Uebfaqja gjithashtu në:

anglisht

gjermane

rusisht

 

 

 

 

Hysni Kapo

14 mars 1915 - 23 shtator 1979

 

 

 

Vdekja e Hysni Kapos [dokumentar]

VIDEO (youtube)

 

 

veprat e përzgjedhura

 

26 dhjetor 1945

 

Hysni Kapo, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd dhe delegati shqiptar në Konferencën e Dëmshpërblimeve, i deklaroi redaktorit politik të agjencisë “AFP” se të 35 mijë grekët që banojnë në Shqipëri, gëzojnë të gjitha të drejtat e minoriteteve etnike. Prandaj Shqipëria është e mendimit se Greqia nuk ka asnjë arsye të ankohet mbi fatin e minoritetit grek. Fatkeqësisht, shtoi Hysni Kapo, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për 80 mijë shqiptarë që banojnë në Greqi, 9000 midis tyre janë vrarë dhe 20 mijë janë strehuar në Shqipëri. Shqipëria dëshiron vetëm që shqiptarët e Greqisë të kenë mundësi të kthehen në vatrat e tyre. Hysni Kapo deklaroi se do të kthehet në Tiranë më 10 janar për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të Parlamentit shqiptar që u zgjodh kohët e fundit, vendimi i parë i të cilit do të jetë shpallja e Republikës. Duke përfunduar, shoku Hysni Kapo shprehu dëshirën e tij të zjarrtë për rivendosjen sa më shpejt të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Francës.

 

 

 

 

1947

Zbardhet intervista e panjohur e Hysni Kapos në vitin 1947



Intervista e panjohur e Hysni Kapos për agjencinë franceze “AFP”. Si e rrëzoi OKB-ja akuzën e Shqipërisë për incidentin e Kanalit të Korfuzit.

 

Zoti Hysni Kapo, nënministër i Punëve të Jashtme që u kthye këto ditë nga Nju Jorku, i dha të dërguarit të gazetës sonë këtë intervistë në lidhje me diskutimet në UNO rreth çështjes së Kanalit të Korfuzit

Pse UNO nuk mori përpara në shqyrtim ankesën e qeverisë shqiptare për shkeljen e ujërave territoriale nga luftanijet britanike, por filloi shqyrtimin e akuzave britanike kundër Shqipërisë?

HYSNI KAPO: Shkaku që nuk u shqyrtua në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit ankesa e qeverisë shqiptare paraqitur Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 29 tetor 1946 kundër provokacioneve, violacioneve dhe shkeljes së sovranitetit të shtetit shqiptar prej anijeve të luftës britanike, është akoma pikëpyetje për delegacionin tonë. Delegacioni shqiptar qysh në seancën e parë, por edhe më vonë, e shtroi këtë pyetje dhe kërkoi shpjegimet e nevojshme. Këshilli i Sigurimit nuk mundi t’i japë asnjë përgjigje.

Një gjë mund të themi me siguri, se mospranimi i ankesës së qeverisë shqiptare nuk ka asnjë justifikim. Këshilli i Sigurimit duhej ta kishte marrë në shqyrtim çështjen dhe duhej të kishte vendosur mbi të. Qeveria shqiptare ankesën e bëri konform Kartës së Kombeve të Bashkuara, siç përcaktohet qartë në artikullin 35 të saj.

Shqipërisë në këtë rast i është bërë një padrejtësi. Përfaqësues të shteteve perëndimore në Këshill e kanë bërë zakon kundërshtimin e të drejtave të Shqipërisë. Kuptohet qartë një padrejtësi e tillë për akuza britanike kundër Shqipërisë e paraqitur shumë më vonë se ajo e qeverisë shqiptare, konsiderohet si një çështje me karakter ndërkombëtar dhe pranohet të vihet në rendin e ditës. Një vendim i tillë nuk ka qenë në rendin e ditës se:
1) Karakteri i akuzës britanike nuk ishte i asaj rëndësie që e paraqitën britanikët dhe e përkrahën anëtarët e tjerë;
2) Pse akuza britanike e bazuar në dokumente false pa bazë, nuk ishte aspak serioze që të preokuponte Këshillin e Sigurimit;
3) Pse qëllimi i akuzës britanike në të vërtetë nuk ishte për mbrojtjen e paqes dhe qetësisë, por për të krijuar konflikte midis shteteve, gjë që është krejtësisht në kundërshtim me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesi sovjetik, zoti A. Gromvko, me plot arsye kundërshtoi pranimin e një problemi të tillë që të shtrohet në urdhrin e ditës të Këshillit të Sigurimit për diskutim. Ai vuri në dukje se prestigji i Këshillit të Sigurimit mund të mbahet lart vetëm atëherë kur merret me studimin e problemeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe paqen në botë, dhe jo me akuza false dhe pa asnjë bazë si ajo e Britanisë së Madhe kundër Shqipërisë. Logjika e kërkonte që edhe anëtarë të tjerë të Këshillit të mos influencoheshin nga shkaqe të tjera, por të merrnin vendim të drejtë.

Cili është qëllimi i qeverisë britanike që ngriti një akuzë të tillë kundër Shqipërisë?
HYSNI KAPO: Lufta e Dytë Botërore solli ndryshime rrënjësore në disa shtete, si nga pikëpamja politike, shoqërore dhe ekonomike. Britania e Madhe, anëtare e bllokut antifashist, është munduar gjatë kësaj lufte më tepër se sa të luftojë okupatorin, të mbajë fort pozitat që kishte dhe të merrte pozita të reja. Është politikë tradicionale e saj, që karakterizon imperializmin britanik, të veprojë, veçanërisht karshi shteteve të vogla, me shtypje, presione dhe politikë antidemokratike kundër lirisë dhe indipedencës së popujve. Janë këto shkaqe që e shtyjnë Britaninë të mbajë një qëndrim jo të drejtë e armiqësor kundër një populli të vogël siç është populli shqiptar, që nuk kurseu asgjë për lirinë kundër fashizmit, për vendosjen e paqes dhe demokracisë. Si në kohën e luftës, edhe pas çlirimit, Britania e Madhe përdori intriga, përçarje, përkrahje të kuislingëve kundër demokracive të reja në lindje e sipër, sikundër Shqipërisë. Populli shqiptar, nën udhëheqjen e shokut gjeneral kolonel Enver Hoxha, diti si të luftojë kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm që e pengonin në rrugën e tij. Tentativat dhe planet e Britanisë falimentuan në Shqipëri; ajo nuk hoqi dorë nga një politikë e tillë karshi vendit tonë, sa që më së fundi, duke kurdisur akuza të rreme, shtron çështjen pranë Kombeve të Bashkuara duke e cilësuar vendin tonë si rrezik për paqen. Me një akuzë të tillë Britania nuk kishte për qëllim të godiste vetëm Shqipërinë, ajo godit gjithë miqtë dhe përkrahësit e Shqipërisë së re. Në këto manovra ajo kërkon të krijojë komplikacione ndërkombëtare, do të justifikojë mjerimet dhe vuajtjet që i shkaktoi popullit grek, do të justifikojë qëndrimin e trupave të saj dhe atyre amerikane në Greqi dhe të mbajë në fuqi dhe të inkurajojë fashizmin sikundër bën në Greqi, Itali, Austri etj.

Cilat janë arsyet kryesore që tregojnë absurditetin e akuzës së Britanisë së Madhe?
HYSNI KAPO: Pse akuza britanike nuk është e mbështetur në asnjë të vërtetë. Vetë puna e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit nuk nxori asgjë në dritë, përveç kontradiksioneve të deklaruara nga përfaqësuesi britanik, të raporteve dhe skicave të përgatitura sipas qejfit. Absurditeti i kësaj akuze doli sheshit kur delegati shqiptar vuri në dukje qëndrimin politik të Britanisë së Madhe kundër Shqipërisë, kur në analizën tonë dilte në shesh se si Britania e shtrembëron të drejtën sipas rastit dhe interesit të veçantë. Fakti që Britania e Madhe veproi kundër vendimeve të KQ për demontimin e ujërave territoriale të Shqipërisë, kundërshtia që u bëri shqiptarëve për pjesëmarrjen në procesin e demontimit të Kanalit të Korfuzit dhe dhënia e ujërave të territorit shqiptar Greqisë për të bërë pastrimin, propozim i bërë nga britanikët, nxjerrin në dritë qëllimet e akuzës britanike kundër Shqipërisë. Në këtë rast dua të theksoj se mendimet e shfaqura nga shumë anëtarë të Këshillit të Sigurimit nuk kanë qenë të inspiruara nga drejtësia, por me supozicione të kota, kanë qenë pro tezës britanike.

Ç’tregon vendimi i Këshillit të Sigurimit, që u rekomandon të dyja palëve t’i referohen gjyqit ndërkombëtar?
HYSNI KAPO: Këshilli i Sigurimit, duke adaptuar rezolucionin britanik, ku u rekomandon të dyja palëve t’i referohen gjyqit ndërkombëtar, tregon: Problemi i ngritur nga qeveria britanike pranë Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë aq serioz, siç pretendohet prej britanikëve, për cenimin e sigurisë dhe paqes. Pikëpamja e delegacionit sovjetik kundër propozimit të britanikëve për të mos figuruar në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit ka qenë e drejtë, pasi problemi nuk ka pasur një karakter ndërkombëtar për të preokupuar Këshillin e Sigurimit. Qëndrimin kontradiktor të disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët përkrahën propozimin britanik, duke e konsideruar si një problem të domosdoshëm që duhej marrë për studim. Kur qëllimi britanik nuk u realizua, po ata anëtarë deklaruan se Këshilli i Sigurimit nuk duhet të merret me një çështje të tillë dhe pranojnë t’u rekomandojnë të dyja palëve t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare. Delegacioni shqiptar tërhoqi vërejtjen e Këshillit të Sigurimit për shqyrtimin e njëanshëm të problemit dhe kërkoi që rezolucioni britanik të mos merret në konsideratë.

Ç’jehonë ka pasur çështja e Kanalit të Korfuzit në rrethet demokratike e progresiste dhe vendimi i fundit?
HYSNI KAPO: Publiku amerikan, dhe veçanërisht rrethet e huaja, e kanë ndjekur me interes. Qarqet demokratike e lidhin akuzën britanike me politikën e zakonshme të Britanisë së Madhe si një manovër për të luftuar demokracitë e reja në Ballkan dhe për të krijuar konflikte të reja. Ç’përfaqëson qëndrimi britanik karshi Shqipërisë për pranimin në UNO, qëndrimin në konferencën e katër ministrave në Moskë në akuzën në Këshillin e Sigurimit dhe vargu i qëndrimeve armiqësore? HYSNI KAPO: Britania e Madhe, duke kundërshtuar të drejtat legjitime të Shqipërisë për t’u pranuar në Kombet e Bashkuara, me provokacionet e vazhdueshme dhe me anën e fashistëve të Athinës, duke mbrojtur dhe ndihmuar kuislingët dhe tradhtarët e popullit shqiptar, me kundërshtimet që bëri për pjesëmarrjen e Shqipërisë në bisedimet e Moskës dhe me akuzën e rreme që ngriti në Këshillin e Sigurimit ndaj vendit tonë, pasqyron manovrat dhe politikën e reaksionit ndërkombëtar kundër demokracisë dhe lirisë së popujve, pasqyron qëllimin dhe taktikën e imperializmit në dëm të paqes dhe sigurisë në botë.


 

 

 

Ditari i vitit

1966 -1979

(ekstraktet)

 

 

1 janar 1966


Viti i ri filloi mirë, kohë e bukur. Mbaroi një periudhë pesëvjeçare e ndërtimit socialist (1960-1965). Kjo ka qenë një periudhë sa e vështirë, aq edhe e lavdishme. Partisë iu desh të përballonte me sukses bllokadën imperialiste, atë që thurën armiqtë tanë rreth kufijve dhe veçanërisht bllokadën që organizoi banda e Hrushovit dhe pasuesit e tij revizionistë. Ja pse ditën e Vitit të Ri popullit tonë i qesh fytyra.

 

2 janar 1966


Ora 13:00 u takuam me shokun Enver dhe shoqen Nexhmije. Biseduam mjaft çështje të punës së Partisë, të luftës kundër burokratizmit, biseduam për përpjekjen e revizionistëve sovjetikë bashkë me imperialistët amerikanë për të gjetur rrugët e zgjidhjes së krizës në Vietnam. Revizionistët sovjetikë po bëjnë gjithçka u vjen për duarsh për të nxjerrë imperializmin amerikan nga situata e vështirë në Vietnam.

 

3 janar 1966


Dita e parë e punës në zyrë për vitin e ri 1966. Shumë punë, shumë probleme të vështira na dalin përpara. Ditën e parë të vitit të ri e fillova me Iliazin, drejtorin e ri të Drejtorisë së Bujqësisë. Ai filloi punën e re më 3 janar. U ktheva në shtëpi në orën 23:30

 

4 janar 1966


Do raportoj te shoku Enver. Sa besim dhe nder më ka bërë Partia ime e dashur që unë të punoj në aparatin e KQ pranë shokut Enver! Shoku Enver ka qenë për mua mësuesi im, si shok, si prind i mirë. Ai sot erdhi në zyrën time kur ishim bashkë me Hakiun (Toskën) dhe biseduam si duhen vënë në lëvizje organizatat e partisë në dikasteret qendrore. Në orën 13:00 u bë mbledhja e Sekretariatit të KQ. Të gjithë sekretarët u ndanë për të shkuar në rrethe. Unë u caktova të shkoj në Vlorë, Fier dhe Berat. Në orën 17:00 prita një nga udhëheqësit e Partisë Revolucionare afgane, kongolezin Numengi Feliks.

 

5 janar 1966


Në orën 9:00 mbledhja e organizatës bazë të Partisë.

 

13 janar 1966


Nata e mbrëmshme ka qenë plot furtunë, shira të furishëm dhe erë e fortë. Punova deri në orën 2 pas mes nate. Në orën 17:30 u nisa për në Lushnjë për të ndihmuar organet e Partisë aty lidhur me punën dhe luftën kundër shfaqjeve të burokratizmit.

 

14 janar 1966


Afër drekës shkova në Shtëpinë e Partisë. U takova me shokun Enver. Shoku Enver u interesua mbi problemet që kishin dalë në bazë. I raportova mendimet e mia mbi sa kisha parë e dëgjuar.

 

17 janar 1966


Mbas shumë ditësh punë në rrethe, sot, ditë e hënë, fillova punë në zyrë. Në orën 13:00 shoku Enver thirri sekretarët e KQ në zyrën e tij. Shtroi si çështje kryesore punën që do bëjmë për Kongresin e Partisë. Në orën 20:00 shkova në shtëpi i lodhur.

 

18 janar 1966


Gazeta “Zëri i Popullit” njoftonte mbi letrën e 11 agronomëve të Durrësit, të cilët iu përgjigjën me patriotizëm thirrjes së Partisë që të largohen nga zyrat në qytet dhe të shkojnë me punë në fshat. Shoku Enver, sa erdhi në zyrë më telefonoi dhe më pyeti nëse e kisha lexuar gazetën “Zëri”. Ishte i gëzuar nga ky akt, por i pëlqente që këtë iniciativë ta kishin marrë punonjësit e aparateve të Tiranës, pse këtu në Tiranë ka aparate të fryra, ka burokratizëm, këtu duhet shkurtuar me sëpatë të madhe.

 

27 janar 1966


Në zyrë pata punë të zakonshme. Dëgjova delegacionin që u kthye nga Konferenca e tri kontinenteve, që u mbajt në Havanë. Foto Çami raportoi shumë çështje interesante. Revizionistët në Konferencë ishin demaskuar keq. Si kurdoherë, edhe këtu delegacioni ynë demaskoi politikën tradhtare të revizionistëve sovjetikë. Mora masat që më porositi shoku Enver për ardhjen e shokëve indonezianë nga Pekini në Shqipëri.

 

1 shkurt 1966


Me Beharin biseduam çështje të organizimit në Ministrinë e Jashtme. Pasdite, ora 17:00, u mblodhëm në zyrën e shokut Enver dhe diskutuam gjatë për problemet e luftës kundër burokratizmit. Në shtëpi punova deri vonë.

 

4 shkurt 1966


Ora 9:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike. Mbaroi në orën 15:00.

 

7 shkurt 1966


Shoku Enver erdhi në zyrë dhe më thirri e biseduam për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me gabimet që janë bërë dhe qëndrimet burokratike që janë konstatuar në organet shtetërore dhe se si kjo çështje nga Mehmet Shehu është kuptuar gabim. Shoku Enver foli për përshtypjen që i kishte bërë propozimi i Mehmet Shehut për të ikur nga Kryeministria për të ardhur në aparatin e KQ dhe të merrej me çështje organizative, propozim që tregon se nuk i ka kuptuar thellë gabimet. Shoku Enver ishte mjaft i shqetësuar. “Unë, – tha, – ta them ty se nuk kam kujt t’ia them. Dhe kur ta them ty, sikur ia them vetvetes, ta dish mendimin tim”. Ora 10:00 na thirri në mbledhje mua, Beqir Ballukun, Ramizin dhe Rita Markon dhe na foli për letrën që duhet bërë për luftën kundër burokratizimit. Pasdite u mora me punë në zyrë.

