e tyre. Triumfet e shkëlqyera, veprat e strategut gjenial, Mareshalit Stalin, e tronditën nga themelet regjimin nazist, ku ujqërit po grihen me njëri-tjetrin, përpara katastrofës së madhe. Armatat lavdiplote të Stalinit po ndjekin këmba-këmbës hordhitë e Hitlerit, që kishin shkuar të skllavërojnë vendin e madh të lumturisë dhe të gëzimit, vendin ku rinia ka posibilitetet më të mëdha për t'u zhvillar. Aleatët anglo-amerikanë, me zbarkimin e tyre në Evropë, po tronditin pozitat e Hitlerit në Perëndim dhe po i vënë përpara ushtritë e Romelit.

Qentë fashistë, që u vërsulën të skllavëronin botën, i bënë hesapet pa rininë antifashiste të Bashkimit Sovjetik, të udhëhequr prej Komsomolit heroik leninist, pa rininë antifashiste të popujve të Anglisë dhe të Amerikës, pa rininë e gjithë popujve të. robëruar. Sot gjendemi drejt rrugës së triumfit, sot perspektiva e fitores sonë është e qartë.

Po tamam në këtë kohë nuk duhet të na dehin sukseset tona, tamam në këtë kohë duhet t'i kemi sytë hapët dhe të shtërngojmë radhët, se tamam në këtë kohë po i paraqiten gjithnjë më tepër armiq të brendshëm brezit tonë të ri. Armiqtë e brendshëm, duke parë ditët tyre të numëruara, bashkohen më ngushtë me okupatorin për të ngulur thikën në shpinën e luftës sonë fitimtare. Mos harroni asnjë minutë se kemi të bëjmë me një armik të regjur dhe të rafinuar dhe që është gati të përfitojë nga çdo lëshim i vogël yni, nga çdo moskujdesi nga ana jonë, nga çdo veprimtari e pamatur.

Dallaveret që kërkojnë të luajnë në kurriz të popullit tonë okupatori dhe tradhëtarët janë të njohura prej jush.

Ata përpiqen me njëmijë mënyra që rininë tonë ta shkëpusin nga lufta, ta zhdukin si faktor të rëndësishëm të jetës sonë shoqërore, ta shtien në vëllavrasje. Por ju të rinj, ju që me prova dhe me gjak e keni kallëzuar rolin madh që po luani në këtë luftë vendimtare dhe rolin madh që do të luani nesër në Shqipërinë e re të popullit, juve ju bie barra që t'ua prishni planet këtyre njerëzve të poshtër që kërkojnë ta çojnë popullin tonë në skëterrë. Plagët që na ka shkaktuar regjimi i kaluar dhe regjimi i sotëm, që na ka skllavëruar, janë ende të hapura, dhe unë jam i bindur se asnjë prej jush nuk do të dëshirojë të kthehet më koha e vjetër. Brezi i ri i vendit tonë është i vendosur dhe për këtë po derdh gjak që t'i sigurojë vetes një të ardhme të lumtur, dhe me armët që ka në dorë nuk do të lejë kurrë që frytet e mbjella prej tij e të vaditura me gjakun e kulluar të bijve më të mirë të vendit tonë t'i hanë të tjerët, t'i korrin tradhëtarët dhe aventurierët. Po të ngjiste e kundërta, ne nuk do të ishim të denjë për gjakun e shenjtë që është derdhur.


Shokë dhe shoqe të rinisë!

Unë kam bindjen e plotë se ju, delegatët e të gjithë Rinisë Antifashiste Shqiptare, të mbledhur në këtë kongres, kur shokët tuaj dhe e tërë Ushtria N.-Çl., që prej Mirdite e deri në skajet e Shqipërisë së Jugut, ndodhen në përleshje të përgjakshme me gjermanët dhe tradhëtarët, do të punoni, do t'i rrihni problemet që ju parashtrohen me aq seriozitet sa keni treguar vendosmëri dhe trimëri në fushën e luftës; unë jam i bindur se ju, pas këtij kongresi, do të punoni me forca më të mëdha për të shpejtuar fitoren e madhe kundë ľ zaptuesit, se do të çoni fjalën tuaj përparimtare në radhët e ushtrisë sonë heroike, në prapavijat dhe në territorin e okupuar; unë jam i bindur se ju, luftëtarët e brigadave tona legjendare, se ju, luftëtarët heroikë të viseve të okupuara, se ju, luftëtarët e palodhur të zonave të çhruara, do të dhjetëfishoni energjitë tuaja dhe do të goditni pa mëshirë hordhitë e gjermanit okupator dhe të tradhëtarëve. do të mbroni dhe do të forconi pushtetin tonë demokratik, do të jeni shembull organizimi dhe disipline; jam i bindur se dora juaj do të godasë pa mëshirë, pa u dredhur, tradhëtarët.

Unë dëshiroj prej jush që ky kongres me rëndësi të madhe të japë rezultate të mëdha, të japë ato rezultate që pret populli ynë, që pret rinia jonë, të japë rezultatet që lyp aleanca jonë e madhe me aleatët e mëdhenj Bashkimin Sovjetik, Anglinë, Amerikën dhe me gjithë popujt e robëruar për të shtypur dhe për të zhdukur nga faqja e dheut armikun më të madh të popullit tonë dhe të njerëzimit: nazizmin gjerman.


Rroftë Rinia Antifashiste trime Shqiptare!


Rroftë Kongresi i parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare!


Botohet sipas origjinalit që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë

 

 

 

 

 

 

Enver Hoxha

- Shqipe Arkivi