 

23 shkurt 1966


Ora 9:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike për shqyrtimin e riorganizimit të punës në aparatin e KQ. Shoku Enver bëri një analizë mbi karakterin e Ushtrisë Popullore dhe konceptit borgjez, mbi ushtrinë borgjeze-ushtrinë e gjeneralëve, marshallëve, kolonelëve dhe kastave e puçeve.

 

28 shkurt 1966


Shoku Enver, në orën 20:30 më mori në telefon dhe më njoftoi se do të vijë pas darke. Erdhi. Ishte shumë i shqetësuar. Më hapi bisedën që kishte pasur në darkë me Beqir Ballukun. Më foli për atë që i kishte shtruar Beqiri. U trondita! Si është e mundur që Beqir Balluku të vijë me konkluzione kaq të gabuara, që përbëjnë një faj të rëndë? Bisedova gjatë me shokun Enver për këtë çështje, analizuam shkaqet që e shtynë Beqir Ballukun të arrijë në ato konkluzione sa t’i kërkojë shokut Enver të shkarkohet nga detyra e ministrit të Mbrojtjes. Ramë dakord me shokun Enver që çështja të shtrohej në kohën e duhur në Byronë Politike. Varet shumë nga Beqir Balluku, a do të thellohet, a do ta kuptojë gabimin. Në orën 23:00 u ndamë. E përcolla deri në shtëpi. Nuk fjeta gjithë natën.

 

1 mars 1966


Shoku Enver më thirri dhe më njoftoi se Beqir Balluku kishte kërkuar të takohej me të. E kishte pritur e dëgjuar. Dukej se Beqiri nuk ishte thelluar. Shoku Enver e kishte ndihmuar të reflektonte, të analizonte gabimet e tij. Kishte premtuar se do të thellohej. Të shohim!

 

2 mars 1966


Takim me Kadri Hazbiun. E dëgjova për procesin e Halim Xhelos. I dhashë udhëzimet përkatëse. Duket se edhe Kadriu nuk ka mendime të drejta për fërkimet në udhëheqjen e Ushtrisë, i shikon çështjet të njëanshme dhe me pasion. Nuk desha të futesha në këtë çështje pse mendova që mbi këtë do të diskutohej në kohën e duhur në Byronë Politike. I raportova shokut Enver mbi bisedimet me Kadrinë.

 

3 mars 1966


Me Sadik Bekteshin diskutuam instruksionin mbi punën e organeve politike dhe të Partisë në Ushtri, strukturën e re të Drejtorisë Politike dhe masat që janë marrë për mbledhjen me oficerët e ushtrisë në aparatin e KQ ditën e shtunë ku shoku Enver do të shtrojë reformat që duhen marrë në ushtri. Punova me Mihal Bishën dhe Gafur Çuçin për çështjen e shkurtimit të pagave të funksionarëve të lartë të Partisë dhe të shtetit. Takova Beqir Ballukun. Fola me të. Më pas u takova me shokun Enver dhe e informova për bisedën me Beqirin. Ishte dakord me këshillat që i kisha dhënë.

 

4 mars 1966


Në mbledhjen e KQ. Pasdite prita vizita në shtëpi me rastin e ditëlindjes.

 

5 mars 1966


Ora 9:00, në sallën e madhe në KQ filloi mbledhja me 350 oficerë të Ushtrisë. Ajo u organizua me iniciativën e shokut Enver për të punuar vendimin e KQ për heqjen e gradave dhe vendosjen e komisarëve politikë në Ushtri. Pasi foli shoku Enver, e mori fjalën Ndreko Rinua. Diskutoi shumë mirë. Pastaj folën edhe 11 oficerë të tjerë, midis tyre Fahri Bubsi, Qamil Poda, Haki Gjondeda etj. Shoku Enver mori përsëri fjalën dhe shtroi çështje të rëndësishme politike, ideologjike e ushtarake.

 

10 mars 1966 (Në Vlorë)


Para se të nisesha në Tiranë, m’u desh të bisedoja me Byronë e Partisë së rrethit, të shtroj mendimet e mia mbi gjithçka pashë gjatë tri ditëve të qëndrimit në Vlorë… Në qytet, ndryshe nga në fshat, ka mjaft të merakosur që nuk kuptojnë akoma rëndësinë e thirrjes së Partisë për të shkuar në prodhim dhe në fshat. Duhet punuar me ta që ta kuptojnë këtë moment historik dhe të shkojnë atje ku ka nevojë atdheu, ekonomia, Partia. Të shumtë janë në Vlorë nga ata që zënë për palltoje këdo që vete nga Tirana në Vlorë, u shtrojnë kërkesa dhe ankesa. Këta tipa janë të pakënaqur. Shokët e Vlorës, të nisur nga qëllimi i mirë për të ndihmuar fshatin, për luftën kundër burokratizmit, më shumë u tërhoqën nga entuziazmi, i mori vala, sesa të punonin dhe të mendonin thellë për masat e marra. Ata dërguan në fshat dhe në prodhim kuadro, njerëz që nuk duheshin dërguar, boshatisën aparatin e Partisë dhe të pushtetit, lejuan të krijohej përshtypja në masa se duhej boshatisur aparati, zyrat, se kush punon në zyra është i keq, burokrat, aq sa punonjësit e administratës u vunë në një pozitë që ta quanin për turp se punojnë në zyrat e shtetit. Ky gabim i rëndë po i kushton shtetit, pse shumë punë çalojnë.

 

19 mars 1966


Shqyrtova me prokurorin e Përgjithshëm çështje të drejtësisë. Shokët me përgjegjësi në organet e drejtësisë kanë rënë nën influencën e koncepteve të vjetra të drejtësisë dhe kanë kopjuar shumë nga legjislacioni i huaj. Neve na duhen ligje revolucionare që të përshkruhen nga logjika marksiste-leniniste. Nga kjo del e domosdoshme të shihen rrënjësisht ligjet që të përshkruhen nga fryma revolucionare. Të rishikohen institucionet tona juridike, të cilat nuk duhet të jenë të pavarura, siç predikojnë disa. Nuk mund të ketë asnjë organ të drejtën të veprojë i pavarur, jashtë kontrollit të Partisë. Si mund të pranohet që sistemi borgjez i avokaturës të funksionojë njësoj edhe në pushtetin tonë? Ajo po na degjeneron drejtësinë. Si mund të pranohet që komunisti avokat të dalë mbrojtës i kriminelit dhe tradhtarit? A duhet avokatura tek ne? Unë mendoj se jo. Punonjësit e drejtësisë duhet të shkunden nga oportunizmi dhe të vihen në rrugë revolucionare…


22 mars 1966


Me porosi të shokut Enver, shokët e KQ janë nisur në bazë.
Katër probleme kryesore që kemi vënë në rendin e ditës për të ndjekur janë: Kuptimi i letrës së hapur, zgjedhjet në Parti dhe puna që bëhet për riorganizimin e ndërmarrjeve ekonomike, shkurtimin e organikave, si dhe ndjekja e planit ekonomik. Për këto sot u nisën shokët e aparatit në katër grupe, në drejtime të ndryshme. Unë në orën 9 u nisa në Pogradec, Korçë dhe Ersekë. Në Librazhd mora pjesë në Plenumin e Bashkimeve Profesionale të rrethit. Punohej letra e hapur. Formalizëm, frazeologji, fjalë të përgjithshme e karakterizuan mbledhjen.


23 mars 1966 Pogradec


Në Mokrën e Sipërme nuk kisha qenë kurrë. Mokra ka qenë një nga kështjellat e rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare. Bëra një takim në Trebinjë. Biseduam me shokët. Të gjithë flasin me besim për të ardhmen, flasin si duhet punuar për të zbatuar letrën e hapur. Por, gratë trimëresha të Mokrës nuk flasin, ose flasin pak. Ato janë akoma skllave të forcës së zakonit, niveli arsimor e kulturor është një pengesë tjetër që i mban prapa. Mokra duhet të ndihmohet më shumë nga rrethi dhe nga qendra që të ecë më shpejt përpara.

 

24 mars 1966


Në Pogradec. Takimi me anëtarët e këshillave popullorë dhe këshillit të grave të lagjeve zgjati katër orë. U ngritën probleme me rëndësi shtetërore, shoqërore dhe ekonomike.


25 mars 1966 Korçë


Kur kalova nga Pogradeci në Korçë, porsa hyn në kufirin e Korçës natyra merr një pamje tjetër tërheqëse. Gjithçka është transformuar nga puna e korçareve. Pranë kooperativës së Pirgut, takova Ilo Priftin, drejtorin e NB Maliqit. Bashkë me të vizituam dy sektorë dhe biseduam për çështje ekonomike dhe politike. Del qartë se nën dritën e mësimeve të letrës së hapur ka shumë për të bërë, si në drejtim të edukimit politik, ashtu edhe për shfrytëzimin e mundësive që ka bujqësia.


26 mars 1966


Vizitë në fshatrat e Prespës. Shokët atje na folën për punën dhe problemet që i preokupojnë. I përgëzova për rezultatet. I këshillova si duhet përmirësuar puna në të ardhmen.


27 mars 1966 (Korçë)


U interesova dhe mora pjesë në mbledhjen e organizatës së partisë së brigadës ushtarake. Diskutimet u bënë në frymë mirë, por raporti nuk trajtonte çështjet për të cilat duhej përqendruar forcat e Partisë. Dobia e kësaj mbledhjeje ishte se u diskutua me forcë në frymën e letrës së hapur për organizimin e punës politike në ushtri, për të shkundur diferencën midis kuadrit dhe ushtarit. Fola edhe unë në përfundim. Aty nga ora 22:00, kur Korça po mbulohej me borë, shkova për të pushuar.


28 mars 1966


Shkova në Kolonjë. Ndaluam në kooperativën e Selenicës.


5 prill 1966


Në zyrë duke punuar për materialet për jetën e brendshme të Partisë


6 prill 1966


Porsa erdhi në zyrë shoku Enver, më duhej të këshillohesha me të për shumë çështje, për zgjedhjet në Kuvendin Popullor, për konferencat e Partisë në ushtri, për ndërtimin e Partisë në disa zona të thella


7 prill 1966


Sot 7 prill 1966 kujtojmë gjendjen e vendit tonë 27 vjet më parë, kur Italia fashiste u sul si bishë e tërbuar mbi atdheun tonë.


11 prill 1966


Shumë oficerë të nxjerrë në lirim, me gjithë thirrjen e Partisë për të shkuar në fshat, preferojnë të qëndrojnë në qytet,, qoftë edhe sikur mos të punojnë më, me që kanë një farë pensioni. Sa keq mendojnë! A mundet që revolucionari i vërtetë t’i shmanget thirrjes së Partisë?! Jo, në asnjë mënyrë! Kur ky oficeri i liruar mendon se mjaft punoi, mjaft luftoi dhe tani doli në pension dhe kërkon ta kalojë kohën kot, ai ka pushuar në fakt së qenë revolucionar.


16 prill 1966


Shokët sekretarë të komiteteve të Partisë të rretheve Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Korçë, Kukës e Peshkopi, të cilët i mora në telefon më informuan mbi zgjedhjet në Parti dhe mbi punët që bëhen tani në bujqësi…


21 prill 1966


Komisioni mjekësor më kontrolloi. Gjendja e përgjithshme shëndetësore është e mirë. Diabeti, kjo sëmundje e pashërueshme dhe e mërzitshme, shpesh më shqetëson. Më vjen keq se sëmundja më pengon t’i jap më shumë Partisë, e cila më rriti, më edukoi, si një nënë e mirë. Por jeta ime i përket Partisë dhe popullit tim të dashur dhe unë nuk do ta kursej kurrë atë për Partinë, për idealin e madh-komunizmin, për popullin tonë të mrekullueshëm.


23 prill 1966


Përfundova të gjitha çështjet që duhet t’u a lija shokëve para nisjes për në Kinë. Në orën 12:00 shkova te shoku Enver. I raportova pikëpamjet e mia mbi materialet e paraqitura nga qeveria për Byronë Politike. Ishte dakord në përgjithësi. E vura në dijeni për detyrat që u kam ngarkuar shokëve për t’i ndjekur. Shoku Enver është shumë i preokupuar për gjallërimin e jetës së Partisë, daljen nga praktikat e ngushta, të dëmshme që kanë ndjekur shokët për një kohë të gjatë. Duhet shmangur çdo shfaqje e huaj që e mpin Partinë, jetën e brendshme të saj. Të flaken ata që janë mykur dhe kërkojnë të pengojnë vrullin revolucionar të Partisë me plogështinë e tyre…


24 prill 1966


Ditë e diel, dita e fundit para nisjes për në Kinë. Nga ora 10:00 erdhi për vizitë shoku Enver e Nexhmija, për të më uruar rrugë të mbarë. Ai i respekton rigorozisht zakonet e mira të popullit. Duhet të mësojmë prej tij, për çdo gjë. Sado që ne nuk i vëmë veshin vjen apo nuk vjen një shok të të urojë rrugë të mbarë ose mirëseardhjen, prapë se prapi të vjen mirë kur posaçërisht të vjen shoku në shtëpi. Këto zakone duhet t’i ruajmë si një thesar të madh, ashtu siç i ruan dhe i respekton shoku Enver.


25 prill 1966


Sot niset delegacioni i Partisë dhe i qeverisë për në Kinë. Megjithëse jam për udhëtim, nuk më rrihet në shtëpi. Shkova paradite në punë. Bisedova me Ramizin për Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Para nisjes i porosita fëmijët të kenë kujdes të mos lënë mësimet. U përshëndeta me ta para nisjes. Me Viton shkuam në Shtëpinë e Partisë. Atje ishin të gjithë shokët. Prej andej u nisëm për në aeroport. Aeroplani i shoqërisë AIERE FRANCE Boing, gjigant i mrekullueshëm, sapo kishte ardhur. Në ora 16:00 u nisëm. Shoku Enver dhe shokët e Byrosë Politike erdhën deri tek aeroplani. Sa të lumtur jemi ne për shokun Enver që e ngriti kaq lart para botës prestigjin e Partisë dhe të vendit tonë!
Hipëm në avion. Ekuipazhi francez shumë xhentil, i kulturuar dhe i kujdesshëm. Kaluam mbi Korfuz, mbi ishujt e shumtë të Greqisë, Rodi, Peloponezi, Kreta dhe më në fund pamë nga larg tokën e Libanit, Bejrutin. Këtu ndaluam një orë. U nisëm në ora 8:00. Ekuipazhi u ndërrua. Bëmë udhëtimin pa ndalesa Bejrud-Rangun. Puset me naftë të Kuvajtit digjeshin, kudo dukej si një horizont i pafund që digjej flakë. Kapitali i huaj bën ligjin në këtë vend. Në Birmani arritëm në orën 3 të natës. Këtu na pritën ambasadori kinez dhe përfaqësuesit e qeverisë së vendit…


13 maj 1966


Shkova që në mëngjes në zyrë. U takova me Ramizin. I fola shkurt mbi udhëtimin dhe vizitën në Kinë. Edhe ai më foli shkurt për punët. E ndiej veten shumë të lodhur, u detyrova të shkoj në shtëpi të rri shtrirë deri vonë. Më dukej sikur udhëtoja me avion…


17 maj 1966


Gjatë gjithë paradites m’u desh të shqyrtoj e të shkëmbej mendime me shokët për çështje të organeve të Prokurorisë. Kalimi shpejt pasdite nga zona e Vorës, Shijakut e Ndroqit, për të parë punët në bujqësi dhe bisedat me kooperativistë më mbushëm plot frymëzim…


28 maj 1966


Vazhdoj kurat në shtëpi. Sot jam më mirë. Mbasdite erdhën shoku Enver dhe Ramizi për vizitë. Biseduam për probleme politike dhe ekonomike. Unë nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen shokut Enver për atë kujdes dhe dashamirësi që tregon kurdoherë ndaj shokëve. Ne, të gjithë,i detyrohemi shumë shokut Enver. Na e do zemra që ai të marrë nga ditët tona për të mirën e Partisë, të popullit dhe të marksizëm-leninizmit.


24 maj 1966


Ditë historike. 22 vjet më parë në Përmet u bë Kongresi Nacionalçlirimtar. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë më e fortë se sot, kurrë nuk ka pasur miq të shumtë, miq të mëdhenj sikurse popullin e madh kinez sa ka sot.


25 maj 1966


Mjekët më bënë kontroll për të parë efektin e heqjes së insulinës. Më këshilluan të qëndroj në shtëpi. Punova gjatë gjithë ditës. Nxora nga dora projektin e kandidaturave për deputetë duke bërë korrigjimet e nevojshme sipas vërejtjeve të shokut Enver.


1 qershor 1966


Në zyrë punova gjithë paraditen. Me Ramizin biseduam mbi punimet e plenumit të Komitetit Qendror të Rinisë që u zhvillua në rrethin e Lushnjës. Për edukimin politiko-ideologjik të rinisë, për të njohur rinia të kaluarën e popullit tonë dhe traditat e tij duhet bërë më shumë. Rinia jonë pak e njeh të kaluarën dhe aq më pak ajo interesohet për ta mësuar. Na del detyrë sot, më tepër se kurrë, ta përqendrojmë kujdesin për edukimin e rinisë.
Biseduam me Ramizin për probleme të letërsisë, për nevojën e një kontrolli më të kujdesshëm për literaturën dhe krijimet e shkrimtarëve, poetëve e letrarëve tanë. Në përgjithësi shihen shfaqje jo të shëndosha në njerëzit e artit e të kulturës. Ata kanë koncepte të huaja që nuk pajtohen plotësisht me ideologjinë proletare, me përmbajtjen klasore, e cila duhet të dominojë në të gjitha fushat e letërsisë, pikturës, muzikës dhe artit. Lajm i gëzueshëm nga nafta. Gogua në orën 7 të mëngjesit më njoftoi se në Divjakë shpërtheu një pus gazi fontane. Ky është sihariq i mirë, çelën perspektiva për të përdorur gazin në dobi të ekonomisë.

 

7 qershor 1966


I raportova shokut Enver mbi rezultatet e zgjedhjeve të Partisë në Ushtri. Ai u interesua në mënyrë të veçantë për edukimin në Forcat e Armatosura, për forcimin e disiplinës dhe për nevojën e lidhjes së Luftës Nacionalçlirimtare me programet ushtarake për edukimin e trupave. Më porositi për çështjen e unitetit të Partisë në Ushtri, për të punuar me kujdes vendimet, direktivat e Komitetit Qendror në organizatat e Partisë. Ushtria të marrë masa, më tha shoku Enver, të studiojë dokumentet e Luftës dhe nga ky studim të nxirret eksperiencë për ta futur në programet e edukimit ushtarak. Këto porosi ia bëra të njohur Drejtorisë Politike, të cilën e ngarkova të marrë masa sa më parë. Duhet kuptuar mirë direktiva për heqjen e gradave në Ushtri. Ka shumë të pakënaqur. Me sa duket gjeneralëve u ka djegur heqja e yjeve nga spaletat. Me këto duhet marrë mirë Drejtoria Politike, se ajo duhet të jetë fytyra e Partisë në Ushtri.


9 qershor 1966


Shkova në zonën e Koculit dhe në burimin e ri të naftës që është zbuluar në Gorisht. Zona e Koculit ka pësuar ndryshime të mëdha. Shumë toka janë vënë nën kulturë, po ndërtohen rezervuarë ujitës, prodhimi bujqësor këtë vit është i mirë. U ndalëm në Gorisht. Ky vit për Gorishtin e izoluar, Gorishtin pa rrugë, të varfër, të djegur, e zhuritur nga lufta, solli ndryshime. Viti bujqësor është i mirë. Puset e para të naftës kanë shpërthyer, nxjerrin naftë të kualitetit të lartë. Ky është fillimi. Rruga automobilistike e porsandërtuar të çon në Gorisht. Ai do të ketë dritën elektrike, ai do të kthehet në një qytet të vogël dhe qendër industriale e naftës. Edhe për gorishiotët që janë shquar gjatë gjithë historisë, sidomos në luftën e 1920-s dhe Luftën Nacionalçlirimtare, lumturia u vajti te pragu i derës. Ari i zi 1000 metra nën tokë është një det i madh. Naftëtarët tanë po e nxjerrin këtë pasuri, po e vënë në shërbim të popullit.
Në orën 15:00 u ktheva në Vlorë. U çlodhëm pak dhe u nisëm për Tiranë me avion. Për të parë bujqësinë kaluam me qëllim mbi zonën e Mallakastrës, Roskovecit, Osmanzezës së Beratit, mbi rezervuarin e Thanës, Hysgjoka, Rrogozhinë, mbi malësinë e Kavajës dhe nga Ishmi. Punë e madhe është duke u bërë kudo…


10 qershor 1966


Udhëtimi Tiranë-Vlorë dhe vizitat në Shashicë, Gorisht, Llakatund, Panaja që bëra këto ditë ishin të gëzueshme. Pashë dhe mësova shumë gjëra. Porsa erdhi shoku Enver në zyrë, shkova dhe e takova. U interesua për ta informuar mbi ato që pashë. I raportova për punën që ka bërë Ushtria në Shashicë, për zhvillimin e mirë të patates, për rendimentet e larta që do merren dhe për perspektivën e ngritjes në Shashicë të një ferme të veçantë me drejtim blegtoral. E informova për burimet e naftës në Gorisht, për masat urgjente që duhen marrë që të shfrytëzohet sa më shpejt nafta e këtij vendburimi.
I propozova që t’i ngarkohet Ushtrisë ndërtimi i Oleodotit. E aprovoi dhe porositi Adilin që ta shpejtojnë punën


19 qershor 1966


I mora leje shokut Enver dhe në orën 8:00 të mëngjesit u nisa për në Lushnjë dhe prej andej në Fier dhe në darkë arrita në Vlorë. Të them të drejtën, udhëtimi më i shpejtë dhe brenda një dite: Tiranë-Durrës-Kavajë-Lushnjë-Krutje-Toshkëz-Fier-Shegan-Qafë Gjepurit-Kurian-Roskovec-Fier-Pojan-Vlorë-Dukat ishte i lodhshëm shumë, por unë nuk e ndjeva lodhjen, jo pse jam i fortë, jo pse nuk ndiej lodhje, pse tashmë sado që nuk e jap veten, vetë mosha 51-52 vjeçare kërkon shumë kujdes, më pak lëvizje, por nuk e ndjeva lodhjen pse dëgjova nga shokët e Lushnjës dhe të Fierit që punën e korrjeve e kanë vënë përpara. Vizitova Azotikun e Fierit, i cili së fundi ka marrë pamje tjetër. Ai është një kolos. Shokët janë optimistë, do t’i japin ekonomisë qysh më 1967 jo 30.000 tonë plehra, si thotë industria, por 60.000 tonë.


21 qershor 1966


Punova gjithë ditën në zyrë. Fola në telefon me drejtuesit e tri rretheve për problemet konkrete. Shokët që më informuan janë optimistë. I porosita të organizojnë më mirë punën për mbledhjen e të lashtave dhe zgjedhjet, për t’u kujdesur për të rinjtë vullnetarë që kanë shkuar në aksione.


22 qershor 1966


Shoku Enver na informoi mbi bisedimet që do zhvillohen me delegacionin kinez, të kryesuar nga Çu En Lai. Në formë përmbledhëse paraqiti gojarisht ekspozenë që ai vetë kishte përgatitur. Unë e këndova gjithë materialin dy ditë më parë. Është një analizë marksiste nga e cila mund të nxjerrin mësime shokët kinezë mbi disa çështje, të cilat, sipas mendimit tim, nuk i analizojnë thellë e me syrin marksist, por i shikojnë me miopi politike, sikurse është çështja e Stalinit dhe mbi ekzistencën e klasave në socializëm. Shokët kinezë bëjnë disa veprime të dëmshme. Nuk mbajnë qëndrim të drejtë, gjë që u jep armë armiqve, revizionistëve e centristëve, të na luftojnë dhe të forcojnë autoritetin e pozitat e tyre në dëm të marksizëm-leninizmit dhe të lëvizjes, sikurse është rasti i Rumanisë. Shokët kinezë po bëjnë gabime të rënda me gjithë ato që flasin dhe shkruajnë në shtyp për Mao Ce Dunin. Të thuash “Idetë e Mao Ce Dunit” janë kulmi i marksizëm-leninizmit, është antimarksiste. Marksizëm-leninizmi nuk qëndron në vend. Ai zhvillohet, pra nuk mund të pranohet që kulmin e arriti Mao Ce Duni. Duke thënë kështu, në fakt, luftohet vepra e lavdishme e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit; do të thotë se këta klasikë nuk janë ata që hodhën themelet e teorisë dritëdhënëse, mbi të cilën bazohet e udhëhiqet klasa punëtore, komunistët e gjithë botës në luftën për çështjen e komunizmit, do të thotë që vetëm idetë e Mao Ce Dunit janë ato që përbëjnë teorinë ku duhet të mbështeten komunistët dhe revolucionarët. Të trumbetosh me aq bujë se Mao Ce Duni dhe idetë e tij janë dielli që ndrit njerëzimin, se ai dhe idetë e tij janë të vetmit që duhet t’i frymëzojnë komunistët, revolucionarët, punëtorët, fshatarët, inteligjencën etj. është antimarksiste. Jo Mao Ce Duni, jo vetëm idetë e tij, por në radhë të parë e mbi të gjitha është marksizëm-leninizmi, teoria e lavdishme e fitimtare, e përpunuar me aq gjenialitet nga Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini është ajo që ndriçon rrugën e popujve. Unë mendoj se kjo propagandë e shfrenuar në Kinë, duke ngritur në qiell Mao Ce Dunin, i ngjan asaj që i bënë Stalinit të madh revizionistët dhe trockistët e maskuar në BS, para dhe gjatë Kongresit të 19-të, Hrushovi, Mikojani e të tjerë tradhtarë. Armiq të tillë duhet të jenë edhe në Kinë. Ata maskojnë veten duke i thurur lëvdata Mao Ce Dunit, me qëllim që nesër të marrin frenat në dorë, dhe të kthehen në revizionizëm. Si duket në këtë situatë, elementët e shëndoshë, po të ngrënë zërin kundër këtij shpërthimi, të pafrenuar antimarksist që e bëjnë Mao Ce Dunin dhe idetë e tij kulmin e marksizëm-leninizmit, diellin, busullën ku duhet të mësojnë komunistët e revolucionarët e botës, likuidohen. Prandaj ata nuk e ngrënë zërin.
Kjo gjendje nuk më pëlqen dhe nuk e aprovoj. Ka rrezik që në gjirin e udhëheqjes kineze të jenë fshehur elementë revizionistë dhe nën flamurin e Mao Ce Dunit dhe mbrojtjes së ideve të tij, të luftojnë Mao Ce Dunin dhe nesër do të kërkojnë të përmbysin socializmin në Kinë. Të shohim në të ardhmen, qofsha unë i gabuar.


24 qershor 1966


Tirana e zbukuruar si kurrë ndonjëherë. Sot mbërrin në Shqipëri delegacioni kinez i kryesuar nga Çu En Lai. Ora 9:30. Të gjithë shokët e Byrosë Politike me në krye shokun Enver u nisëm për në aeroport. Në orën 10:30 mbërriti avioni kinez. Çu En Lai u përshëndet nga shoku Enver dhe gjithë shokët shpërthyen në brohoritje të vazhdueshme. U nisëm për në Tiranë. E shoqëruam deri në Pallatin e Brigadave. Në orën 13:00 i pritëm miqtë në Kryeministri. Në orën 17:00 filluan bisedimet midis të dy delegacioneve. Foli shoku Enver. Nga pala jonë merrnin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Në ora 20:00 u shtrua darkë. Shoku Enver mbajti një fjalim të rëndësishëm. U ktheva në shtëpi i lodhur. Shoku Enver megjithëse i lodhur për vete, sidomos nga mbledhja e pasdites, ku paraqiti ekspozenë, vazhdimisht më pyeste si isha. Atë duket se e shqetëson gjendja ime. Kjo më prek jashtëzakonisht. Ai interesohet pa masë për shëndetin e shokëve. Këtë e shoh edhe ndaj meje. Me të vërtet ne i jemi shumë borxhli atij. Asnjë prej nesh nuk e bën atë që bën ai për shokët. Më porositi të mos punoj, të mos marr pjesë në ceremoni, por të pushoj. Ashtu do të bëj, nesër, më datë 25, nuk do të marr pjesë në mbledhje, do pushoj në shtëpi…


27 qershor 1966


Profesor Fejziu dhe doktor Gjata e kanë bërë zakon çdo mëngjes të më kontrollojnë. S’ka asgjë të re, megjithëse ata vazhdojnë avazin. S’ke ç’bën. Midis dy delegacioneve vazhdojnë bisedimet. Besoj pasdite do mësojmë se çfarë çështje ka ngritur Çu En Lai. Fola me Shefqet Peçin, e njoftova të përgatitet me rastin e dekorimit. Në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej” u bë mitingu i madh. Mjekët nuk më lejuan të shkoj. Në miting foli shoku Enver dhe Çu En Lai. Fjalimi i shokut Enver ishte i mrekullueshëm. Edhe fjalimi i Çusë në përgjithësi ishte i mirë, por në të vihen re mjaft ide për të cilat ne nuk jemi dakord. Sidomos nje fare shpërfillje e tij per rolin e Stalinit. Këto janë absurditete.
Pasdite më informuan për vazhdimin dhe përfundimin e bisedimeve midis dy delegacioneve. U kënaqa shumë nga ndërhyrjet shumë të rëndësishme të shokut Enver për çështjen e Stalinit dhe mbi çështjen e klasave në socializëm. Analiza e shokut Enver duhet t’u shërbejë shokëve kinezë për të nxjerrë mësime…


10 korrik 1966


Këtë vit festa e Ushtrisë shoqërohet me ditën e votimeve për deputetë në Kuvendin Popullor. Është hera e parë që kur është çliruar Shqipëria që votoj në Vlorë dhe ajo që më gëzon është se qendra ku votova ishte shkolla plotore ku kam mësuar.


14 korrik 1966


Sot telegramet që më dërguan nga Ministra e Jashtme ishin shumë interesante, sidomos ato që bënin fjalë mbi kontradiktat në gjirin e udhëheqjes tradhtare jugosllave dhe me shkarkimin e Rankoviçit. Duket qartë se Tito dhe banda e tij po përpiqen t’i hanë kokën njëri-tjetrit. Shovinizmi, nacionalizmi, lufta për pozitë, kontradiktat e theksuara midis nacionaliteteve, gara që secili t’i shërbejë me zell padronëve të cilëve u janë shitur për të marrë fuqi në dorë, duket se ka marrë proporcione aq të mëdha, sa që këta tradhtarë janë vënë në luftë t’i hanë kokën njëri- tjetrit. Ja rezultati i tradhtisë! Ky është fillimi i shpërthimit. Në të ardhmen, me siguri, situata do të acarohet më shumë.
Erdhi profesor Fejziu dhe Gjata. Më vizituan. Gjendja është e kënaqshme. Fola me ta, i pyeta për shokët. U gëzova kur Fejziu më njoftoi për kontrollin mjekësor të shokut Enver dhe gjendjen e tij shëndetësore.


15 korrik 1966


Sot i gjithë populli mori dijeni për thirrjen e Kongresit V të Partisë. Porsa e mora gazetën këtu në Vlorë ku pushoj, më pushtoi një ndjenjë gëzimi për Partinë, e cila nxori popullin dhe vendin nga errësira shekullore dhe po e çon me hapa të shpejtë përpara. Kur mendoj punën e madhe që na del përpara për përgatitjen e Kongresit, nuk mund të rri i qetë, në djall të vejë edhe ky pushim shëndetësor i imponuar nga mjekët skupulozë. Pres me padurim 15 gushtin të filloj punën


27 korrik 1966


Me shokun Enver sot shkëmbyem mendime mbi perspektivën e zhvillimit të bujqësisë…


26 gusht 1966


Qëndrova në shtëpi. Lexova shtypin e ditës. Me sa lajmërojnë telegramet që vijnë nga Pekini dhe ato të ATSH-së, në Kinë zhvillohet një gjendje kaotike. Atje lufta për pozita midis udhëheqësve të lartë po bëhet më e qartë dhe më e theksuar. Duket se po largohen nga udhëheqja e Partisë dhe e shtetit kuadro të lartë me karakter revolucionar. Korrenti i Çu En Lait po fiton pozita. Veprimet e Gardës së Kuqe që po i jepet aq shumë bujë nga udhëheqja dhe shtypi kinez, tregojnë se nuk është Partia që drejton. Gjithçka po degjeneron. Gardës së Kuqe i kanë dhënë të gjitha fuqitë, gjithë kompetencat për veprim. Ajo bën ligjin, rendin. Veprimet që bëhen tregojnë se nuk janë spontane, por të nxitura nga udhëheqësit kundër partnerëve të tyre.


13 shtator 1966

Në takimin me Zoi Themelin nga ora 13:00-15:00, mësova mbi gjendjen serioze të krijuar në organizatën e Peshkopisë. Nuk më pëlqen aspak qëndrimi i Zoit, ai është në rrugë të gabuar. Letra që ka lëshuar Byroja e rrethit për organizatat (me firmën e Zoit dhe me përmbajtje thellësisht antiparti) dhe protokollet prej 100 faqesh të mbledhjeve të organizatave bazë, ku kundërshtohet fryma joparimore e letrës, të cilat i lexova deri natën vonë, më revoltuan. Më duket se Zoi ia ka hipur kalit mbrapsht. Nuk fjeta gjatë gjithë natës…


14 shtator 1966


Çështja që më preokuponte, që e shqetësoi shokun Enver, ishte informacioni që i dhashë mbi situatën e krijuar në Peshkopi. Atje Zoi Themeli që kryen detyrën e sekretarit të Parë ka krijuar një kaos të madh. Vendosëm të takohemi në KQ ne, tre sekretarët me Zoi Themelin. Dëgjuam me vëmendje Zoin dhe Hajriun (Hoxhën). Qëndrimi i Zoit është revoltues. Megjithëse është shumë i varfër nga mendja, i duket se di shumë, qesh me ironi dhe mospërfillje, kur Hajriu dhe shokët kundërshtojnë ndonjë mendim të tij. Ai është bërë si Koçi Xoxe në Peshkopi, por mundohet të justifikohet para shokëve me djallëzi. Taktika nuk i shkoi deri në fund. Zoi ra nga fiku kur ndërhyri shoku Enver. Në sipërfaqe u duk se e kuptoi gabimin, por në të vërtetë mendjemëdhenjtë zor të njohin gabimet. Sidoqoftë, Partia nuk mund ta lërë me kaq punën e tij…


1 nëntor 1966


U çel Kongresi V i Partisë. Në orën 8:00 të gjithë miqtë e huaj (kryetarët e delegacioneve të më se 27 partive) bashkë me Byronë Politike zunë vend në Presidiumin e Kongresit. Deri në orën 20:00 shoku Enver lexoi raportin. Gjatë tërë ditës isha i shqetësuar për shëndetin e tij. Ai lexoi raportin për afro tetë orë pa ndërprerje. Punë e lodhshme. U gëzuam që e ndjente veten mirë. E përqafuam porsa e përfundoi…


7 nëntor 1966


Vazhdojnë diskutimet në Kongresin e Partisë


8 nëntor 1966


Kongresi V i Partisë u mbyll me Internacionalen. Në mbrëmje me Ramizin shkuam për të përshëndetur delegatët e ftuar që ishin në hotel “Dajti”


22 nëntor 1966


Mbasdite, ora 16:00, morëm pjesë si Byro Politike në mbrëmjen akademike që organizoi rinia me rastin e 25-vjetorit të themelimit të organizatës së saj. Në pallatin e sportit “Partizani” ishin 5000 vetë.


23 nëntor 1966


Gjithë paraditen unë dhe Ramizi patëm bisedime me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Marksiste-Leniniste të Brazilit. Ato qenë shumë të dobishme. Mbi të gjitha çështjet kishim unanimitet mendimesh. Partia e Brazilit qëndron në pozita të shëndosha marksiste. Shoku sekretar, kuadër i përgatitur me një logjikë të thellë, revolucionar i sprovuar. Biseduam dhe zgjidhëm shumë çështje që ka mundësi të japë ndihmë Partia jonë partisë motër të Brazilit…


27 nëntor 1966


Në orën 9:00 shkuam në Xhafzotaj, mora pjesë në inaugurimin e nënstacionit të ri. Teknikë e mrekullueshme kjo e RTSH. Tashti zëri i Partisë dhe i popullit tonë do të dëgjohet në të katër anët e botës. Ja këto janë raketat tona me qitje të gjatë veprimi që imperialistët dhe reaksionarët bëjnë aq shumë zhurmë dhe ia kanë frikën Shqipërisë.
Në orë 15:00, bashkë me Viton, u nisëm për në Vlorë. Në vilën numër 3 ishte Gogua (Nushi) me fëmijët. I bëmë vizitë, biseduam gjatë.


3 Dhjetor 1966


Porsa erdhi shoku Enver në zyrë, pas 15 ditë vizitash në rrethet e Jugut, i raportova për punët dhe për bisedimet që patëm me sekretarin e Përgjithshëm të PK të Brazilit, Amazonas. Gjatë ditës pata bisedime me Xhafer Spahiun, me Pipi Mitrojorgjin, Leka Shkurtin për probleme që duhet të kemi parasysh si aparat i KQ. Pasdite u takova përsëri me shokun Enver dhe me Haxhi Lleshin. Nesër do të nisem për në Korçë.


10 dhjetor 1966


Zbrita në Korçë. Ora 10:00. Pas një vizite në fabrikën e qelqit, shkova për t’u takuar me gruan e Themistokli Gërmenjit. U gëzua shumë. Në orën 15:00 u nisa për në Pogradec. Isha shumë i lodhur. Gjumi nuk më zinte. Koka më ka dhembur gjatë gjithë kohës që kam qenë në Korçë. Sheqeri m’u ngrit çuditërisht mbas një periudhe pesëmujore që po përdor insulinë.


15 dhjetor 1966


Punova në zyrë. Fola me rrethet Gjirokastër, Elbasan, Korçë. Më informuan për punët. Më vonë dëgjova Manushin(Myftiun) për plenumin dhe probleme të tjera të Tiranës. Shkuam bashkë te shoku Enver. Manushi raportoi për gjendjen.


17 dhjetor 1966


Mbledhje e Sekretariatit. Të tre sekretarët dëgjuam punonjësit e aparatit mbi zhvillimin e plenumeve në rrethe. Mbledhja zgjati deri në orën 15:00.


26 dhjetor 1966


Bisedova me Ramizin për dërgim ekipesh në fshat të përbërë prej shkrimtarësh, piktorësh e artistësh, që të njihen me jetën dhe luftën e popullit për realizimin e detyrave që shtron Partia.

30 dhjetor 1966


Informata të gëzuara nga zonat malore të Veriut. Kolektivizimi i fshatrave malore shkon mirë. Malësorët e Veriut po i përgjigjen thirrjes së Partisë. Mirdita e përfundoi kolektivizimin. Peshkopia brenda një muaji bëri 75 fshatra kooperativë bujqësore. Në Pukë po ecet mirë. Sot Tropoja i dha fund kolektivizimit. Vetëm Kukësi është akoma mbrapa.

 

 

 

1967



4 janar 1967


Biseduam me shokun Enver për probleme të metodës së punës të aparatit, mbi planin e problemeve që duhet të marrë në shqyrtim Komiteti Qendror, Byroja Politike, Sekretariati dhe mbi planin e veçantë të aparatit. Shoku Enver më dha mendime shumë të vlefshme.


6 janar 1967


Dita e fundit në zyrë para nisjes për në Pekin. Nesër në mëngjes nisem për në Romë me avionin tim. Nxora nga dora çështjet që kishin mbetur. I raportova shokut Enver problemet korente që u lashë shokëve për t’i ndjekur. Ai më dha këshillat e fundit përpara nisjes.


Kajro-Egjipt, 10 janar 1967


Vij për herë të parë në Egjipt. Qytet i madh, por duket varfëria dhe kaosi. Vizituam Xhaminë e Mehmet Aliut në kodër që dominonte Kajron, muzeun historik, piramidat, Sfinksin. Vepra madhështore, të çuditshme. Hëngrëm drekë në restorantin grek të Andreas, i dalluar për gatim. Në orën 16:00 bëmë takim me punonjësit e ambasadës dhe gratë e tyre. U folëm mbi Kongresin e Partisë dhe gjendjen në Shqipëri. U ndamë përzemërsisht me ta. Duhet të nisemi për aeroport, ora 18:15, avioni niset për Pakistan.


Pekin, 21 janar 1967


Gjithë paraditja kaloi në spital. Pres me padurim ditën kur do të nisem për në Shqipëri. Më duket sikur jam në tokën mëmë kur vete në ambasadë. Ç’mallohem atje, shoh një ambient të vogël, shqiptar. Në orën 15:30 shkova në ambasadë. U takova me shokë, biseduam. Atje piva një kafe vendëse. Kadriu, shoferi i ambasadës nga Petrela është i shkathët dhe bën kafe të mirë. U largova para orës 17:00 sepse më njoftuan se shoku Kan Shen donte të takoheshim. Në fakt, nuk erdhi, kërkoi ndjesë, sepse i kishte dalë një punë urgjente.

 

 

Pekin, 24 janar 1967


U zgjova në orën 3:30 të natës. Koka më dhembi për 12 orë rresht, mora 4 aspirina brenda 12 orëve. Ora 11:00, shkova në spitalin e Marinës për të bërë encofoliogramin. Për drekë erdhi Vasili dhe Kleopatra, qëndruam deri në orën 14:00. Në orën 15:00 shkova në spital për të më bërë kontroll duart nga një mjek neurolog, që kish ardhur me tre të tjerë nga Shangai, apostafat. Kur u ktheva nga spitali, kaluam me makinë deri te Pallati i Asamblesë. Ecëm më këmbë. Pallati ishte i rrethuar me roje, duket udhëheqja ka mbledhje të gjerë me kuadrot. Sheshi “Tien An Men” ka gjallëri të jashtëzakonshme. Shumë gardistë na shikonin nga larg me kuriozitet. Është zor të afrohesh, ata të rrethojnë dhe s’të lëshojnë. Tentova të pyes dy prej tyre, u turrën me qindra. Kur i dhashë njërit një stemë, nuk mund të mbaheshin, secili kërkonte t’i dhuroje. Sidoqoftë, gardistit nga Kantoni ia dhashë në dorë, pastaj u dhashë dhe 10-15 vetave. Nuk u thashë se jam shqiptar.


Pekin, 27 janar 1967


Në orën 11:00 erdhi sekretari i Parë i Partisë së Malajes, shoku Cen Pin (Hun Tao pseudonim), bashkë me shokun Çuan Sen. Biseduam gjatë mbi probleme të ndryshme që u interesojnë të dy partive tona. I fola mbi gjendjen në Shqipëri, punën që bëhet, mbi pikëpamjen e Partisë sonë si duhet luftuar revizionizmi, mbi vlerësimin që i bën Partia jonë çështjes së Stalinit. Shoku Cen Pin foli mbi gjendjen në Malaja dhe si mendon partia e tyre të luftojë brenda, të luftojë kundër revizionimit. Hëngrëm drekë së bashku. Gjatë drekës vazhduam shkëmbim mendimesh për çështje të lëvizjes komuniste dhe sidomos për veprën e Stalinit dhe figurën e tij. U ndamë nga ora 16:30. Në adresë të Partisë sonë, të shokut Enver, shprehu fjalët më të ngrohta, më të mira, stimën më të lartë. Shkova në 17:30 në ambasadë. U bëra vizitë në shtëpi shoferit dhe radistit. U gëzuan pa masë. Sot në qytet lëvizja e madhe, trupa ushtarake, qarkullim kuadrosh me kapele dhe tabela nëpër rrugët e Pekinit, sidomos pranë Ambasadës Sovjetike.


Pekin, 28 janar 1967


Kënaqësi e madhe, na erdhën gazetat nga Shqipëria, do të jetojmë disa çaste midis problemeve në të cilat është angazhuar Partia dhe populli ynë i dashur. Posa mbarova kurat e mëngjesit, fillova të lexoj “Zërin e Popullit” dhe “Bashkimin”. Kam material për të lexuar deri në drekë. Kjo më gëzon shumë. Më duhet të bëhem gati, se në orën 16:00 do të shkoj për vizitë në fabrikën e fijeve sintetike. Erdhi shoku Çen Ji për të na shoqëruar. Çen Ji ka ndryshuar, duket i lodhur, i dobët dhe jo me humorin e zakonshëm. Gjatë gjithë kësaj lufte të madhe të revolucionit kulturor ka pasur edhe ai telashet e tij. Punëtorët në fabrikë na pritën me përzemërsi të jashtëzakonshme, me entuziazëm dhe brohoritje. Kudo ku njerëzit kinezë marrin vesh se je shqiptar, nuk dinë ç’të bëjnë për të shprehur ndjenjat e miqësisë, dashurisë ndaj Partisë sonë, popullit tonë, shokut Enver.


Shangai, 7 shkurt 1967


U përshëndetëm me personelin shërbyes të shtëpisë ku banova. Në aeroport na prisnin Çu En Lai, Kan Shei, Van Li, Li Hsien Nien, ushtarakë etj. Kaluam duke përshëndetur masën e ushtarëve dhe gardistëve, gati 2000 veta. U përshëndetëm me shokët udhëheqës, Çu En Lai më dha dy distinktivë të Mao Ce Dunit. Mbërritëm në Shangai në orën 13:00. Na pritën në aeroport shokë të rinj, punëtorë dhe gardistë. Elementët e vijës borgjeze që ishin në udhëheqje, u përmbysën na thanë. Vizituam fabrikën e tekstileve Nr.7 të Shangait dhe portin. U takuam me punëtorë, na pritën shumë ngrohtë. U fola gjatë. Në port i fola masës punëtore me mikrofonin që na sollën vetë, në hapësirë, jashtë. Në mbrëmje shokët që drejtojnë punën në Shangai na shtruan darkë. Me avionin pakistanez, në orën 12(24) u nisëm për në Karaçi.


Karaçi, 8 shkurt 1967


Gjatë udhëtimit me avion Shangai-Karaçi u ndalëm në Daka. Qëndruam në aeroport. Kishte dalë konsulli kinez. Na çuan në sallën e pritjes së autoriteteve. Një plak me mjekër të madhe, i dobët, luante rolin e kujdestarit, ai solli librin e firmave të autoriteteve. Vazhduam udhëtimin për në Karaçi. Mbërritëm në mëngjes herët. Nga ora 10:00, dolëm me makinë për të parë qytetin. Karaçi i tmerrshëm, aty sheh dy botë, botën e të pasurve dhe të të mjerëve. Për ne është e vështirë të jetohet në një ambient të tillë. Sa më shumë ta vizitojmë qytetin, aq më shumë duket mjerimi. Hëngrëm drekë dhe dolëm prapë pasdite, shkuam në plazhin mizëri të qytetit prej 3 milionë banorësh. Presim me padurim nisjen, nuk mund të qëndrohet në Karaçi, të prishet gjaku nga mjerimi dhe varfëria. Në orën 23:30 shkuam në aeroport dhe u nisëm për në Kajro-Romë. Udhëtim i mrekullueshëm.


13 shkurt 1967


Në orën 9:30 u nisëm për Bari me Alitalia. Udhëtuam mirë. Nga lart, në Aeroportin e Barit pamë që kish ardhur avioni ynë. Gëzim i papërshkrueshëm, do takohemi me shokët që sapo kanë ardhur nga Shqipëria. Ata do na flisnin për të rejat. Kur zbritëm, u takuam me Babaçen dhe shokët, i pyetëm dhe na folëm me entuziazëm për shumë gjëra. Avioni ynë mbërriti në Tiranë në orën 13:00. Ramizi, Hakiu, Manushi etj. na prisnin. U përshëndetëm me dashuri me ta, me shokët, me fëmijët. Shkuam direkt në Komitet Qendror, te shoku Enver. U përqafuam, folëm gjatë deri në orën 15:00. U ndamë. Shkova në shtëpi, u takova me nënën, me fëmijët, me të gjithë.


14 shkurt 1967


Punova në shtëpi, u përgatita për mbledhjen e Byrosë Politike që kemi më datën 15, ku do të informoj mbi gjendjen në Kinë.


16 shkurt 1967


Punova në zyrë. U informova nga shokët mbi gjendjen, punët dhe problemet. Mbasdite mora pjesë në mbledhjen e komunistëve të lagjes. Ishim afro 200 veta. Foli Misto Bllaca për problemet e lagjes dhe detyrat e komunistëve. Diskutuan 5-6 shokë.


17 shkurt 1967


Më njoftuan se Gaqo Tashko vdiq. Më erdhi keq. Shok i mirë, i ndershëm, punëtor i palodhur, besnik. Porosita të merren masa për varrimin, të venë edhe emrin tim në nekrologji. Do të marr pjesë në varrim.


21 shkurt 1967


I raportova shokut Enver mbi probleme të Partisë, sipas të dhënave të rretheve dhe të instruktorëve. Biseduam çështje të punës politike në ushtri dhe në organet e punëve të brendshme.


19 shkurt 1967


Paradite qëndrova në shtëpi. Erdhën shoku Enver dhe Nexhmija, më vonë Manushi. Biseduam mbi problemet e mëdha shoqërore me të cilat sot është angazhuar Partia dhe populli, për problemin e gruas, për zakonet prapanike, për të këqijat e fesë dhe luftën kundër saj, për punën e kujdesshme që duhet të bëjmë në mënyrë që të zbatohen drejt udhëzimet dhe orientimi i Partisë. Iniciativa për të mbyllur kishat dhe xhamitë ecën mirë. Një sukses ky i paparë. Një revolucion më vete, që do ta bëjë Shqipërinë vendin e parë në botë pa institucione kulti…


22 shkurt 1967


Ramizi na foli gjatë mbi punën që bëri ekipi në Shkodër. Del se ka shumë probleme për t’i shqyrtuar mbi punën politike e të Partisë në ushtri. Del se aparati i Komitetit Qendror dhe ne sekretarët duhet t’i futemi punës më thellë në këtë sektor dhe të ushtrojmë kontroll, t’i ndihmojmë. Roli i Partisë në ushtri duhet të zërë vendin kryesor dhe jo sekondar, jo si aneks i punës ushtarake. Prita prokurorin e Përgjithshëm dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, i dëgjova mbi punët. Shqyrtuam një sërë problemesh që i preokupojnë dhe arritëm në konkluzione si duhet të punohet.


23 shkurt 1967


Sot u bë mbledhja e Sekretariatit. Shqyrtuam dy çështje kryesore: puna politiko-ideologjike dhe puna e Partisë në organet e punëve të brendshme e të kufirit, si udhëhiqen nga komitetet e Partisë të rretheve dhe problemet e përgjithshme të kuadrit. Shoku Enver foli shumë mbi forcimin e punës politike, ideologjike dhe organizative të Partisë në këto organe, mbi luftën kundër shumë shfaqjeve negative që shihen në mjaft njerëz të këtyre organeve, mbi shkaqet dhe si duhet punuar. Shtroi detyra të rëndësishme. Mbasi mbaruam mbledhjen, i kërkova leje shokut Enver të nisem për Shkodër. Nesër është seminari me sekretarët e Partisë së zonave të thella.


25 shkurt 1967


Vizitova punimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës, vepër madhështore, e projektuar dhe do ndërtohet nga punonjësit tanë. Bisedova me drejtuesit e punimeve dhe me punëtorët. Shkova nga Kopliku i Sipërm për të parë bujqësinë. U takova me kryetarë kooperativash. Puna që kanë bërë në Shkodër për të përvetësuar zonën gurore, që në shekuj ka qenë e shkretë, është për t’u lavdëruar. Shkëmbyem mendime si të punohet për pasurimin e këtyre tokave. Vizitova fabrikën e përpunimit të patates të ndërtuar me iniciativën e punonjësve shkodranë.


26 shkurt 1967


Ditë e bukur! Dolëm me Viton nga shtëpia në kodër, buzë liqenit. Qëndruam, biseduam, shijuam natyrën e bukur pranverore, plot diell të Tiranës. Erdhi shoku Enver. Qëndruam së bashku, folëm për punën e seminarit në Shkodër, për probleme ideologjike, për çështjet që mori në shqyrtim Byroja Politike, sidomos për kooperativat e reja të zonave malore. Shoku Enver ngriti një problem shumë të rëndësishëm me karakter ideologjik, akut, delikat e që duhet të bëhet çështje e madhe e Partisë dhe e masave: luftën kundër ndjenjës së pronësisë private, interesit privat, edukimi i masave që gjithçka t’ia kushtojnë shoqërisë, ekonomisë kolektive. T’i shpallet luftë ndjenjës së pronësisë, interesit privat.

 

 

 

1970

 

1 JANAR 1970


Viti 1969 ishte një vit i pasur me shumë ngjarje. Viti që porsa erdhi do të jetë viti i progresit…


7 JANAR 1970


Qeveria bën mbledhjen në Durrës. Analizohet puna e vitit 1969 dhe detyrat për vitin 1970. Erdhi shoku Enver në zyrë. Dolëm bashkë. Biseduam për çështje të ndryshme deri sa u ndamë për në shtëpi. Ka rënë epidemia e gripit. Megjithëse nuk ka pasur vdekje, shokët janë dobësuar shumë.


8 JANAR 1970


Në zyrë thirra shokët për të dëgjuar raportet nga terreni. Sot më njoftuan se vdiq shoku Foni Done. Ishte shok i vjetër, shok i mirë, bolshevik.


10 JANAR 1970


Bisedova me shokun Enver. Shkëmbyem mendime për çështje të ndryshme. Pasdite punova në shtëpi me materialet e mbledhjes së Byrosë dhe të Sekretariatit.


15 JANAR 1970


Sot u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike për problemet e Shkollës së Partisë dhe shkollave ushtarake. Foli shoku Enver.


3 SHKURT 1970


Erdhi shoku Enver në zyrën time. Biseduam mbi projektin e pesëvjeçarit të pestë. Studimi i paraqitur nga qeveria për këtë nuk është i plotë. Është një projekt i pathelluar në një analizë, sidomos për drejtimet kryesore të zhvillimit. Ka koncepte që shumë gjëra të bëhen me kredi nga jashtë dhe jo nga burimet tona. Ka vetëkënaqësi për rezultatet në bujqësi. Nuk duhet të importojmë bukë, vaj dhe prodhime bujqësore, ato duhet t’i bëjmë në vendin tonë.


7 SHKURT 1970


Bashkë me Ritën sot shkuam në Kavajë. Bëmë një konsultë me punonjësit e SMT-ve. Duket se në SMT, çështje e pagave dhe normave duhet rishikuar. Ka qëndrime të palejueshme dhe të pandërgjegjshme të disa traktoristëve. Ata punojnë për të marrë para, por jo si të prodhohet më shumë. Kjo është frymë e sëmurë antisocialiste.


13 SHKURT 1970


Thirra disa shokë për punën që kanë bërë jashtë shtetit për blerjen e farës së misrit hibrid dhe fidanë. Dhashë udhëzime si duhen mbjellë këto fidanë. Shoku Enver erdhi në zyrën time dhe dolëm të dy bashkë. Afër shtëpive u ndamë. Shkuam për të hëngër drekë.


27 SHKURT 1970


U bë mbledhja e Sekretariatit të KQ. Zgjati deri në orën 14:00. Pas mbledhjes bashkë me shokun Enver pamë maketet dhe projektet e Monumentit të Dëshmorëve të Lirisë. Në orën 15:00 shkuam në shtëpi.


18 MARS 1970


Erdhi ministri i Mbrojtjes, biseduam për problem të ndryshme të Ushtrisë.


21 MARS 1970


U bë mbledhja e Byrosë Politike. Zgjati gjithë ditën. Foli shoku Enver dhe shtroi çështje të rëndësishme kuadri.


28 MARS 1970


Në rafinerinë e re të naftës në qytetin Stalin. Ajo është projektuar dhe ndërtuar nga njerëzit tanë. Kur shkova në Komitetin e Partisë së rrethit mora vesh se Gogo Nushi është shumë rëndë. U shqetësova. Fola me Ramizin. Situata më preokupon.


6 PRILL 1970


Në Vlorë. Bashkë me shokun Enver shkuam për shëtitje nga shtëpia NR 5. Biseduam për probleme ndërkombëtare, sidomos për vizitën e Çu En Lait në Kore, për gjendjen në Bashkimin Sovjetik, për aleancën sovjeto-japonezo-amerikane dhe efektet që shkakton kjo brenda Bashkimit Sovjetik dhe tek aleatët e tij. Shoku Enver pasdite më foli për disa probleme të rëndësishme që kanë të bëjnë me edukimin e rinisë. Qëndruam bashkë deri në orën 20:30.


9 PRILL 1970


U ngrita herët. Nuk më zuri gjumi tërë natën. Morëm njoftim se Gogua është shumë rëndë; u bëmë gati të niseshim. Në orën 8:00 na njoftuan se zemra e Gogos pushoi. U nisëm bashkë me shokun Enver. Mbërritëm në Tiranë në orën 11:30. U takuam me shokët në shtëpinë e Partisë. Shkuam për ngushëllim në shtëpinë e Gogos. Byroja Politike më vendosi në krye të komisionit që do të organizojë ceremoninë mortore. Shkova te shoku Enver dhe i raportova për masat.


13 PRILL 1970


Sot Amerika lëshoi tre astronautë në Hënë. Shkenca po bën mrekullia. Ajo zhvillohet në mënyrë të fuqishme në të gjitha fushat. Si duket sovjetikët kanë mbetur mbrapa në drejtim të astronautikës. Ata akoma nuk kanë dërguar njerëz në planet dhe të kthehen përsëri në Tokë.


16 PRILL 1970


Sot Besniku mbush 20 vjeç. Gëzim i madh për ne prindërit dhe gjithë të dashurit e zemrës. Nuk e festuam ashtu si e donte dëshira, për shkak të dhimbjes për vdekjen e Gogos. Të shohim nga vera kur të mblidhemi të gjithë: Vera, Pëllumbi me shokët dhe fëmijët e tyre.


17 PRILL 1970


Mora pjesë në sesionin shkencor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së udhëheqësit të madh, Leninit. U takuam me shokun Enver. Sot ai doli në zyrë. Na foli për procesin e degjenerimit të Bashkimit Sovjetik në një klikë fashiste dhe qëllimet e përbashkëta që ndjekin ata me amerikanët kundër marksizëmleninizmit dhe komunizmit. 24 PRILL 1970 Bashkë me shokët shkuam në shtëpinë e shokut Enver për ta ngushëlluar për vdekjen e Farijes (motrës).


11 MAJ 1970


Bashkë me shokun Enver dëgjuam ministrin e Ndërtimit për planin rregullues të Vlorës. Në bazë të orientimit që kishte dhënë shoku Enver që në verën e vitit të kaluar, për të parë perspektivën e zhvillimit të qytetit në drejtimin Skelë-Ujë i Ftohtë, shokët e projektit kishin punuar me kujdes dhe kishin bërë një projekt të mirë. Shoku Enver në përgjithësi aprovoi projektin dhe dha porosi për disa përmirësime të mëtejshme…


14 MAJ 1970


U mora me shokët e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorinë Speciale për të përcaktuar masat e nevojshme që duhen marrë me rastin e vizitës së shokut Enver në Veri.


18 MAJ 1970


Bëmë mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes. Përveç anëtarëve të Këshillit, ishin thirrur Petriti, Hitua, Rahmani, Sadiku, Halimi, Vaska, Sul Domi e Dilaveri. Nga paraqitja që bënë lidhur me tezat e Këshillit të Mbrojtjes dolën mjaft probleme në Ushtri që duhen studiuar dhe thelluar më tej. Në mënyrë të veçantë shoku Enver që foli në fund bëri mjaft vërejtje, kritika dhe dha disa orientime të rëndësishme. Duket që ishgjeneralët, të pakënaqur nga heqja e gradave, kanë dalë nga binarët e Partisë. Po Partia shikon dhe vepron. (Shkollat e Lira)


5 QERSHOR 1970


Sot shoku Enver u kthye në Tiranë pas një vizite disaditore në rrethet e Veriut. Pasdite në shtëpinë e Partisë biseduam bashkë për problemet e konstatuara gjatë vizitës 9-ditore në Veri.


29 QERSHOR 1970


Në orën 13:00 në sallën e plenumeve ishin ekspozuar maketet për Monumentin e Pavarësisë. Shkuam bashkë me shokun Enver. U takuam me skulptorët. Shoku Enver bëri vërejtje për të përmirësuar përmbajtjen e maketit.


6 KORRIK 1970


U ngrita herët, në orën 05:30. Vitua niset për në Sarandë, do qëndrojë një javë. Besniku nesër shkon në Dibër për të bërë punën prodhuese. Jam vetëm këtë javë, përveç Andit të vogël, asnjeri nuk kam në shtëpi.


4 NËNTOR 1970


Sot mora një lajm të gëzuar. Vera u pranua kandidate për anëtare e Partisë. I uroj Verës të ndjekë me besnikëri rrugën e komunizmit…


5 NËNTOR 1970


Mora pjesë në konferencën akademike për përfundimin e elektrifikimit të vendit.


8 DHJETOR 1970


Mbledhje e Byrosë Politike. Morëm në shqyrtim probleme të udhëheqjes së Ushtrisë dhe përgjegjësinë e kuadrove kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes. Byroja Politike kritikoi rreptë e drejt qëndrimet negative të drejtuesve kryesorë të Ushtrisë. Ka kohë që aty diçka parimore nuk shkon si duhet…


11 DHJETOR 1970


U takova me shokun Enver. Biseduam për punën e konkluzioneve të Byrosë Politike mbi punën në Ushtri dhe qëndrimet negative të udhëheqësve të saj. Shoku Enver më porositi që çështjen e drejtuesve të Ushtrisë ta shikojmë në vijim me shumë kujdes e vigjilencë.

 

 

 

 

1971

 

 

6 shkurt 1971


Mbasdite, në orën 16:40, bëmë ceremoninë e dekorimit të shoqes Nexhmje Hoxha me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Erdhi edhe shoku Enver. Të gjithë u gëzuan pa masë. Kolektivi i aparatit i dorëzoi një mesazh. Nexhmija lexoi një fjalim shumë prekës dhe me përmbajtje të lartë.


17 shkurt 1971


Nga Kina morëm lajm se një nga udhëheqësit kryesorë, Cen Po Ta, doli tradhtar. Numërohen fajet e tij që prej 40 vitesh më parë e deri sot. E çuditshme si ndodh që këta tradhtarë në gjirin e udhëheqjes kryesore nuk po mbarojnë.
Rita sot ka ditëlindjen, shkuam për urim.


8 mars 1971


Në Vlorë. Bashkë me Viton shkuam për vizitë te shoku Enver, që po pushon te shtëpia te Uji i Ftohtë. Atje qëndrova për drekë. Shoku Enver foli gjatë për problemet e Ushtrisë dhe të përgatitjes për mbrojtje nga armiqtë e shumtë. Më tha se shumë shpejt për këto çështje duhet të bëjmë një Plenum.


10 mars 1971


Nisa pushimet në Vlorë.


7 prill 1971


Sot kujtojmë ditën e zezë kur u pushtua Shqipëria nga Italia fashiste. Mbreti satrap, Zogu, me gjithë bandën e tij e kishin shitur me kohë Shqipërinë tek Italia fashiste. Ai si mbret kukull sundoi mbi 14 vite nën mbrojtjen dhe mbështetjen e Italisë. Populli e urrente këtë xhelat dhe tradhtar. Okupacioni fashist u prit me armë. Satrapi Zog me bandën e tij mbushi valixhet me thesarin e vendit dhe i lanë rrugën të hapur okupacionit. Ai u largua për të mos u kthyer më kurrë.


24 prill 1971


Morëm pjesë në festën e aviacionit. Erdhi edhe shoku Enver e Myslim Peza. U bë një demonstrim i shkëlqyer ajror. Në përfundim foli edhe shoku Enver. Ai ngriti çështjen e mbrojtjes dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me stërvitjen. Nga Rinasi në Tiranë u kthyem me helikopter. Ashtu edhe shkuam. Shoku Enver sot për herë të parë udhëton me helikopter të Ushtrisë.


1 maj 1971


Sot parakalimi i klasës punëtore. Me shokun Enver u takuam në shtëpinë e Partisë. Uruam njëri-tjetrin për festën. U nisëm në drejtim të Dajtit për të zënë vend në tribunën e parakalimit. Në darkë asistova me Viton në hedhjen e fishekzjarrëve. Morëm me vete edhe Andin. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm, sidomos kur hidheshin fishekzjarrët.


9 maj 1971


Në darkë u takova në shtëpinë e Partisë me shokun Enver dhe shokët e tjerë. Këndova fjalimin e Titos në kongresin e vetëadministrimit. Duket qartë se gjendja është kaotike. Titua dhe vija e tij falimentoi. Tashti Jugosllavia ka filluar luftën midis grupeve, republikave e kombësive, e cila me siguri do të thellohet më tepër me gjithë kërcënimet që bën Titua se do të marrë masa ndaj shkaktarëve.


1 qershor 1971


Çaushesku zbriti në Pekin. U prit me nderime të mëdha nga udhëheqësit kinezë, nderime që nuk i meriton si drejtues i një vendi që e heq veten si socialist. Partia Komuniste rumune me Çausheskun në krye po luan rolin më të ndyrë në interes të imperializmit dhe të revizionizmit. Pritja që i bëhet në Kinë, ndihmon këtë tradhtar të fitojë kapital si brenda, edhe jashtë vendit dhe të veprojë më aktivisht kundër komunizmit ndërkombëtar.


30 qershor 1971


Qëndrova në shtëpi. Më ka zënë belaja me mjekët. Ngulin këmbë të mos dal. E bëjnë djallin më të zi nga sa është. Më vjen keq që nuk mora pjesë në plenum.


14 korrik 1971


U vura në korent mbi veprimet e gabuara të skuadrës së volejbollit të Shkodrës që ishte në Kosovë dhe me kuptimin jo të drejtë që ka në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë. Si duket, ka lëshime edhe nga organet qendrore që dobësojnë vigjilencën. Shoku Enver më porositi të vëmë rregulla të forta për njerëzit që shkojnë jashtë shtetit.


16 korrik 1971


Sot Radio Pekini dha komunikatën zyrtare që bën fjalë për takimin e përfaqësuesit të Niksonit me Çu En Lain për ftesën që i bëhet Niksonit për të shkuar në Kinë, ftesë të cilën Niksoni e priti me kënaqësi. Kreu i imperializmit amerikan, krimineli dhe xhelati i popujve, armiku i egër i njerëzimit, shkon për vizitë në Pekin, i ftuar nga kryeministri kinez. Pse ky komplotist dhe luftënxitës ftohet të vejë në Pekin? Këtu nuk ka logjikë marksiste. Armiku i njerëzimit nuk duhet të shkojë në një vend socialist. Këtë mundësi ia dha udhëheqja kineze dhe ky është një gabim i madh dhe nxjerr në shesh karakterin e vijës politiko-ideologjike të partisë dhe qeverisë kineze, sigurisht vijë e gabuar, jo konsekuente. Partia jonë nuk mund të jetë kurrë dakord me një politikë të tillë. Nuk është marksiste të shikosh interesat e ngushta nacionale, në dëm të internacionalizmit proletar.


17 korrik 1971


Mbrëmë biseduam deri vonë me shokun Enver për vizitën e Niksonit në Kinë. Shoku Enver theksoi se vetëm Marksi e Lenini punuan e luftuan deri sa vdiqën si revolucionarë dhe internacionalistë, duke mos lejuar në asnjë rast shfaqje të interesave të ngushta nacionale. Kurdoherë vunë në plan të parë interesat e revolucionit dhe të internacionalizmit. Kjo nuk ka ndodhur me të tjerët, ashtu siç nuk po ndodh sot në Kinë me udhëheqjen kineze.


24 korrik 1971


Lexova materialet që solli Xhoxhi Robo lidhur me bisedimet e Cu En Lait për vizitën e Niksonit në Kinë. Është me të vërtetë revoltonjëse dhe për të ardhur keq jo vetëm kur sheh argumentet që përdor Çu En Laji për të justifikuar ftesën që iu bë Niksonit, por edhe për faktin që ndaj kriminelit dhe vrasësit Nikson shokët kinezë kanë tre vjet që mbajnë qëndrim dashamirës dhe bëjnë negociata. Ndërkohë në propagandën e jashtme nuk kanë lënë gjë pa thënë për imperializmin amerikan dhe Niksonin.
Ndërkohë që Niksoni me ushtrinë e tij i ka sjellë aq vuajtje popullit vëlla vietnamez, i cili ka 20 vjet që lufton me armë në dorë dhe ka humbur mbi një milion djemtë të tij në fushën e betejës, shokët kinezë bëjnë tratativa për të ardhur Niksoni në Kinë. Sa turp! Ku është internacionalizmi proletar? Ku është besnikëria ndaj çështjes së revolucionit, komunizmit dhe popujve? Nuk ka bërë vaki as në praktikën e vendeve borgjeze që të ftohet një kryetar shteti me të cilin nuk ke marrëdhënie diplomatike. Niksoni dhe paraardhësit e tij e kanë përbuzur e luftuar aq shumë Kinën dhe të drejtat e saj dhe ky armik i betuar ftohet në Pekin(!).


2 gusht 1971


Në mbledhjen e Byrosë Politike shqyrtuam përgjigjen që do t’u japim kinezëve me rastin e ftesës që i kanë bërë Niksonit. Me të drejtë shokët e vlerësuan mbledhjen historike. Pasdite u nisa me Viton në Vlorë për të filluar pushimet.


15 tetor 1971


Mbledhja e Byrosë Politike për të shqyrtuar masat organizative për Kongresin që do të mblidhet në nëntor. Shokët kinezë njoftuan se nuk do të dërgojnë delegacion në Kongres. Qëndrim që është rezultat logjik i vijës që po ndjek udhëheqja kineze.


16 tetor 1971


Sot shoku Enver mbush 63 vjeç. Në orën 9 të gjithë anëtarët e Byrosë shkuam për ta uruar. Qëndruam rreth një orë. Uruam, u gëzuam, dolëm në fotografi.


18 nëntor 1971


Biseduam me shokun Enver për probleme ndërkombëtare; për vajtjen e Karilos në Kinë dhe konsekuencat që ka për lëvizjen komuniste një qëndrim i tillë i Partisë kineze ndaj një partie revizioniste si ajo spanjolle.

 

 

 

 

1972


18 janar 1972


Prita Gani Strazimirin. Kishte sjellë një aparat mikrofilmash ku projektuam studimet që kishte bërë Instituti i Ruajtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Shqipëria jonë e vogël është një muze i vërtetë pasurish kolosale arkeologjike. Dokumentet që paraqiten janë një dëshmi e gjallë e kulturës së lashtë ilire, e talentit dhe aftësive të stërgjyshërve tanë. E përgëzova për punën e bërë, dëgjova problemet që më shtroi, ka të drejtë do ndikoj që t’i mbështesim.


22 shkurt 1972


Niksoni mbërriti në Kinë. Në aeroport e priti Çu En Lai. U prit nga Mao Ce Duni. Filluan bisedimet Nikson- Çu En Lai. Bota kapitaliste e ka mirëpritur këtë vizitë të kreut të imperializmit amerikan në Kinë. Qëndrimin tonë ia kemi bërë të qartë me kohë udhëheqjes kineze lidhur me këtë vizitë. Ne jemi të bindur se këto hapa që hodhën kinezët nuk pajtohen me qëndrimin që një shtet socialist duhet të mbajë ndaj imperializmit amerikan, xhelat i popujve dhe xhandar ndërkombëtar, që përveç luftës dhe armiqësisë ndaj Republikës Popullore të Kinës, nuk ka bërë asgjë më tepër.


27 shkurt 1972


Shoku Enver sot u kthye nga Burreli. Doli komunikata e bisedimeve Nikson-Çu En Lai. Duket qartë nga përmbajtja se kinezët po ecin përpara në marrëdhëniet kino-amerikane. Megjithëse në kushte jo të barabarta pse SHBA nuk e ka njohur Republikën Popullore të Kinës për 22 vjet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me të, ushtritë e SHBA në Tajvan mbajnë në fuqi Çan Kai Shinë, megjithëse SHBA e ka kthyer në fushë lufte gjithë Indokinën dhe vret popullin e pafajshëm, Niksoni, ky xhelat e kriminel i popujve, është ulur këmbëkryq në Pekin dhe deklaron paturpësisht se do t’i sigurojë paqen e sigurinë botës. Duke i ngritur aq lart bisedimet kino-amerikane, bën demagogji se Kina dhe Amerika janë për paqen, për bashkë-ekzistencën, për ndërtimin e një bote të re që do t’i siguronte paqen njerëzimit. Fryma e komunikatës dëshmon se vizita e Niksonit në Kinë dhe bisedimet aty i siguruan Niksonit zgjedhjen si president, dëshmon për lëshime dhe kapitullimin e Kinës që në fakt u fut në bashkëpunim me Niksonin e SHBA që janë bërë gjakatarë. T’i shohim tymin ku do t’i dalë kësaj rruge.


28 shkurt 1972


Biseduam me shokun Enver dhe Ramizin për qëndrimin që do të mbajmë në shtyp lidhur me komunikatën për bisedimet e Niksonit në Kinë.


3 mars 1972


Shkova me Ramizin te shoku Enver se ka qenë me rrufë. Folëm për probleme ndërkombëtare. Folëm për bisedimet kino-amerikane…


17 mars 1972


Thirrëm me Hakiun Piro Gushon dhe na raportoi për veprimet e gabuara në kooperativën e Grecallisë. E qortuam, e porositëm të marrë masa. I kërkova mendimin shokut Enver për të bërë një letër për veprimet arbitrare që kryhen nga organet drejtuese të kooperativave. Na e aprovoi.


24 mars 1972


Në orën 07:30 filloi mbledhja e Byrosë së Partisë të rrethit të Fierit për çështjen e veprimeve të gabuara në kooperativën e Grecallisë. I dëgjova për analizën që kanë bërë dhe masat që janë marrë. U fola për gabimin e rëndë, për përgjegjësinë e Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv, për masat që duhen marrë për të vënë në vend drejtësinë dhe dëmin e shkaktuar. Porosita të bëhet mbledhja e Plenumit dhe të diskutohet problemi. U aprovuan konkluzionet dhe përgjigja e flet-rrufesë. Pasdite nga ora 16:30 u takova me fshatarët që u janë prerë pemët. Më copëtuan zemrën. Me të drejtë ishin revoltuar nga akti. Barbar dhe antiligjor qe veprimi i kryetarit të kooperativës dhe i sekretarit të byrosë që dhanë urdhër për t’u prerë pemët këtyre. U fola. U gëzuan për faktin që shkova dhe i vura në dijeni si mendon udhëheqja, si e dënon këtë akt dhe për qortimin që u bëri udhëheqja Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.

 

 

 

 

1973

 

9 mars 1973


Thirra Agim Meron (në atë kohë rektor i Universitetit të Tiranës-shënim i red.) dhe Karamanin(Yllin). Bisedova për disa çështje të Universitetit, që sipas mendimit tim, duhet të shikohen më mirë si nga rektori, edhe nga ministria. Në Universitet ka liberalizëm, shthurje, hatëre, karrierizëm, arrivizëm, servilizëm, mungesë disipline dhe përgjegjësie, që vijnë si nga dobësitë e rektoratit e ministrisë, ashtu edhe nga puna e dobët që bëjnë organet dhe organizatat e Partisë. Duhet ndjekur me vëmendje dhe duhet analizuar thellë puna e Universitetit.


15 mars 1973


Në orën 10:00 u bë mbledhja e komunistëve të aparatit të KQ. Në orën 12:30 erdhi shoku Enver. Ai mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm, ku u goditën shfaqjet e liberalizmit dhe u demaskua armiku i Partisë, Fadil Paçrami. Mbledhja u mbyll më 14:30.


16 mars 1973


Bëra mbledhje me Karamanin, Thoma Delianën, Agim Meron, Shpresa Kenon dhe Deko Rusin. U fola për gabime që janë bërë nga Universiteti dhe Ministria e Arsimit në lidhje me kuadrin, ku është shkelur vija e Partisë. I porosita të marrin masa, të ndreqin sa më parë gabimet.


17 mars 1973


Prita Fadil Paçramin sipas kërkesës së tij. E dëgjova. Dukej se reflektonte shumë cekët në lidhje me kritikën që i bëri shoku Enver. I fola të thellohet. Ai ka faje të rënda ndaj Partisë. E porosita të përgatitet e të bëjë autokritikë, ndryshe do t’i ketë punët keq. Kam përshtypjen se Fadili ka vepruar me ndërgjegje kundër vijës së Partisë.


19 mars 1973


Sadik Bocaj më raportoi për mbledhjen e Byrosë së Partisë së Radio Televizionit. Todi Lubonja (ish-drejtor i RTSH) nuk bëri autokritikë, megjithëse ishte kritikuar rëndë nga të gjithë shokët. Shkova dhe informova shokun Enver për takimin me Fadil Paçramin dhe mbledhjen e Byrosë së Radiotelevizionit. I shfaqa mendimet e mia për këta dy njerëz se nuk janë në rregull me Partinë. Shoku Enver më dha udhëzim të punohet në Parti e në popull fjala e tij e 15 marsit.


24 mars 1973


Mora pjesë në mbledhjen e Plenumit të Komitetit të Partisë së Tiranës. U diskutua për fjalimin e 15 marsit të shokut Enver. Diskutimet në përgjithësi ishin të mira. Megjithëse duhej thelluar më mirë sidomos në shkaqet dhe pse shumë shokë të Plenumit kanë mbajtur në kokë shumë gjëra të këqija që ia kanë parë dhe nuk ia kanë thënë në sy as Fadil Paçramit dhe as Partisë. Fadil Paçrami nuk tha gjë: i bëmë shumë pyetje. Plenumi vazhdoi deri në orën 18:00. Në fund bëra konkluzionet. Natyrisht dënova Fadilin. Vura në dukje se mjaft shokë nuk u thelluan sa duhet dhe ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që në Plenum ka munguar kritika nga poshtë-lart. Për shembull: Tani që foli shoku Enver për Fadil Paçramin ngrihen të tjerët e flasin plot fakte e gjëra të këqija për të. Ku kanë qenë këta shokë? Mbi punimet e Plenumit i raportova shokut Enver.


30 mars 1973


Më raportuan për çështjet që kanë dalë në mbledhjen e organizatës së Partisë ku bën pjesë Beqir Balluku. Ai dhe gruaja e tij kanë tërhequr padrejtësisht fonde nga arka e Ministrisë së Mbrojtjes. Njoftova shokun Enver. Më dha porosi si të veproja. Thirra Beqirin. I fola për këto veprime të gabuara të tij dhe të gruas së tij. E udhëzova të bëjë autokritikë të thellë. Beqiri ka kohë që nuk është në rregull…


2 prill 1973


Shoku Enver më informoi për kritikat e rrepta që i kishte bërë Beqir Ballukut, që njollosin figurën morale të komunistit, e sidomos të kuadrit udhëheqës. Biseduam me shokun Enver për ca probleme në ushtri.


10 prill 1973


U takova me shokun Enver dhe folëm për rrezikun e liberalizmit si dhe të liberalëve. Bëmë mbledhjen e sekretariatit për rrezikun e liberalizmit.


14 prill 1973


Vazhdojnë diskutimet në konferencën e Partisë së Universitetit. Në përgjithësi mirë. Agim Mero u mundua të bëjë autokritikë, por jo të plotë, duhet të thellohet akoma. Për Todi Lubonjën nuk foli ato që di. Disa pedagogë janë dhaskalë, por jo punëtorë partie. Kritika duhet të jetë më e fortë, më e hapur. Në fund fola edhe unë. Ka oportunizëm, karrierizëm, liberalizëm e intelektualizëm.


26 prill 1973


Kinezët po i hapin dyert. Kanë lejuar më në fund edhe martesat e kinezëve me të huajt, duke kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin.


30 qershor 1973


Thirra Agim Meron, bisedova mbi disa mendime që i kishte shfaqur Vitos. Nuk më pëlqeu qëndrimi i tij. Si duket nuk do t’i thotë Partisë haptazi gabimet e tij të rënda dhe influencimin që kanë ushtruar mbi të Todi Lubonja e të tjerë.


12 korrik 1973


Në orën 18:00 bashkë me Ramizin shkuam te shoku Enver në Durrës. Biseduam. Na dha mjaft udhëzime të rëndësishme për zbërthimin e vendimeve të Plenumit IV të KQ.


12 gusht 1973


Bashkë me Haxhiun shkuam në festën e Brigadës së Parë. U bë parakalimi dhe mitingu me rastin e 30-vjetorit të krijimit. Foli Haxhiu.


1 shtator 1973


Të gjithë shokët janë kthyer nga pushimet, kanë filluar punë. Shoku Enver erdhi, u takuam, biseduam mbi Kongresin X të Partisë Kineze. Dha udhëzime si duhen kuptuar vendimet e tij.


11 shtator 1973


Në Kili u bë grusht shteti. Aliende u vra. Fashistët morën fuqinë në dorë. Ja ku të çon politika e “revolucionit paqësor” e revizionistëve sovjetikë. Pompidu u nis për në Pekin. Të shohim çfarë do të bëjnë kinezët me Francën.


22 shtator 1973


Sot u nisa për në Burrel për të marrë pjesë në stërvitjen “Kaptina”. Shkuam në komandën e Korpusit. Komandanti më raportoi për situatën. Beqiri nuk më priti. Ai ka shkuar në drejtim të Selishtës.


24 shtator 1973


Me Adilin vizituam brigadën e Krujës. U takuam me ushtarët, i përshëndetëm. Shkuam në komandën e Korpusit. U takuam me pjesëtarët e batalionit të Dibrës dhe ata të shkollës Frashëri. Vizituam fortifikimet. Në drekë u kthyem në shtab. Midis Beqirit dhe Petritit ndodhi një grindje pa vend. Shkaktari dukej qartë, ishte Beqiri. I qetësuam, por Adilit dhe mua nuk na la përshtypje të mirë qëndrimi i tyre. Në darkë u kthyem në Tiranë.


25 shtator 1973


Në takim me shokun Enver i raportova për stërvitjen, anët pozitive dhe disa aspekte negative të saj. I fola edhe për fërkimet e Petritit me Beqirin. Më dëgjoi me vëmendje.

 

 

 

 

 

 

1977

 

9 JANAR 1977


Nën disiplinën mjekësore duhet të qëndroj në shtrat. Besniku më njoftoi se po vjen shoku Enver për të më parë. Zbrita në korridor, e prita, i thashë të mos ma japë dorën se e zë gripi, por ma dha vetë me insistim. Qëndruam disa çaste, u interesua për shëndetin. Menjëherë erdhi Andi e Linda e morën shokun Enver në qafë. I largoi Vera me Mediun. Erdhi Vitua. Biseduam. Pas 50 minutash u largua.


16 JANAR 1977


Sot lexova librin e gazetarit italian, Davide Lojalo, “I Kordi”. Ky libër bën fjalë mbi intervistën që i ka marrë Mao Ce Dunit më 1956-n, kur gazetari, bashkë me delegacionin e Partisë revizioniste italiane mori pjesë në Kongresin e Partisë Komuniste kineze. Sipas tij, thëniet e Mao Ce Dunit janë identike (faqe 95-103) Del qartë se Mao Ce Duni nga pozita antimarksiste e revizioniste ka qenë një mbështetës i zjarrtë i Hrushovit dhe i Kongresit XX, një antistalinist i tërbuar. Mao Ce Duni flet me aq urrejtje për Stalinin, sa ua kalon edhe Hrushovit e Titos. Ai mbështet tezat e Toliatit. Këto pohime të Mao Ce Dunit, bërë gazetarit italian që në vitin 1956, kanë rëndësi të veçantë pse nxjerrin në shesh jo vetëm fytyrën e Mao Ce Dunit si antimarksist e revizionist që e ngriti në qiell Hrushovin për tradhtinë që bëri, por shpjegon dhe falsitetin e gjithë qëndrimit të tij gjatë viteve ’60-’76, se gjoja luftoi kundër revizionizmit modern dhe mbrojti marksizmin.


18 JANAR 1977


Në ora 10:00 shkova në zyrë. Shoku Enver më këshilloi të qëndroj në shtëpi e të vij në punë kur të shërohem.


20 JANAR 1977


Lexova librin e një shkrimtari francez për historinë e Shqipërisë, shkruar në vitin 1914. Është interesant. Flet për origjinën e shqiptarëve, për prejardhjen e tyre, gjuhën, zakonet, popullatën, gjeografinë, pasuritë e Shqipërisë, luftërave që ka bërë populli shqiptar që prej kohërave më të lashta e të kohës së Skënderbeut e deri në vitin 1914. Në libër ngrihet lart figura dhe heroizmi i Skënderbeut dhe, mbas tij, si figurë e shquar del Ali Pashë Tepelena. Flet për përpjekjet e Ismail Qemalit për indipendencën.



22 JANAR 1977


Mbasdite, nga ora 18:00 erdhi në shtëpi shoku Enver, qëndroi deri në orën 20:00. Më foli për kujdesin që duhet treguar për punën në Ushtri, për disa shfaqje e qëndrime që vihen re. Të mos harrojmë punën armiqësore. Shkëmbyem mendime…



TIRANË 5 SHKURT 1977


Në mbledhjen e sekretariatit të KQ. Në rend të ditës dy probleme: Mbi filmin dhe kinofilmin dhe mbi mbjelljen e grurit. Shoku Enver bëri një diskutim shumë të rëndësishëm mbi problemet e kinematografisë dhe të filmit. Vlerësoi lart punën që bëhet. Dha orientime e porosi. Për mbjelljet diskutimet qenë të pakta. Fola edhe unë.


17 SHKURT 1977


Polaku Kazhimiezh Mijal nxori fytyrën e vërtetë prej revizionisti, armik i marksizmit dhe i Partisë tonë. I dërgon letër Byrosë Politike, ku del hapur kundër tezave të partisë sonë. Si avokat i revizionizmit kinez mbron tezën e “tri botëve” dhe të luftës kundër social-imperializmit sovjetik, mbron tezën për aleancën e imperializmin amerikan. Me Ramizin shkuam te Rita, i uruam ditëlindjen


11 MARS 1977


Pasdite u nisa në Vlorë për të takuar shokun Enver. Mbërrita në orën 18:30. Në orën 19:00 shkova te shoku Enver. Biseduam deri në orën 23: 30.


4 PRILL 1977


Sot u shpallën rezultatet e votimit që u bënë dje. Vetëm 60 veta kanë votuar kundër. Një rezultat i tillë nuk është parë asnjëherë në votime. Ky fakt tregon për lidhjet e çelikta të Partisë me popullin.


29 GUSHT 1977


Renegati e tradhtari Tito me suitën e tij, i ftuar në Kore nga revizionisti Kim Ir Sen, pas pritjes triumfale që iu bë, sot në ditën e largimit u dekorua me titullin e “Heroit”, natyrisht për tradhtinë që i ka bërë çështjes së marksizmit e të revolucionit. Ja kush është Kim Ir Seni-një revizionist i qelbur! 7 SHTATOR 1977 Thirra ministrin e Shëndetësisë, bisedova për shëndetin e disa shokëve dhe masat që duhen marrë. Në takim me shokun Enver folëm për vizitën e Titos në Kinë dhe marrëdhëniet tona me partitë marksiste-leniniste, kujdesi në bisedat me ta, të kuptojmë situatat e tyre.


24 TETOR 1977


Në takim me shokun Enver na foli për punën që duhet bërë kundër koncepteve të huaja për gruan (vajzat), mbi luftën kundër kriminalitetit dhe abortit.


9 NËNTOR 1977


Vitua mbushi 55 vjeç. Sot e festojmë. Në ora 10:00 erdhi shoku Enver me Nexhmijen. Na gëzuan shumë, dolëm në fotografi. Gjatë ditës erdhën shokë e shoqe për urim.

 

10 DHJETOR 1977


I raportova shokut Enver për analizën e bërë në Ushtri. Shoku Enver u interesua për marrëdhëniet oficer-ushtar, për kritikën, dhënien llogari të kuadrove, për marrëdhëniet komandant- komisar-sekretar, për teknikën, armatimin, rregulloren e ushtrisë. Dha porosi të rëndësishme.

 

21 DHJETOR 1977


Vazhdon gripi. Temperatura 37,8. Erdhën mjekët më dhanë këshilla. Më mori në telefon shoku Enver, më pyeti si jam. Më tha: “U lodhe, nuk more parasysh këshillat. Ki kujdes!” Sot jam mirë. Në darkë temperatura shkoi 36,5.


 

 

 

 

1978

 

 

4 JANAR 1978


Sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Ka pak rrufë. Na porositi për qëndrimin që duhet të mbajmë në shtyp për konfliktin kamboxhiano-vietnamez

 

5 JANAR 1978


Vizitova Shefqet Peçin, që u bë operacion.


6 JANAR 1978


Me Ramizin shkuam për të parë shokun Enver në shtëpi. Është mirë, por duhet të qëndrojë edhe disa ditë brenda. Folëm për disa probleme të rëndësishme në vend dhe disa çështje të rëndësishme ndërkombëtare.


13 JANAR 1978


Në orën 11:30 shkuam për të parë shokun Enver në shtëpi. Dukej mirë. Qëndruam më shumë se një orë. Shoku Enver na pyeti për punët. I raportuam. Biseduam për çështje kërkimore shkencore dhe si t’i ndjekë ato më mirë Partia.


19 JANAR 1978


Sot shoku Enver doli në zyrë. U gëzuam shumë. Në takimin që patëm me të, na foli për revolucionin teknikoshkencor dhe për çështje të tregtisë së jashtme.


27 JANAR 1978


Me shokun Enver biseduam për luftën e patriotëve shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit, për figurën e shquar të Isa Buletinit. Shoku Enver dha porosi të ngrihet një bust i mirë për Isa Buletinin në qytetin e Shkodrës. U ngarkua Ramizi. Shoku Enver u interesua për monumentin e Drashovicës dhe dha porosi të bëhet një monument i mirë me kompleks luftëtarësh, ku të dalë dhe figura ime.


3 SHKUAR 1978


Mehmeti më dërgoi letrën që u ka bërë kinezëve për çështjet ushtarake. Ka disa çështje që nuk duhen vënë në atë mënyrë. Bisedova me shokun Enver. Edhe ai kishte disa vërejtje. Nuk u duhet lënë kinezëve përshtypja se në Europë ka rreziqe, as se ne jemi të kërcënuar nga armiqtë, pse kështu është teza e tyre.



8 SHKURT 1978


Në orën 13:00 shoku Enver erdhi në zyrën time, biseduam mbi qëndrimet e kinezëve ndaj vendit tonë dhe mbi letrën që kishte përgatitur Mehmeti për kinezët. Mendimi i shokut Enver është të kemi kujdes të mos nxitohemi, të mos bëhemi ne shkak për të penguar marrëdhëniet ekonomike. Të shfrytëzojmë mundësitë pa lëshuar në parime, duke ditur se ç’janë kinezët. Pasdite me Ramizin, Viton dhe Semiramisin shkuam te shoku Enver për të uruar ditëlindjen e Nexhmijes.


18 SHKURT 1978


Në takimin e sotëm me shokun Enver biseduam për 100- vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, për masat që duhen marrë nga ana jonë, për qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj mbledhjes që do të bëhet në Prishtinë për Lidhjen e Prizrenit, ku do të shkojë dhe delegacioni ynë. Shoku Enver na porositi për propagandën që duhet t’u bëjmë ngjarjeve historike.


5 MARS 1978


Nesër Titua niset për në Amerikë për të marrë shpërblimin e shërbimit, duke futur edhe kinezët në rrugën e tij të tradhtisë.


26 MARS 1978


Shoku Enver më mori të telefon nga Saranda e më pyeti. U gëzova shumë kur dëgjova zërin e tij. Ishte plotë gëzim e entuziazëm. I urova shëndet e gjithë të mirat. I thashë shkurt se nuk ka ndonjë shqetësim, çdo gjë shkon mirë.


5 PRILL 1978


Dr. Isufi e Sulua erdhën nga Vlora. Më raportuan për gjendjen e mirë shëndetësore të shokut Enver. U gëzova. Biseduam për nisjen në Paris të Ilirit dhe Teutës. Mora masa. Porosita Ministrinë e Jashtme dhe të Shëndetësisë. Familjarët e Enverit të korohen në Francë.


21 PRILL 1978


Qirjako Mihali më njoftoi për turbinën e hidrocentralit të Fierzës. Ka avari, vështirë të vihet në funksionim. Kinezët kanë sabotuar prodhimin. Kështu kanë bërë e bëjnë edhe për pajisje të tjera. Ata janë armiq. Duhet vigjilencë! Erdhi Behari nga Kina, na informoi shkurtimisht mbi gjendjen.


24 PRILL 1978


Me shokun Enver e Ramizin pamë projektet e Muzeut të Krujës, të varrit të Skënderbeut dhe të vëllezërve Frashëri. I aprovuam.


3 MAJ 1978


Riçard Niksoni në librin e tij me kujtime thotë se “Mao Ce Duni shpreh gëzim që në Amerikë, Angli e Gjermani janë në fuqi partitë e djathta të kapitalit të madh.” Mao Ce Duni, si antimarksist me damkë, ka xhevahire plot që koha çdo ditë e më shumë i nxjerr në shesh dhe demaskon fytyrën e tij prej renegati.


9 MAJ 1978


Në takim me shokun Enver biseduam lidhur me heronjtë e vdekur, për propozimet që bëhen dhe kriteret që duhen ndjekur. Shoku Enver mendon se nuk duhen ngritur buste për të gjithë heronjtë e vdekur, por duhen marrë vendime të veçanta. Të gjithë u shfaqëm dakord.

 

24 PRILL 1978


Me shokun Enver e Ramizin pamë projektet e Muzeut të Krujës, të varrit të Skënderbeut dhe të vëllezërve Frashëri. I aprovuam.


3 MAJ 1978


Riçard Niksoni në librin e tij me kujtime thotë se “Mao Ce Duni shpreh gëzim që në Amerikë, Angli e Gjermani janë në fuqi partitë e djathta të kapitalit të madh.” Mao Ce Duni, si antimarksist me damkë, ka xhevahire plot që koha çdo ditë e më shumë i nxjerr në shesh dhe demaskon fytyrën e tij prej renegati.


10 MAJ 1978


Në takim me shokun Enver dhe sekretarët e KQ biseduam mbi gjendjen në Itali, mbi vrasjen e Aldo Moros. Kjo gjendje dëshmon për krizën e thellë të kapitalizmit, që karakterizon sidomos Europën, mbi luftën që bën borgjezia e madhe në Itali për të vendosur diktaturën fashiste. Kjo situatë në Itali duhet të ndiqet me kujdes, kërkon vigjilencë, gatishmëri, pse ka risqe.


15 MAJ 1978


Me Piron shkuam në Uzinën 12 të Kombinatit Metalurgjik. Shokët drejtues të fabrikës na folën për leverdinë ekonomike që kanë prodhimet e saj. Uzina 12 e Kombinatit Metalurgjik është një kompleks i metalurgjisë, kryevepër e punëtorëve dhe teknikëve tanë të talentuar, dëshmi e gjallë që flet për aftësitë e punonjësve tanë.


18 MAJ 1978


Në Vlorë. Shkova në Cakovinë. Mora takim me kuadrot drejtues të Partisë e të pushtetit në zonë. Pasdite vizitova muzeun e luftës. Muzeu kish disa të meta. U sugjerova t’i korrigjojnë e t’i plotësojnë.


31 MAJ 1978


Vdiq sekretari i parë i Partisë Marksiste-Leniniste të Kilit, shoku Bejker. E kam njohur, ishte shok i mirë, i vendosur, i hapur me shokët. Niksoni botoi kujtimet e tij nga takimet me Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain. Si njëri edhe tjetri nga këta udhëheqës kinezë kanë qenë antimarksistë të vendosur. Partia jonë dhe shoku Enver po ua çjerrin maskën këtyre tradhtarëve dhe udhëheqjes kineze, që ka bërë kauzë të përbashkët me armiqtë e urryer të marksizmit.


11 QERSHOR 1978


E gjithë udhëheqja, me shokun Enver në krye, shkuan në sheshin “Skënderbej”. Bëmë homazhe para arkivoleve të Abdyl e Naim Frashërit, që ishin vendosur mbi top. Sheshi ishte mbushur plot. Mitingun e çeli Simoni. Mbas mitingut, shoku Enver u takua me patriotë. Ecëm të gjithë në këmbë prapa bandës dhe arkivoleve deri tek Ura e Lanës. Shkuam në vendin ku do vendosen. Bëmë homazhet e rastit.


15 QERSHOR 1978


Mora pjesë në Konferencën shkencore me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.


16 QERSHOR 1978


Sot Shkodra pret eshtrat e patriotit të madh të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasë Shkodranit. Më 24 bëhet varrimi.



24 QERSHOR 1978 INFARKTI


24 KORRIK 1978


Sot mora një letër nga shoku Enver, më gëzoi pa masë kur pashë shkrimin e tij dhe fjalët aq të ngrohta plot dashuri e përzemërsi, ku shpreh gëzim për gjendjen time shëndetësore dhe më uron shërim të shpejtë.


6 GUSHT 1978


Vdiq Papa i Vatikanit, kreu i obskurantizmit fetar, armik i betuar i komunizmit, para këmbëve të të cilit u përulën gjithë tradhtarët e marksizëm-leninizmit, që nga Hrushovi, Tito, Çaushesku, Gierku, kinezët etj.


18 GUSHT 1978


Në Bukuresht u dogj teatri nacional. Kjo është përshëndetja me të cilën populli rumun e priti udhëheqësin kinez, Hua Kon Fen. Në qarqet amerikane ka preokupacion se mos Shqipëria afrohet me Moskën dhe krijon rreziqe për NATO-n e Mesdheun. Amerikanët u thonë aleatëve të afrohen me Shqipërinë.


21 GUSHT 1978


Sot tradhtari Hua Kon Fen do vizitojë Jugosllavinë. Jo rastësisht është menduar që në aeroport do ta pres Fadil Hoxha. Nuk është pa qëllim fakti që një shqiptar pret tradhtarin Huan Ko Fen.


28 GUSHT 1978


Sot u bënë bisedimet Tito-Huan Kon Fen. Tito duket i kapardisur si këndes plak. Tradhtari Hua Kon Fen, që i ra në gjunjë Titos, qëndron me gojë hapur para renegatit Tito. I kanë dalë dhëmbët si të një qeni të lig, duket si një nxënës pas ustait të madh, që i mëson si të ecë në rrugën e tradhtisë.


29 SHTATOR 1978


Sot sa hapa Radio Romën, dëgjova se ngordhi Papa mbas 32 ditësh, që u zgjodh si udhëheqës i shenjtë i katolicizmit. Duket se e kanë helmuar. Borgjezia e ka zakon që kur do, të këndon, dhe kur do, të fut në dhé e derdh lot me hipokrizi, siç po bën tash me “Papën e shenjtë”


1 TETOR 1978


Me Viton, në orën 10:30 shkuam për vizitë te shoku Enver. Na priti me dashuri, bashkë me Nexhmijen. Pasi biseduam për shëndetin, për regjimin në punë, folëm për konferencën shkencore “Zhvillimi i sotëm botëror” që çelet nesër, për partitë motra që kanë çuar delegacione në konferencë, për botimin në gjuhë të huaja të veprës “Imperializmi dhe revolucioni”, për studimin që ka bërë shoku Enver mbi “Vetadministrimin jugosllav”, ku demaskohet libri i Kardelit mbi vetadministrimin dhe se si Jugosllavia ka tradhtuar çështjen e socializmit. Biseduam për interesimin që tregon borgjezia për të ngritur Mao Ce Dunin për të luftuar Leninin.


3 TETOR 1978


Sot, pas tre muajsh larg punës, rikthehem për herë të parë në zyrë. Me vështirësi më lejuan mjekët. Ata e bëjnë djallin më të zi nga sa duket. Po duhen dëgjuar edhe ata. Jam shumë i gëzuar që fillova punën, megjithëse më kanë vënë kufi të punoj dy orë në ditë. Në orën 10:30 u takova me shokun Enver.


5 TETOR 1978


Me Ramizin shkëmbyem mendime për festimin e 70-vjetorit të shokut Enver, për mesazhin, vizitat në orën 16:00, për darkën që do të japë KQ me këtë rast dhe dhënien e emrit të shokut Enver disa objekteve të mëdha industriale. Ramë dakord të merret edhe mendimi i shokut Enver.


6 TETOR 1978


Shoku Enver dha mendimin që hidrocentralit të Fierzës t’i jepet emri “Drita e Partisë”, që Kombinatit Metalurgjik t’i jepet emri “Çeliku i Partisë”, ndërsa ne propozuam që Kombinati i Autotraktorëve të marrë emrin “Kombinati Enver Hoxha”


13 TETOR 1978


Më informuan se Spiro Koleka ka pasur një edemë polmonare. Ish në rrezik. Tani është mirë. Erdhën shokët nga Gjirokastra: Ramizi, Manushi, Rita e Vitua. Ramizi në takim me shokun Enver informoi mbi zhvillimin e përfundimeve me sukses të Festivalit. Shoku Enver na foli përsëri për rëndësinë e folklorit si burim frymëzimi e studimi nga historianët, letrarët, artistët, kompozitorët, etnografët për të bërë vepra të dobishme. Me shokët përfunduam mesazhin e Komitetit Qendror për 70-vjetorin e shokut Enver…


14 TETOR 1978


Sot kalova një provë pas tre muajsh i sëmurë. Fola në orën 10:00 në mitingun në Kombinatin e Autotraktorëve me rastin e 70-vjetorit të shokut Enver dhe dhënien e emrit “Enver Hoxha” kombinatit. Një panoramë e jashtëzakonshme, me mijëra njerëz, punëtorë të ardhur nga qyteti. Pilua e çeli, pastaj ma dha fjalën mua. Fola rreth 35 minuta. Gjithçka shkoi mirë. Inauguruam pllakën me emrin e ri, uzinën e re dhe traktorin e parë.


16 TETOR 1978


Ora 9:00, në shtëpinë e Partisë shkova me Viton. Atje do të mblidhemi gjithë shokët e Byrosë Politike, do vemi në orën 10:00 për urim te shoku Enver. Kur shkuam para shtëpisë, na priti Nexhmija, Iliri, Sokoli, Pranvera, Teuta, Liljana, Klemi. I uruam. Në korridor na priti shoku Enver. U përqafuam me mall. Momente emocionale. U futëm në sallë. Shoku Enver, i mallëngjyer nga mesazhi, foli për unitetin e udhëheqjes dhe të Partisë, për fitoret e arritura. Qëndruam afro një orë. Shkova në aparat. Me Hekuranin e Lenkën biseduam për punët në rrethin e Lushnjës.


17 TETOR 1978


Dëgjova profesor Hoxhën dhe doktor Isufin për disa ndryshime në elektrokardiogramin, që i kanë bërë shokut Enver.


22 TETOR 1978 Me


Viton shkuam për urim nga Dhora e Gogos (Nushit) me rastin e fejesës së Yllit. U gëzova shumë kur pashë Yllin, Drinin dhe Artanin e vogël që është bërë burrë, më i gjatë se unë. Më nxori mallin e Gogos, aq të shtrenjtë për mua dhe gjithë Partinë. Mbasdite më erdhi Sulejmani e Dudia, më folën për nga fshati. Sa mirë e kanë ndërtuar jetën! U gëzova shumë që fshati po rindërtohet, jeton mirë. Kujtoj të kaluarën dhe lumturinë që i solli Partia.


15 NËNTOR 1978


Të gjithë shokët interesohen për shëndetin tim. U jam shumë mirënjohës. Në orën 11:30, erdhi shoku Enver, më gjeti në shesh. U përqafuam, bëmë shaka. E ndiej veten mirë. Takimi me shokun Enver si gjithnjë ka qenë plot frymëzim, energji e forca të reja. Ai më bën plot energji, që ta ndiej veten më të fortë se kurrë e të lumtur që t’i shërbej sa të kem jetë Partisë sime të dashur, popullit tim, çështjes së socializmit në rrugën që na udhëheq Partia me shokun Enver në krye.

 

24 nëntor 1978


Në klinikën në Paris po bëj analizat. Më erdhën të gjithë mjekët. Afër drekës erdhi profesor Miliezi, më kontrolloi e përshëndeti, se do të largohet për disa ditë në Monako. I shkrova një letër shokut Enver dhe fillova t’u shkruaj letër edhe shokëve të tjerë, por mjekët më ndaluan.


26 nëntor 1978


Sot jam më mirë. Vizita e mjekeve ishte e kënaqshme në çdo drejtim. Në drekë erdhi profesor Gurgeni dhe më kontrolloi me shumë kujdes e përzemërsi. Erdhi Vitua dhe qëndroi deri në orën 12:00. Në gazetën “Le Mond” lexova një shkrim për Kinën. Aty çdo gjë po varroset.


29 nëntor 1978


Mora një letër nga shoku Enver. U mallëngjeva nga fakti se edhe këtu larg atdheut kam kurdoherë pranë shokun Enver, që me fjalët e tij, me urimet e tij për festën, më jep zemër e forcë. Erdhi profesor Miliezi, Gizi e Morsi e më uruan për festën.


3 dhjetor 1978


Mora një telegram nga shoku Enver, ku shpreh gëzimin për gjendjen time dhe më thotë se punët shkojnë mirë. Më dërgon të fala edhe nga Nexhmija e fëmijët. Gazeta “Le Mond” shkruan për vizitën e afaristëve francezë, që bënë në Shqipëri e shkëmbyen mendime për tregti. Vitua qëndroi deri në orën 22:00.


15 dhjetor 1978


Erdhën mjekët. Bënë procedurat e ditës. Lexova gazetën “Le Mond”, ku ishte një botuar një shkrim i Ismail Kadaresë. E lexova, nuk më duket i menduar mirë. Ka disa mendime të gabuara dhe sidomos nënvleftëson shkrimtarët dhe poetët tanë të rinj.


31 dhjetor 1978


Mora një telegram urimi nga shoku Enver për Vitin e Ri. Dola me makinë në qytetin Masion Laffette. Natën e Vitit të Ri e kaluam në spital bashkë me shokët.

 

 

 

1979

 

Paris,

8 janar 1979



Sot radio “Parisi” dhe shtypi njoftojnë se në Kamboxhia hynë forcat ushtarake vietnameze dhe kamboxhiane zaptuan kryeqytetin Pnom Penin. Qeveria e Pol Potit u largua. Sihanuku u prit me pompozitet të madhe në Pekin, do shkojë në Kombet e Bashkuara. Ka kërkuar strehim politik në Kinë ose në Francë. Në mëngjes bëra procedurat sipas programit. Erdhën mjekët, më njoftuan se të martën ose të mërkurën mbaroj programin e kurave. U gëzova. Erdhën shokët e ambasadës.


Paris,

10 janar 1979


Më erdhi profesor Zheleni dhe doktor Sikari. Biseduam. Më njoftuan se ditën e mërkurë do të dal. Vitua shkoi në qytet. Pasdite erdhën nga Tirana Sokoli, Hajrua dhe Isufi. Na sollën lajme dhe letra nga Shqipëria. Çdo gjë shkon mirë.


Paris,

16 janar 1979


I bëra vizitë drejtorit të spitalit. E falënderova. I bëra telegram urimi nga unë dhe Vito Manushi me rastin e ditëlindjes.


Paris,

17 janar 1979


Në orën 11:00 u largova nga spitali, 17 kilometra larg Parisit. Afro dy muaj m’u bënë që qëndroj në spitalin e Parisit. Mendoj se më të mërzitshëm për njeriun janë burgu dhe spitali, por kur të zë halli, duhet të përballosh çdo vështirësi. Spitali ku qëndrova, ishte i domosdoshëm, se bëra disa kura. Nga spitali kam përshtypjet më të mira. Më mori në telefon Adili dhe më uroi.


Paris,

19 janar 1979


Në darkë më mori në telefon shoku Enver dhe më uroi për daljen nga spitali. Më foli për ecurinë e punëve dhe problemet e plenumit.


Paris,

24 janar 1979


Nata m’u duk e gjatë pse do nisem për Shqipëri. U ngrita shpejt qysh në orën 6:00. Në orën 10:55 u nisëm nga aeroporti Orly me avionin Karavella për në Shqipëri. Kishin ardhur për të na përcjellë shokët e ambasadës, si dhe Pranvera, Sokoli, Klemi. Mbërritëm në Shqipëri në orën 13:30. Mbasdite në orën 17:30 shkuam te shoku Enver me Viton.


25 janar 1979


Pas shtatë muajsh i sëmurë, sot për herë të parë mora pjesë në mbledhjen e Byrosë Politike. Mbledhja zgjati një orë e gjysmë. Dola me shokun Enver. Shkuam bashkë për në shtëpi.


28 janar 1979


Mbasdite, pas procedurave mjekësore, erdhën për të më vizituar në shtëpi Ramizi me Semiramisin. Më vonë erdhi profesor Hoxha, Popa dhe doktor Saliu. Erdhi për të më takuar edhe Hajria, dukej shumë e gëzuar. Sot Ten Siao Pini mbërriti në Uashington.


3 shkurt 1979


Sot shoku Enver shkoi në klinikën speciale, do të bëjë një operacion në dorë. Kanë ardhur dy mjekë nga Parisi. Në orën 10:30 operacioni përfundoi me sukses. Shoku Enver e ndien veten mirë. U ngrit në këmbë.


5 shkurt 1979


Ora 10:30, me Ramizin shkuam te shoku Enver për ta uruar për operacionin e suksesshëm në dorën e majtë. Biseduam deri në orën 12:00 për probleme të ndryshme: për partinë e Dinuçit që ka filluar përçarjet, për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj anglezëve për çështjen e arit të grabitur bashkë me kamatat, për çështjen e dëmshpërblimeve të luftës që na ka RF Gjermane.


2 mars 1979


Piktori Ilmi Bani nga Vlora më solli si dhuratë një pikturë, portreti im partizan. Fola me të për shumë gjëra.


1 maj 1979


Shkuam për urim te Babë Myslimi. Sot ai mbush 80 vjeç. Uruam gjithashtu për ditëlindjen edhe Haxhiun. Në orën 18:00 në Pallatin e Brigadave u bë ceremonia me rastin e dekorimit të Babës me titullin “Hero i Punës Socialiste”


7 maj 1979


Në Shkodër, për të parë pasojat e tërmetit dhe punën që bëhet për të zhdukur pasojat e tij.


11 maj 1979


Porsa shkova në zyrë, prita sa erdhi shoku Enver. I vajta në zyrë për ta takuar. U interesova për rezultatet që dha kontrolli i mjekëve francezë për sytë e shokut Enver. U gëzova pa masë kur më tha se nuk ka ndonjë problem serioz në sy. Shkuam bashkë në sallën e pushimit, ku ishin edhe shokët e tjerë. Shoku Enver nesër ikën me pushime.


Vlorë, 29 maj 1979


Në orën 11:00 shoku Enver me Nexhmjen erdhën te vila 5 në tendën e re. Atje shkova edhe unë. U takuam. Biseduam çështje të ndryshme të brendshme. E informova për mbledhjen e sekretariatit.


Vlorë, 31 maj 1979


Me Viton shkuam te shoku Enver e Nexhmija. Qëndruam aty deri në orën 23:00. Biseduam gjatë.


Vlorë, 1 qershor 1979


Mbasdite erdhi Ramizi, biseduam. Në orën 18:00 shkoi te shoku Enver. Me Viton dolëm nga qyteti për të parë rrugën e re dhe prej andej shkuam te monumenti i luftës së vitit 1920, te qafa e Koçies .


2 qershor 1979


Pasdite me Ramizin shkuam te shoku Enver. Biseduam çështje ekonomike e politike.


18 qershor 1979


Në orën 10:00 erdhi shoku Enver në zyrën time. Më shfaqi shqetësimin që kishte pasur nga mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes i datës 16. Ai e konsideron raportin që u shqyrtua atje shumë të gabuar politikisht dhe ushtarakisht. Mehmeti që e kishte bërë, nuk i ishte përmbajtur vijës së Partisë. Diskutimi i Kadriut që qe mbështetur te raporti, e shqetësonte më shumë. Diskutimi im e kishte ngrohur. Pikëpamjet tona puqeshin. Më porositi që duhet të kemi kujdes për punën në ushtri. Të mos krijohet mendimi se çështjet e ushtrisë i di vetëm një njeri. Të gjitha materialet për këto çështje udhëzoi të kalojnë nga ai para se të diskutohen. Mbi këdo është Partia. I fola për disa shqetësime që kam për ushtrinë, si: mburrja, euforia e shfaqje të huaja dhe për disa qëndrime të Mehmetit. Më dha porosi të veçanta.


4 korrik 1979


Sot shoku Enver nuk erdhi në punë. Ka shkuar me pushime në Durrës.


5 korrik 1979


Në takim me shokun Enver folëm për tipin e armës automatike që është prodhuar. Kish disa vërejtje.


7 korrik 1979


Sot shoku Enver u nis me pushime në Pogradec.


9 korrik 1979


Dëgjova të shoqen e Ismail Hoxhës, ish-punonjës i aparatit të KQ, që vdiq para pesë vjetësh. Ishte e shqetësuar për çështjen e vëllait të saj të përjashtuar nga Partia. E qetësova.

Thirra Muntas Dhramin dhe e porosita për monumentin e Drashovicës, të shohë mundësinë për ta mbaruar me rastin e 60-vjetorit të luftës së 1920. Pra, vitin 1980.


Pogradec, 16 korrik 1979


Me Viton u nisëm për pushime në Pogradec. Na përcollën fëmijët e nipërit. Pas pesë-gjashtë ditësh i presim të na vijnë në Pogradec. Gjatë rrugës Vitua nuk ish mirë. Porsa mbërritëm ra në rroba. Në orën 18:00 u takova me shokun Enver dhe Nexhmijen. Më pritën me gëzim. U përqafuam. E informova për punët. Shëtitëm bashkë. Shkëmbyem mendime për çështje të ndryshme.


18 korrik 1979


Paradite si zakonisht, mbas programit mjekësor, lexoj. Në orën 11:30 u takova me shokun Enver. Bëmë shëtitje, biseduam për çështje të mjekësisë, të fëmijëve. E informova për sa më tha Vitua për seminarin e bërë në Shkodër me gra për shëndetin e fëmijës.


21 korrik 1979


Shkuam në Volorekë. Morëm edhe familjen e doktor Dine Abazit. Mbasdite, si bëmë shëtitje me Viton, u takuam me shokun Enver dhe Nexhmijen. Duke shëtitur i fola për nevojën e forcimit të kontrollit të shtetit, që të jetë kontroll shtetëror me ato kompetenca që na mëson Lenini e Stalini. Shoku Enver ish dakord që ta shohim kur të kthehemi nga pushimet.


25 korrik 1979


Pasdite pata temperaturë. Natën e kalova me shqetësime.


26 korrik 1979


Sipas kontrollit që më bënë Dinja dhe Ylli, del se kam marrë pak të ftohtë. Filluan antibiotikët. Gjithë ditën e kalova me temperaturë të lëvizshme nga 37.8 në 38 gradë. E kalova ditën rënë në shtrat. Më njoftuan se shoku Enver ka pasur pak temperaturë dhe nuk e ndien veten mirë. Duket ka një virus që është hapur edhe në kampin e pushimit të kuadrove.


28 korrik 1979


Pasdite, në orën 17:00 erdhi për vizitë shoku Enver me Nexhmijen. Biseduam për probleme të ndryshme.
Fakte mbi sëmundjen
Më 24 qershor 1978, Hysni Kapos i shfaqen problemet e para në zemër. Më herët vuante nga diabeti.

Në nëntor të vitit 1978 bëri vizitën e parë në një klinikë të specializuar në Paris. U kthye që andej më 24 janar 1979. Pas shtatë muajsh u kthye në zyrë. Nuk pati përmirësime.

Në gusht të vitit 1979 shkoi për herë të dytë në Francë, në klinikën “Broussais”, ku kreu një operacion të vështirë, por që nuk pati sukses.

Përveç stafit mjekësor francez, në operacion morën pjesë edhe disa nga mjekët shqiptarë të kryesuar nga Llambi Ziçishti, asokohe ministër i Shëndetësisë.

Gjatë kohës që Kapo ishte në spital, me porosi të Enverit shkuan për ta vizituar mjaft nga anëtarët e Byrosë Politike, ndër ta edhe Ramiz Alia.

Më datë 23 shtator të vitit 1979, në spitalin “Broussais” në Paris, Hysni Kapo vdiq.

 

 

 

 

"Without drawing the line with the revisionists, without excluding them from the ranks of our movement, and without destroying them ideologically and politically, there cannot exist a healthy Marxist-Leninist unity, a unity which the socialist countries and the international and workers movement need like air and light... The struggle alone against imperialism cannot be successful, and remains an empty fairy tale without associating it with the struggle against revisionism."

"The renegade group of N. Khrushchev did in the past as in the present engage in sinister plots and assaults against the Albanian Workers Party. Albania, however, was not isolated according to the wishes of some enemies, on the contrary, today it possesses even more friends and fighting comrades in the cause for Marxism-Leninism. The blockade which Khrushchev set up against the People's Republic of Albania crumbled like a fortress made of paper."

(Hysni Kapo)

Tirana October 26-28